3.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Ambasadori i Kosovës në Gjermani: Të gjithë azilkërkuesit do të kthehen

Skender XhakaliuGjermania nuk pranon azilantë nga Kosova dhe ata të gjithë do të kthehen. Kosova njihet si shtet i sigurt dhe natyrisht këto emigrime janë me bazë ekonomike. Kështu thotë në intervistë për Radio Kosovën ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu.

Ai thekson se rritja e numrit të azilkërkuesve në Gjermani dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, dëmton procesin e heqjes së vizave për Kosovën.

Radio Kosova: Zoti ambasador, siç jeni në dijeni, në Kosovë është shfaqur dukuria e emigrimit përmes Serbisë drejt Hungarisë, më tej në vendet e BE-së, mes tyre dhe drejt Gjermanisë. Në kontaktet që keni me autoritet gjermane, cili është qëndrimi i tyre për azilkërkuesit nga Kosova?

Xhakaliu: Ambasada e Kosovës në Berlin dhe shërbimet konsullore, janë shumë të shqetësuara më numrin në rritje të azilkërkuesve apo emigrantëve, të cilët janë duke ardhur në Gjermani. Ne ende nuk kemi numër të saktë, edhe pse kemi kërkuar nga institucionet gjermane të na japin këtë shifër. Qëndrimi i institucioneve gjermane, ashtu siç është thënë edhe ditëve të fundit nga vet Ambasadorja gjermane Viets në Prishtinë, është se, Gjermani nuk pranon azilantë nga Kosova dhe ata të gjithë do të kthehen. Kosova njihet si shtet i sigurt dhe natyrisht këto emigrime janë me bazë ekonomike. Prandaj emigrimet ekonomike në shtetin gjerman nuk njihen, pra atyre kërkesa për azil nuk do tu njihet dhe pas shqyrtimit të kërkesës, ata do të kthehen mbrapa në Kosovë.

Radio Kosova: Këto ditë disa media kanë shkruar se ju keni kontaktuar me disa agjenci turistike në Berlin për çështjen e kthimit masiv të azilkërkuesve kosovarë nga Gjermania. A jeni te përfshirë në këtë problematikë?

Xhakaliu: Spekulime të tilla natyrisht që e dëmtojnë imazhin e institucionit të Republikës së Kosovë, por edhe imazhin e Ambasadës, sepse Ambasadat edhe në bazë të ligjeve tona edhe ligjeve gjermane në fuqi, edhe në bazë të Konventës së Vjenës, nuk ka të drejtë të përzihet në çështjen e azil-kërkimit në shtetin ku vepron dhe punon siç është rasti ynë në Gjermani. Është çështje e cila është e rregulluar me Konventën e Vjenës dhe me ligjet aktuale të Gjermanisë. Prandaj, nuk është e drejtë e Ambasadës të përzihet.

Trillimet e tilla natyrisht që nuk janë të vërteta, sepse Ambasada nuk ka të drejtë dhe asnjëherë nuk ka kontaktua asnjë avio-kompani, siç është thënë, për kthimin masiv të emigrantëve, apo azil-kërkuesve, sepse nuk e kemi asnjë të drejtë të tillë. Prandaj, është shumë e dëmshme që në kohën kur kemi një situatë si kjo e migrimit, të bëhen spekulime të tilla. Në Gjermani kemi një numër të madh të bashkatdhetarëve dhe ata janë shqetësuar në lidhje me këtë spekulim medial që ka ndodhur. Me plotë përgjegjësi them, ashtu siç është thënë në reagimin nga Ministria e Punëve të Jashtme, që Ambasada në Berlin, nuk është e përfshirë apo nuk ka lidhur kurrfarë kontratë, apo nuk ka kërkuar nga asnjë avio-kompani, lidhjen e ndonjë kontrate për kthimin masiv të emigrantëve, sepse kjo çështje është çështje e brendshme e shtetit gjerman.

Radio Kosova: Kosova ka të nënshkruar me Gjermaninë një marrëveshje për riatdhesim. Çare obligime ka Republika e Kosovës me këtë marrëveshje.

Xhakaliu: Marrëveshja e nënshkruar ka të bëjë më tepër me riatdhesimin e bashkatdhetarëve të cilët janë në Gjermani që nga vitet e 90 –ta, apo nga koha e luftë 98 – 99 dhe nuk kanë qenë ende të pajisur me dokumentacion nga shteti gjerman. Siç e dini, që nga ajo kohë, shumë bashkatdhetarë nuk e kanë pasur të rregulluar statusin e tyre të qëndrimit. Çështja tani, e azil-kërkimit në shtetin gjerman, është temë tjetër.

Kërkesat për azil shqyrtohet në afatin tremujor dhe në bazë të verifikimit të personave, veç e veç, atëherë, shteti vendos nëse do të refuzohet apo pranohet kërkesa, kur bëhet fjalë për kërkimin e azilit politik. Aktualisht nga autoritet gjermane nuk është kërkuar prej nesh që të zbatohet kjo marrëveshje, sepse rastet janë të freskëta. Krejt çka është për momentin kërkesë dhe deklaratë e Ministrisë së Brendshme e Gjermanisë, është që Gjermania nuk pranon azilkërkues për çështje ekonomike. Jo vetëm Gjermania, por edhe shtetet tjera të BE-së, këtë e kanë thënë dhe potencuar disa herë.

Në kontakt me Ministrinë e Punëve të Brendshme këtu në Gjermani na është thënë se kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave. Ne jemi në një fazë tani, kur jemi afër arritjes së Marrëveshjes për Stabilizim-asocim, pra jemi në një fazë kur çështja e liberalizimit të vizave është diskutuar dhe është trajtuar edhe me shtetet e BE-së.

Ky kujdes është kërkuar nga institucionet gjermane edhe gjatë vitin 2014, pra që numri i azilkërkuesve të mos rritet, sepse mund ta dëmtojë procesin e vizave. Prandaj është shqetësues dhe mbetet shqetësues ky numër në rritje i kërkesave për azil jo vetëm në Gjermani por edhe në shtet tjera të Bashkimit Evropian. /rtk/

Më Shumë

Edhe Malisheva nis fushatën “16 ditë aktivizëm kundër dhunës dhe diskriminimit gjinor”

Sot, nën udhëheqjen e Koordinatorës për Barazi Gjinore, Vera Bytyçi, dhe drejtuesve institucionalë e shoqërorë, nisi fushata “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës dhe Diskriminimit...

Çadraku në Hagë: Kurrë nuk kam marrë urdhra nga Kadri Veseli

Halil Çadraku, në dëshminë e tij të martën në Hagë, tha se gjatë gjithë veprimtarisë në sektorin e Zbulim – Kundërzbulimit (ZKZ), kurrë s’ka...

Lajmet e Fundit