Fituesit e konkursit për dramën shqipe “Katarina Josipi” për këtë vit do të ndahen më 9 nëntor të këtij viti, në ditëlindjen e “Katarina Josipit”. Janë 44 tekste të autorëve të ndryshëm që deri më tani janë dërguar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Së shpejti, ministri i Kulturës së Kosovës do të nënshkruajë rregulloren për ndarjen e çmimeve, gjë që do ti hapë rrugën për themelimin e jurisë, e cila do të vlerësojë tekstet konkurruese.
Drejtori Artistik i TKK-së, Emin Emini, në një prononcim për mediat e Kosovës ka thënë se çmimet do të ndahen më 9 nëntor, në ditëlindjen e Katarinës. “Këtë vit në garë për tri çmimet e para të këtij konkursi janë 44 tekste dramatike, të cilat do të vlerësohen nga një juri prej 5 vetash që po punojnë për ti verifikuar tekstet që garojnë, nëse janë apo jo pajtim me kriteret e konkursit”, ka thënë Emini, raporton Koha. Konkursi i dramës shqipe “Katarina Josipi” është i hapur për të gjithë krijuesit shqiptarë që shkruajnë dramë.
Disa nga rregullat bazë të këtij konkursi janë: dramat në këtë konkurs duhet të jenë jo më të shkurtra se 50 minuta; do të merren në shqyrtim dramat e të gjitha zhanreve; dramat e papërfunduara apo sinopsiset nuk do të merren fare në shqyrtim; dramat duhet të jenë origjinale, të shkruara mbas vitit 2000, të mos jenë vënë në skenë ndonjëherë të mos jenë botuar. Dramat dorëzohen në tri kopje.
Faqja e parë duhet të përmbajë: emrin dhe mbiemrin e autorit, adresën e autorit dhe mënyrën e kontaktimit me të, të dhëna për dramën: kur është shkruar, një sinopsis dhe mbishkrimin “Konkursi për Dramë Kombëtare “Katarina Josipi 2013”. Duhet të dërgohen në adresë të Teatrit Kombëtar të Kosovës (Teatri Kombëtar i Kosovës, Sheshi Nëna Terezë, nr.21, 10000 – Prishtinë, Kosovë). Tri dramat më të mira vlerësohen me tri çmime.
Drama që fiton vendin e parë, konsiderohet si dramë potenciale për t’u inskenuar në njërin nga sezonet e ardhshëm në TKK. Tri dramat fituese botohen në një edicion special. Konkursi i dramës kombëtare që organizon Teatri Kombëtar i Kosovës mban emrin e një aktoreje të shquar, Katarina Josipi (1923- 1969).
Është një nga themelueset e dramës dhe teatrit shqip në Kosovë, përkrah Antoneta Karahasanit, Matej Serreqit, Shemsi Zherkës, Shaban Gashit e shumë amatorëve të tjerë. Në vitin 1948, ajo bëhet pjesë e Teatrit të Prishtinës, femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës. Në këtë skenë ajo aktroi për 21 vjet, personazhe nga repertori kombëtar dhe botëror i teatrit.