Këngëtari kryesor i bendit të njohur 3 Doors Down, Brad Arnold, ndërroi jetë të shtunën në moshën 47-vjeçare, disa muaj pasi njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në veshkë në fazën 4.
Sipas grupit, Arnold ndërroi jetë në paqe, i rrethuar nga të dashurit e tij, pas betejës së guximshme me sëmundjen.
3 Doors Down u formua në Misisipi në vitin 1995 dhe arriti sukses të menjëhershëm me hitin Kryptonite, për të cilin mori nominim për Grammy katër vite më vonë, shkruan The Guardian.

Arnold e shkroi këngën kur ishte vetëm 15 vjeç, ndërsa albumi i tyre debutues, The Better Life, shiti më shumë se 6 milionë kopje. Një nominim tjetër për Grammy erdhi në vitin 2003 për këngën When I’m Gone.
Grupi publikoi gjashtë albume, përfshirë Us and the Night në vitin 2016, dhe këngët e tyre si Loser, Duck and Run dhe Be Like That u përfshinë edhe në kolonën zanore të filmit American Pie 2.
Arnold dhe kolegët e tij u dalluan për mënyrën se si ripërcaktuan muzikën rock, duke kombinuar stilin post-grunge me tekste emocionale që rezononin me publikun.
Në maj të vitit të kaluar, Arnold njoftoi se kanceri i tij kishte metastazuar në mushkëri, duke detyruar grupin të anulonte një turne veror.
Në një deklaratë, 3 Doors Down tha: “Muzika e tij jehoi përtej skenës, duke krijuar momente lidhjeje, gëzimi dhe besimi që do të jetojnë shumë pas performancave të tij”. /Telegrafi/
