Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Haizi Hodaj, ka kërkuar që Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Gjonaj të Hasit të pajiset me një autoambulancë.
Sipas tij, nevoja për një mjet të tillë është urgjente për shkak të numrit të madh të banorëve dhe nxënësve që jetojnë dhe veprojnë në këtë zonë.
“Shkolla në Gjonaj të Hasit numëron mbi një mijë nxënës. Prandaj, është e domosdoshme të sigurohet një nivel më i lartë sigurie për ta”, tha Hodaj.
Ai shtoi se në këtë fshat zhvillohen rregullisht aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, çka sipas tij e rrit më tej nevojën për një autoambulancë në dispozicion të komunitetit.
“Është një kërkesë e drejtë e banorëve që të kenë një autoambulancë në shërbim të tyre”, u shpreh Hodaj.
Kliko videon: https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/1684680412412465
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Simir Krasniqi, ka konfirmuar se kërkesa do të merret në shqyrtim nga institucionet përgjegjëse.
“Kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe, nëse vlerësohet si e nevojshme, QMF në Gjonaj do të pajiset me një autoambulancë”, tha Krasniqi./PizrenPress.com/