22.4 C
Prizren
E premte, 23 Maj, 2025

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për veprat fajde, armëmbajtje pa leje e pengim të procedurës, propozohet edhe konfiskimi i automjeteve

Prokuroria Themelore në Prizren të premten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale fajde, ndaj dy personave tjerë të dyshuar për veprat penale fajde e armëmbajtje pa leje dhe ndaj një personi të dyshuar për veprën penale të pengimit të provuarit apo procedurës zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër J.Th., I.Th., A.Th., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data 02.10.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 të KPRK-së, L.G., dhe D.G., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data 25.02.2025, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, dhe secili veç e veç ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së, dhe Gj.Th., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, “i pandehuri J.Th., nga muaji maj 2023, e në vazhdimësi deri me datë 2 tetor 2024, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J.A., ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 (pesëqind) euro kamatë, dhe deri me datë 02.10.2024, kamatat tek i pandehuri kishin arritur vlerën prej 20.000 (njëzet mijë euro). Me datë 02.10.2024 i pandehuri takohet me të dëmtuarin i cili e njofton se ia ka sjellë shumën prej 5.000 (pesëmijë euro) në emër të kamatës, me ç’rast arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime J.Th., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”.

Tutje thuhet se “të pandehurit I.Th., dhe A.Th., duke vepruar në bashkëveprim, takohen me të dëmtuarin, të cilin e paralajmërojnë se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 (pesëqind) euro kamata mujore, ndërsa më pas kamata javore 50 (pesëdhjetë) euro e më pastaj janë ndryshuar, duke u rritur në kamata në shumë prej 100 (njëqind) euro. Si rezultat i këtyre tek të pandehurit e lartpërmendur kamatat kishin arritur rreth 11,000 (njëmbëdhjetëmijë euro). Me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”.

“Të pandehurit D.G., dhe L.G., duke vepruar në bashkëveprim, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J.A., pasi fillimisht i japin të holla me interes, i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare duke mos pasur mundësi kthimi të të hollave, në muajin qershor 2024, në lokalin e të pandehurit D.G., takohet me të njëjtin të cilit në emër të shumës prej 2,500 euro në të cilin përfshihet edhe interesi, të pandehurit D.G., ia jep automjetin e markës VW UP i vitit 2018 i cili automjet në çmim është dukshëm më i lartë, për shumën prej 2,500 euro sa ka pasur t’i jap i dëmtuari të pandehurve. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit D.G. dhe L.G., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

“I pandehuri Gj.Th., në periudhën kohore gjatë muajit Nëntor të vitit 2024 e deri në muajin Shkurt 2025, në lokacione të ndryshme në Prizren, ka nxitur dëshmitarin J.A., i cili njëherit e ka cilësinë e të dëmtuarit – viktimës në këtë çështje penale, që i dëmtuari të jap deklaratë të rreme, me qëllim të lehtësimit të procesit gjyqësor të familjarëve të tij -të pandehurve J.Th., I.Th.,dhe A.Th., dhe lirimit të tyre nga masa e paraburgimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka kërkuar nga i dëmtuari që të ndryshojë deklaratën e tij të dhënë më herët kundër të pandehurve, dhe në këmbim të ndryshimit të deklaratës do të hiqet borxhi në tërësi, e duke i premtuar se nuk do të ketë probleme me të pandehurit e lartpërmendur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe të konfiskohen sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me veprën penale “Fajdeja”, për të cilat janë lëshuar Urdhërat Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, dhe atë automjeti i markës “Daimler Chrysler, automjeti i markës “Citroën”, Mercedes-Benz, E 220d4 MATIC, BMWX5 xhip, Telefona, 2.400 euro , 330 franga zvicerane, 50 dirhamas (kartëmonedha arabe).

 

Më Shumë

Profesori Millaku mohon se kanosi kolegen e tij

Gjatë ditës së sotme u raportua për një sherr që pretendohet të ketë ndodhur në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, më saktë në Fakultetin...

Totaj pret dokument zyrtar nga organet e drejtësisë për të reaguar lidhur me aktakuzën ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se është në pritje të njoftimit zyrtar nga organet e drejtësisë lidhur me...

Lajmet e Fundit