Liam Hoare – Votim Demiri më drejtonte nëpër labirintin e rrugëve të ngushta e ndërtesave me kulme të pjerrëta të kuqe, deri tek shtëpia e tij në qytetin me 178 mijë banorë, në një kthesë në lumin Bistrica të Prizrenit. Në zyrën e tij, Demiri, kryetari i bashkësisë hebraike në Kosovë, me krenari tregon fotografitë e takimit të familjes së tij me liderë të ndryshëm, përfshirë edhe presidentin izraelit, Shimon Peres. Ai bëri me gisht tek kalendari që ia dha Komiteti i Përbashkët i Shpërndarjes Amerikano-Hebraike (JDC). JDC ka bërë punë të madhe në këtë ish-provincë të shkëputur të Serbisë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Shtëpia Demirit – “Shtëpia hebraike”, siç i referohet ai – formon një pikë të trekëndëshit në lagjen e tij me dy vende të shenjta islame. Më vonë, ai më dërgoi në qendrën historike të Prizrenit, të vendosur rreth një ure guri të vjetër që shtrihet te Bistrica e Prizrenit. Ai theksoi se xhamia e Sinan Pashës gjendet afër kishës ortodokse serbe dhe shkollës katolike.
“Ky është Jerusalemi jonë”, tha ai.
Prizreni është si Jerusalemi, më shumë se ç’mund të mendojë dikush – për të mirë e për të keq. Siç krenohet Demiri, qyteti në 40 milje në jug të kryeqytetit të Prishtinës, ka shumësi etnish, përfshirë shqiptarët e besimeve të ndryshme, islame dhe katolike, dhe një total prej 56 hebrenjve.
“Shqiptar sunitë, suni sufitë, katolikët dhe hebrenjtë gëzojnë një ndjenjë të ngrohtë të identitetit të përbashkët komunal në Prizren”, thotë Stephen Suleyman Schwartz, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington.
Megjithatë, qyteti nuk është i huaj për urrejtjet etnike që kanë shkatërruar Ballkanin për dy dekada, që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe pse ishte kursyer nga më e keqja e ekseseve të luftës në Kosovë, forcat serbe kanë spastruar në mënyrë sistematike disa zona shqiptare të qytetit. Shqiptarët përzunë shumicën e komunitetit të vogël serb pas fitores në vitin 1999, dhe detyruan pothuaj tërë të tjerët të largohen pas trazirave të vitit 2004
“Ndonëse qyteti është i bukur, i animuar dhe mikpritës”, thotë Schwartz, “shqiptarët dhe serbët nuk kalojnë mirë këtu”.
“Brenda kësaj përzierjeje të parehatshme, jetojnë pothuajse të gjithë hebrenjtë e Kosovës. Komuniteti i vogël nuk ka pasur prezencë të rëndësishme në jetën publike për një kohë të gjatë”, shpjegon Noel Malcolm, ligjërues në All Souls College, Oxford. Komuniteti është tkurrur dukshëm, madje edhe nga 360 sa kanë mbijetuar Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin.
Dhe, prapë në Prizren dhe në Kosovë si tërësi, ekzistenca e komunitetit është e vlefshme, sepse shërben si një shembull i fuqishëm në Evropë dhe në botë se si një pakicë hebraike mund të mbijetojë në mesin e myslimanëve.
“Ata gëzojnë historinë e vërtetë të bashkëjetesës pozitive dhe të pranimit të ndërsjellë në atë që është një shoqëri mbizotëruese myslimane”, thotë Malcolm.
Kjo bashkëjetesë u shqua në tmerrin e Shoah. Në prill të vitit 1941 Kosova ishte aneksuar nga Shqipëria e kontrolluar nga italianët. Deri në shtator 1943, të dy territoret ishin nën pushtimin gjerman. Gjatë gjithë kësaj periudhe, në tentimet për të dorëzuar në masë hebrenjtë tek autoritetet naziste, shqiptarët refuzuan të bashkëpunojnë, duke fshehur hebrenjtë në shtëpitë e tyre, duke u siguruar atyre ushqim dhe veshmbathje, si dhe duke u dhënë atyre emra myslimanë dhe dokumentacione të rreme. Në Kosovë, 258 hebrenj u dëbuan në Bergen-Belsen, 92 nga të cilët u vranë. Por, më shumë se 2,000 hebrenj u shpëtuan në gjithë Shqipërinë dhe Kosovën.
