Një delegacion nga qyteti Meyrin i kantonit të Gjenevës në Zvicër po qëndron për vizitë zyrtare në Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati. Me këtë rast, u bë e ditur se pas një miqësie të gjatë ndërmjet dy komunave, së shpejti do të nisin edhe procedurat për binjakëzimin zyrtar të Malishevës me Meyrin-in, raporton PrizrenPress.
Delegacioni nga Meyrin përbëhej nga anëtarët e Këshillit të Kryetarëve, Laurent Tremblet, Xhevrie Osmani dhe Damien Baptiste Boccard, të shoqëruar nga Hysri Halimi, kryetar i shoqatës “Rrethi Shqiptaro-Merinas” dhe anëtar i asamblesë së Meyrin-it, Claudio Angius, drejtor i shërbimit të mirëmbajtjes në Meyrin, Sadik Asllani, ekspert dhe përgjegjës për makineri, si dhe Agim Paçarizi, aktivist nga Malisheva.
Delegacioni solli një donacion të rëndësishëm me makineri moderne për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe hapësirave publike në qytetin e Malishevës.
Kryetari Ekrem Kastrati, në emër të qytetarëve, falënderoi mysafirët për miqësinë e vazhdueshme dhe për mbështetjen konkrete për qytetin
“Pas një miqësie të gjatë, tashmë po hedhim hapat e parë drejt binjakëzimit me Meyrin-in. Ky donacion është një kontribut i çmuar për qytetin tonë dhe dëshmi e miqësisë që po forcohet çdo ditë e më shumë”, tha ai.
Në emër të delegacionit zviceran, Laurent Tremblet shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi zhvillimet e fundit në Malishevë.
“Ndjehemi krenarë që kemi mundësinë të ndihmojmë Malishevën. Investimet e bëra e kanë bërë qytetin më urban dhe modern, dhe ky bashkëpunim është një shembull i fortë i miqësisë sonë të përbashkët”, u shpreh ai.
Për nder të kësaj vizite, Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti një seancë solemne, ku fjalë rasti mbajtën kryetari i komunës Ekrem Kastrati, kryetari i Kuvendit të Komunës Argjend Thaçi dhe Laurent Tremblet në emër të Këshillit të Kryetarëve të Meyrin-it. Të gjithë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy komunave, duke vlerësuar edhe rolin e madh të mërgatës shqiptare në Meyrin që po kontribuon në këtë partneritet.
Ceremonia e dorëzimit të makinerive u mbajt në sheshin e qytetit të Malishevës, ku pajisjet iu dorëzuan zyrtarisht komunës.
Në kuadër të vizitës, delegacioni nga Meyrin, i shoqëruar nga kryetari Kastrati, vizitoi disa institucione arsimore, çerdhet publike, si dhe shërbimin e zjarrfikësve dhe të shpëtimit, duke u njohur nga afër me funksionimin dhe zhvillimet e këtyre shërbimeve në Malishevë./PrizrenPress.com
Marketing
Tefik Tarashaj: Pagën time do ta ndaj për 5 familje në nevojë
9-shi i GUXO-s – Flora Sinani kërkon besimin e qytetarëve të Prizrenit në zgjedhjet e 12 tetorit
26-shi i LDK-së, Arben Hoxha po kërkon votën tënde që zëri yt të dëgjohet në Kuvendin e Prizrenit!
20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/