-0.3 C
Prizren
E diel, 29 Dhjetor, 2024

Drrasa: Tuma 2400-vjeçare e Velaresë nuk është monument

drrasaBabëzia e ka bërë popullin shqiptar të dhunojë varret! Të dielën në mbrëmje ose mbase në të gdhirë të së hënës, persona ende të panjohur kanë dhunuar dhe shkatërruar pothuaj tërësisht, tumën antike të Velaresë. Varret 2500-vjeçare kanë rënë pre e keqbërësve që kërkojnë “thesare” a metale, duke humbur kështu mundësinë për tu bërë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Spartak Drrasa, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Gjirokastrës, rreth që përfshin edhe luginën e Drinos ku gjendej kjo tumë, ka deklaruar dje për “GSH” se ato nuk ishin monument kulture.

“Pavarësisht vlerave që mund të kenë, për shkak të shekujve të jetëgjatësisë, kjo tumë nuk është shpallur monument. Ne nuk e kemi në inventarin tonë të pasurisë”, thotë Drrasa, i cili ka qenë edhe personi që iu është drejtuar uniformave blu për të bërë denoncimin për ngjarjen. “Duhet thënë, -shton ai, – se shumë pasuri kulturore nuk janë shpallur monument, hap që ndërmerret pas një sërë studimesh serioze”. Sipas tij, kishte shumë gjasa që kjo tumë të vihej në mbrojtje nga shteti, mirëpo pas dëmtimit fatal të së dielës, shanset janë zhdukur. “Unë bëra denoncimet në Policinë e Shtetit, duke e cilësuar si një objekt që do iu shërbente studiuesve dhe arkeologëve. Por, monument nuk është shpallur edhe sepse nuk është studiuar sa duhet. Nga studimet e pakta që kanë bërë arkeologët nuk kanë hasur në objekte që ti tërhiqnin për gërmime më të thella”, -sqaron Drrasa.

Ai thotë se keqbërësit mendohet të kenë përdorur mjete të rënda për të gërmuar në to. Sipas tij, ata kanë hequr kapakët e varreve, të cilët duke qenë tepër të rëndë, të bëjnë të mendosh se kanë qenë disa persona të pranishëm. “Për fat të keq, nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla. Keqbërësit kontrollojnë për gjëra me vlerë. Ata kanë lëvizur pllakat e tre varreve dhe pas kësaj duket se kanë kërkuar në brendësi për materiale me vlerë. Nuk kemi dijeni nëse kanë gjetur apo jo objekte”, shpjegon drejtori i kulturës. Nga këqyrja e vendngjarjes, nuk rezulton të ketë gjurmë rrotash makine, për të përcaktuar mjetin e përdorur, megjithëse sipas Drrasës, për shkak të kohës së thatë, nuk mbeten gjurmë të dallueshme në zonën përreth. Në Shqipëri, nuk vidhen vetëm ikona e ikonostase, kisha, muze a galeri, pasi babëzia dhe mungesa e kontrollit, e mungesa e frikës nga ligji a nga shteti, i ka bërë njerëzit të dhunojnë edhe varret qofshin ato edhe antike.

Kur u zbuluan varret
Katër varret antike u zbuluan pesë vjet më parë nga një ekspeditë arkeologësh në qendër të luginës së Drinosit, në fshatin Valare. Sipas arkeologëve, ato i përkisnin periudhës historike të shekullit IV- III para Krishtit dhe ndodhen në fund të një parcele ndanë bregut të majtë të rrjedhës së lumit Nimica, një prej degëzimeve që pasi zbret nga shpatet e malit të Lunxhërisë, ushqen me derdhjet e tij lumin Drino. Zbulimi i grupit të varreve antike është bërë gjatë inkursioneve të një ekspedite informative të organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Antigonesë për të fotografuar dhe dokumentuar kështjellat, sitet dhe objekte të tjera arkeologjike që gjenden në Luginën e Drinos. Më 2008-n, prof.dr.Dhimitër Çondi, arkeolog i njohur, u shpreh në media se “fillimisht varret janë zbuluar në fillim të viteve ’80 gjatë punimeve të mjeteve bujqësore për sistemimin e parcelave përreth ish-kompleksit të mbarështimit të gjedhit, por prej asaj kohe askush nuk ka treguar interes për gërmimin dhe studimin arkeologjik të këtij objekti të rrallë të lashtësisë”. Ai pati shtuar se objekti monumental në luginën e Drinos ( që shtrihet në një zonë rreth 30 metra), që si rezultat i ndërhyrjes brutale dhe shkatërrimit me buldozerë rreth 30 vjet më parë, tani i kanë mbetur vetëm 4 varre, dy prej tyre të plotë dhe dy të dëmtuar pjesërisht.

“Kemi të bëjmë me 4 varre të rregullta të ndërtuara me pllaka monolite prej guri nga shtufi i zonës përreth, që janë pjesë e një varreze më të madhe në formë rrethore, e cila i përket periudhës historike antike, të cilët për çudi, as janë identifikuar nga strukturat e ruajtjes së monumenteve dhe as janë gërmuar deri tani nga ekspertët e arkeologjisë”, është shprehur arkeologu, Dhimitër Çondi.
Varret kishin një formë paralelepipedi të rregullt, ku çdo faqe e varrit formohet nga një gur i vetëm shtufi me dimensione që shkojnë nga 1,8 deri në 2,3 metra të gjatë dhe nga 0,7 deri në 1 metër të gjerë, ndërkohë që trashësia e gurëve varion nga 18 deri në 23 centimetra. Katër varret e zbuluara së fundi, të mbetur nga një varrezë e plotë, janë të vendosur në formë të harkuar gjysmërrethore me shtrirje nga lindja në perëndim, në një gjatësi rreth 18 metra. Varre të ngjashme monumentale janë ndeshur edhe në disa pika të tjera të luginës së Drinos, si në Antigone, Jergucat, Sofratikë dhe Melan. “Vlerësimi i këtyre varreve antike monumentale të Valaresë, paraqet interes të veçantë edhe për t’u kthyer në një pikë të vizitueshme, pasi këtë gjë e favorizon së tepërmi, prania e siteve dhe objekteve të tjera arkeologjike dhe historike në luginën e Drinos. Vendndodhja e tyre rreth 800 metra larg zyrave të Komunës së Lunxhërisë dhe sidomos fakti që varret ndodhen rreth 200 metra larg “Hanit të Xharave”, ku Ali Pashë Tepelena, masakroi burrat e Kardhiqit në fillim të shekullit të 19-të, e bëjnë pozicionin e këtij monumenti mjaft të përshtatshëm për t’u vizituar”, është shprehur në mars të 2008-s Ëngjëllush Serjani, drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Antigonesë./bw/

Më Shumë

Bora rrëzon shtyllën e energjisë elektrike në Prizren

Reshjet e dendura të borës në Prizren kanë shkaktuar dëme, ku një shtyllë e energjisë elektrike është rrëzuar në lagjen Ortakoll. Shtylla u shemb si...

“Si e gjetëm dhe si është sot” – Ministri Çeku për përmirësimet në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar punimet e realizuara në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, duke theksuar rëndësinë...

Lajmet e Fundit