Të premten vazhdoi gjykimi ndaj ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, i cili po akuzohet nën dyshimin për kryerje të veprës penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Sikurse në shqyrtimin paraprak, Hasani deklaroi para trupit gjykues se ndjehet plotësisht i pafajshëm.
Prokurorja e rastit, në fjalën fillestare paraqiti në formë të shkurtër provat dhe propozoi që në shqyrtimin kryesor të vërtetohen ato.
“Prandaj ngelë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të provohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarit”, tha prokurorja Hoxha.
Ndërsa Nait Hasani, tha se e ka deklaruar pagën vjetore për të cilën paguan edhe tatime ngase e merr nga Kuvendi i Kosovës dhe në këtë drejtim ai tha se nuk ka mundur të ketë kurrfarë lloj keqpërdorimi.
“Nuk ka pasur shkelje, nuk ka pasur keqpërdorim dhe nuk ka pasur vjedhje, ngase nuk ka mundësi të vidhet ose të keqpërdoret, ngase (paga) lëshohet nga Kuvendi që del drejtpërdrejtë në bankë’’, tha Hasani.
Ai tha se Agjencia Kundër Korrupsionit, në vitin 2012, i ka bërë një shkresë për plotësim të formularit të cilin tha se e kishte plotësuar, ndërsa u shpreh i habitur se për çfarë arsye një gjë të tillë nuk e kanë bërë edhe në vitin 2013.
Dëshmitarja nga Agjencioni Kundër Korrupsion, Lumnije Aliu, tha se në vitin 2012 është kërkuar plotësim ngase ka pasur gabime material- teknike, ndërsa në vitin për të cilin akuzohet Nait Hasani, ai nuk ka pasur gabime materiale.
Dëshmitarja tha se Hasani e ka deklaruar pagën vjetore, mirëpo nuk e ka paraqitur pagën e saktë.
“Ai ka deklaruar të hyrat prej 21 mijë e 200 euro, ndërsa në raportin e siguruar nga Kuvendi i Kosovës, shuma vjetore është 26 mijë e 485.04 cent, ku diferenca në mes të këtyre të hyrave është 5 mijë e 285.04 cent”.
Dëshmitarja, Lumnije Aliu, që është zyrtare e lartë për hetime pranë Agjencionit Kundër Korrupsion, tha se Agjencioni, në vitin për të cilin po akuzohet Nait Hasani, ka paraqitur rreth 80 kallëzime penale, duke përfshirë Kuvendin, gjykatat e prokuroritë.
Me këtë rast, i akuzuari Nait Hasani, e prezantoi një listë para gjykatës, të cilën tha se e ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës dhe në të cilën sipas tij, janë rreth 80 deputetë që kanë gabime të njëjta në deklarim jo të saktë të pagave, e të cilëve nuk u janë ngritur kallëzimet penale.
Hasani, emrat e deputetëve nuk i përmendi publikisht, mirëpo atë listë e dorëzoi te gjykatësi i rastit, duke shprehur habinë se për cfarë arsye është ngritur kallëzimi penal ndaj tij e jo edhe ndaj të tjerëve.
“Si është e mundur të flitni për 80 raste, kur unë i kam vetëm në Kuvendin e Kosovës 80 raste (me deklarime) të pasakta”, pyeti Nait Hasani.
Dëshmitarja Aliu tha se Agjencia nuk ka shkuar me standarde të dyfishta.
“Aty kur e kemi parë që ka mospërputhje, ose nuk është deklaruar saktë pasuria, pavarësisht a ka qenë ministër, deputet, prokuror apo gjykatës, pa përjashtim ka ushtru kallëzim penal”, tha ajo.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitares nga AKK, meqë dëshmitarë tjerë nuk pati, i akuzuari Nait Hasani, kërkoi që seanca gjyqësore të ndërpritet ngase kishte angazhime në Prishtinë.
Seanca gjyqësore e radhës do të mbahet më 13 janar ku edhe do të përfundohet me procedurën e provave dhe do të jepet edhe fjala përfundimtare e palëve.
Sipas aktakuzës së ngritur në bazë të kallëzimit penal nga Agjencia Kundër Korrupsion, thuhet se Hasani nuk i ka paraqitur saktë të hyrat vjetore të kërkuara në deklaratë nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012.
“Ekziston mospërputhje në mes të hyrave vjetore të deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë, si dhe raportit nga të hyrat vjetore të siguruara nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzë dallimi mes të hyrave që deklaroi Hasani dhe atyre që u bënë të ditura nga Kuvendi, është 5 mijë e 285 euro e 4 centë.
“Është gjetur mospërputhje në mes të hyrave prej 21 mijë e 200 euro, të cilat i ka deklaruar Hasani në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2012, si dhe raportit nga të hyrat vjetore që janë 26 mijë e 485,04 euro, të cilat janë siguruar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në aktakuzë./Kallxo.com/