28.7 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025

Opinion: Reflektime mbi kulturën, komunitetin dhe bashkëpunimin në Prizren nga vullnetari amerikan

Ishte vetëm një mendim në fillim. Një ditë, në zyrën time në SHBA, truri më lëvizte dhe ai mendim u kthye sërish. Bëra një pushim, hapa YouTube dhe pashë një djalë duke ecur i vetëm, në perëndim të diellit, diku në Afrikë. Ishte një i ri amerikan, vullnetar në Korpusin e Paqes.

Ka qenë një synim jetësor për mua të shërbeja në Korpusin e Paqes, sepse është një organizatë humanitare dhe përputhej me idenë time për të ndihmuar të tjerët, qoftë edhe në një mënyrë të vogël. Korpusi i Paqes është një agjenci e SHBA-së që mbështet vendet në zhvillim duke dërguar vullnetarë për të punuar në komunitete si mësimdhënës dhe për të bashkëpunuar me organizatat lokale.

Kështu që aplikova, u pranova dhe lashë pas jetën time në Kansas, SHBA, për t’u dërguar në Kosovë. Uau, çfarë ndryshimi. Zgjodha Kosovën për arsye egoiste, ishte vendi më i afërt me Francën, ku jeton vajza ime, Emily.

Meqë jeta është kaq e shkurtër, vendosa ta jetoj plotësisht para se të përfundojë. Erdha këtu, jetoj këtu dhe po kontribuoj me përpjekjet e mia në Prizren. Shumë vende në këtë botë nuk janë aq të mira sa Prizreni, madje shumica nuk janë. Sipas mendimit tim, Prizreni është një thesar i fshehur, i njohur nga pak njerëz, dhe që duhet të njihet më gjerësisht – diçka për të cilën po përpiqem të kontribuoj.

Erdha në Prizren në dhjetor të vitit 2023. U dërgova të punoj me DokuFest-in dhe fillova të bashkëpunoj ngushtë me Eroll Shportën në projektet që ai më cakton. Ka qenë një udhëtim plot përvoja, dhe ende jam në rrugëtim – ashtu si garuesit me goma në Bunarfest. Se ku do të shkoj më pas, kismet, inshallah, “Tu pa tu bo”.

Në vitin 2025 do të vazhdoj punën time me DokuFest-in, në edicionin e 24-të të këtij festivali të njohur të filmit. Gjatë festivalit do të shkruaj tregime, të cilat mund t’i gjeni online nën emrin DokuStories. Gjithashtu, jam vullnetar në shkollat e Prizrenit si folës dhe bashkëpunoj me organizata të tjera lokale sa herë që më ftojnë. Shpresoj të bashkëpunoj edhe me kryetarin e komunës për disa projekte të vogla dhe ide që kam për parqet e Prizrenit.

Emri im është Scott Hoy, dhe tani ndihem si në shtëpi në Prizren – e dua Kosovën. Kultura e kafesë këtu është në një nivel tjetër, dhe tashmë kam pirë sa për një kamion! Lumi, Shadërvani, jeta e natës dhe Kalaja janë vetëm disa nga arsyet pse kam pasur shumë vizitorë këtu – gjë që ka qenë një përvojë shumë e këndshme.

Ju lutem më kontaktoni nëse dëshironi të takohemi dhe ndoshta të shohim se si Korpusi i Paqes mund të ndihmojë organizatën tuaj apo punën tuaj këtu në Prizren, këtë vit dhe më tej. Nuk jam i vetëm – mund të përfshij edhe vullnetarë të tjerë të Korpusit të Paqes në Kosovë për të punuar në projekte të mira. Mënyra më e lehtë për të më kontaktuar është përmes Facebook-ut, Scott Hoy, ose në Instagram: scottomanhoy.

Gjatë gjithë kohës së trajnimit tim në Kamenicë, takimeve në Prishtinë dhe udhëtimeve nëpër tërë vendin, kam mësuar ta dua Kosovën dhe njerëzit shumë të mirë që kam takuar këtu. Amerikanët mund dhe duhet të mësojnë shumë nga Kosova – mbi të gjitha, si të sillen me njëri-tjetrin me durim dhe respekt.

Miqtë që kam bërë dhe kujtimet që më kanë dhuruar janë dhurata që do t’i çmoj gjithmonë. Thënia e vjetër “më mirë të japësh sesa të marrësh” duket se nuk ka kuptim, derisa ta vësh në praktikë. Është e kundërta e asaj që mendojmë natyrshëm, por është e vërtetë.

Të japësh kohën dhe përpjekjet e tua për të tjerët në fakt të sjell një fitim për vetveten. Tani e di që duhej të isha angazhuar më herët si vullnetar, por të paktën jam këtu tani! Ndoshta gjithë problemet e botës mund të zgjidhen nga një person, një situatë, një ditë në kohë. Sipas mendimit tim, ia vlen të provohet.

Shkruar nga Scott Hoy, vullnetar i Korpusit të Paqes

Marketing

Më Shumë

Kuvendi mbetet i bllokuar: Dështim edhe në përpjekjen e 34-të për konstituim

Për herë të 34-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga 102 deputetët që ishin në sallë, 51...

Arrestohet në Prizren një person që dyshohet për degradim të mjedisit

Arrestohet një person pasi dyshohet për “Ndotje, degradim apo shkatërrim të mjedisit” në Prizren. Operatorit privat i janë sekuestruar një kamion dhe një eskavator. “NDOTJE, DEGRADIM...

Lajmet e Fundit