12 C
Prizren
E shtunë, 19 Prill, 2025

Oriela Nebiaj: Jam duke lexuar Hayek-un

Oriela NebiajÇfarë lexon një zëdhënëse politike përveç deklaratave për shtyp të partisë së vet? Cinikët do të thoshin jo shumë ose shumë pak. Oriela Nebiaj, zëdhënëse e Partisë Demokratike ka këto për të thënë…

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…
Nuk jam plotësisht e sigurt, pasi në bibliotekën tonë libra të vjetër ka mjaft. Besoj se vlen botimi i vitit 1956, ‘Don Kishoti i Mançës’ shqipëruar nga Fan S. Noli. Madje ka dhe një dedikim të Nolit në faqen e parë: ‘Shokëve të kryqëzatës kombëtare Athanas Tashko dhe Joan Vruho që më shtynë dhe më ndihnë të vete në Amerikë’ -për kujtim shqipëronjësi.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Kryesisht nga autori, por dhe nga zhanri, në varësi të asaj çfarë unë dua apo më duhet të lexoj.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Në bibliotekën e familjes kam fatin të kem shumë libra, të cilët janë trashëguar me fanatizëm nga mamaja ime dhe babai. Është pasuruar dita-ditës, por janë të shumtë librat që ende nuk kam mundur t’i lexoj.

-Libri i parë që keni lexuar…
Leximi 🙂 pasi mësova të lexoja. Librin e parë që kam lexuar, duhet të kem qenë rreth 11-12 vjeç, e ruaj ende me fanatizëm. Është një nga botimet e para të ‘Përralla të moçme shqiptare’ të Mitrush Kutelit, botim i vitit 1987. U mrekullova atëherë me Mujin, zanat, Gjergj Elez Alinë apo Konstandinin e Doruntinën.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Në fakt, për nga koha kur unë jam rritur, nuk më është dashur të kursej për librat, pasi ishte mundësia të kisha librat që kërkoja. Duke shtuar dhe një bibliotekë të pasur në shtëpi.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnaziste apo studente?

Gjithnjë me motrat e mia, nga të cilat nuk dorëhiqesha të merrja dhe një përmbledhje të shkurtër të brendisë për të shuar paksa kuriozitetin. Shoqet e klasës në gjimnaz apo universitet kanë luajtur gjithashtu rolin e tyre në shkëmbimet e librave por dhe të bisedave më pas.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Jo, nuk kam patur një të tillë. Mbaj mend se nuk kanë qenë të pakta rastet kur e kemi biseduar Bibliotekën Kombëtare dhe anëtarësimin, por s’e di pse kurrë nuk e morëm. Ndoshta lehtësia e të paturit librat që doje apo dhe epoka e internetit ka luajtur rolin e saj.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Shkonim shpesh në bibliotekë. Më të shpeshta ditët përpara provimeve, të jem e sinqertë. Kishim mundësinë e kafeneve biblioteka si ‘Friends Book House’, të cilat ishin pak si klube leximi.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
U kam marrë shpesh libra mikeshave të mia e vijoj ta kem këtë zakon. Por kurrë nuk kam mbajtur librin e dikujt tjetër për të mos e kthyer më.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Ka patur raste në të cilat mua nuk më është kthyer një libër i dhënë. Por asnjëherë nuk kanë qenë të pazëvendësueshëm. Kështu që jam kujdesur t’i riblej.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhni vetë?
E vlerësoj shumë. E madje është diçka që më kuriozon pa masë. Ndjej disi vështirësi kur jam unë ajo që do të dhuroj një libër. Mendoj se shpreh shumë, autori apo dhe titulli që ti zgjedh. Njësoj si kur mua më dhurojnë libra, luaj me kuptimin e përzgjedhjes dhe sa afër meje është dhuruesi.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
S’kam zakone të cilat të kushtëzojnë kënaqësinë e të lexuarit një libër të mirë. Kudo është perfekte. Shtëpi, zyrë, bare, lulishte, teksa drekoj apo kudo të jem. Sa herë udhëtoj kam gjithnjë një libër me vete, këtë po mund ta quaj një zakon të mirë.

-A lexoni në banjë?
Nuk e kam provuar, ama thonë se ndodhin çudira nga mendimi në banjë, pse jo dhe nga leximi :).

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Në italisht dhe anglisht. Në varësi të zhanrit kam dhe fjalorin përkatës me vete gjithnjë.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?
‘Fillimet’ nga Preç Zogaj. Është një nga librat që do të më mbetet në memorie gjatë besoj.

-Mbani shënime kur lexoni?
Në varësi të librit që kam zgjedhur. S’mund të lexosh autor si Hayek e të mos mbash shënime. Të paktën kjo vlen për mua. Ama ndodh shpesh të nënvizoj me laps momente apo citime të cilave mund t’i kthehem më pas.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?
E dua poezinë, por më shumë është proza ajo që më ka tërhequr. Autorëve që më pëlqejnë, kryesisht u qëndroj besnike, ama ka dhe përzgjedhje.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Të gjithë klasikët do të thosha. Etërit e liberalizmit gjithashtu nuk do t’i lija pa shenjuar, pasi dhe jam zhytur momentalisht në botimet e Hayek.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Për mua, çdo libër i cili më përfshin në të plotësisht, aq sa të ndihem si në dy botë paralele, është Libri Total. Ama s’mund të them se ka një të tillë specifik.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
Do më duhet të mendohem pak. Patjetër Poezitë e Pushkinit dhe Migjenit, Platonin dhe Kamynë, Amerikën, ndoshta.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
“Librat shërbejnë t’i tregojnë njeriut se këto mendime origjinale të tijat nuk janë assesi aq të reja” e Abraham Lincoln, ose ajo e Sami Frashërit kur thotë se, gruaja në njërën dorë duhet të mbajë gjilpërën e në tjetrën një libër.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Por ku m’u zhdukët, çaste të gëzimit,
Te shpresave, të kohës krahë-ere?
Ku janë lotët, zjarr’ i frymëzimit?…
M’u kthe, m’u kthe sërishmi, o pranverë! – Pushkin.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Oh! Personazhet e Cvajgut. Ato i dua dhe i kam dashur në çdo rresht. Po s’mundem të lë pas Ravikun dhe Harkun e Triumfit.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekë?
Në fakt kam një autograf të çmuar, ama jo në libër. Në librezën time të notave në universitet, nga Margerita Xhepa 🙂 Nuk e di sa pranohet kjo përgjigje, por është i vetmi që më thërret në kujtesë. Ndërsa në libër, mamaja ime ka mundur të firmosë ‘Kronikë në Gur’ të Ismail Kadaresë.

Më Shumë

Çeku: Këto ditë pritet të shpallet rezultati i procedurës së prokurimit për ndërtimin e katër stadiumeve

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Hajrulla Çeku bëri të ditur se këto ditë do të shpallet rezultati i procedurës së...

Ramabaja: Të hënën bëhet publik koalicioni formal VV – NISMA

Anëtari i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, duke folur për median “MCN TV” në Shqipëri, tha se “më së largu të hënën” bëhet publik koalicioni formal...

Lajmet e Fundit