Për të kuptuar heroizmin e shqiptarëve duhet njohur faktin se ata ishin të udhëhequr pjesërisht nga besa, një kod i lashtë dhe popullor i nderit që përcakton se ata duhet të sigurojnë mbrojtje për çdo person që vë këmbë në pronën e dikujt, madje edhe deri në masën e rrezikimit të jetës.
Schwartz shton se kjo gjithashtu reflekton “mungesën e paragjykimeve anti-hebraike në shoqërinë shqiptare” që ndërlidhet edhe me “kujtesën kulturore” të pozicionit tolerant të hebrenjve në shoqërinë otomane dhe për faktin se hebrenjtë kanë luajtur rol të rëndësishëm historik në lëvizjen kombëtare shqiptare.
Pavarësisht nga kjo histori, pozicioni hebrenjve sot në Kosovë është jashtëzakonisht i brishtë. Në një komb axhami me një normë papunësie prej të paktën 45 për qind, të varur nga ndihma e huaj dhe remitencat nga diaspora, hebrenjtë e Kosovës nuk janë të mbrojtur nga efektet e varfërisë dhe të papunësisë. Ndihma e JDC-së mbetet kritike edhe në nivelin më bazik. Çdo dimër, për shembull, çdo anëtar i komunitetit merr 150 dollarë nga JDC për karburant apo dru zjarri.
Në këto kushte ekonomike dhe me një numër të tillë, jeta e hebrenjve nuk mund të lulëzojë.
Demiri shpjegoi se dy familje hebraike u larguan në vitin 2001, për t’u vendosur në Izrael. Ata që mbeten janë kryesisht shumë të varfër për të kontribuar financiarisht, në formën e anëtarësisë, për komunitetin hebre. Disa mbijetojnë nga ndihma e donacioneve nga organizatat joqeveritare, si JDC apo shoqatat tjera bamirëse.
Komuniteti hebre i Prizrenit po ashtu nuk ka një hapësirë të përbashkët, apo sinagogë. Në kryeqytetin e Prishtinës, ish komuniteti hebre kishte mbajtur dy sinagoga dhe një jeshiva deri në Holokaust. Por, komuniteti atje u tret drejtë asgjëje pas lufte, dhe sinagoga e fundit u shemb më 1963. Në vendin e sinagogës së vjetër, në qendër të qytetit, qëndrojnë tani ndërtesat qeveritare, si dhe memoriali i sapo përuruar i Kosovës për Holokaustin.
Dëmshpërblimi për këtë pronë mund ta realizojë vizionin e Demirit për qendrën e komunitetit hebraik në Prizren, me një sinagogë të vogël të inkorporuar brenda. Por, ndonëse shumë ish republika jugosllave kanë miratuar ligje mbi kthimin, Kosova ende nuk e ka plotësisht të zgjidhur këtë çështje. Situata është e komplikuar nga fakti se kodi ligjor i Kosovës është një grumbull i ligjeve të vjetra jugosllave dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara, të miratuara gjatë kohës kur ky trup botëror shërbente de fakto si qeveri, dhe legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Valët e vjedhjes së pronës nga ana e monarkisë jugosllave para Luftës së Dytë Botërore, nga qeveria komuniste gjatë periudhës së pasluftës, dhe regjimi serb i Slobodan Milosevicit, e ka ngatërruar edhe më shumë këtë aspekt.
Lufta për të mbështetur jetën hebraike nuk ka ndalur përpjekjet e hebrenjve të Kosovës dhe bamirësive hebraike për të vazhduar frymën e bashkëpunimit ndërkomunitar. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2006, JDC ishte aktive në Kosovë në projekte josektare nga e cila ka përfituar popullata lokale shqiptare. Ndoshta më e rëndësishmja nga këto, së paku simbolikisht, ishte rindërtimi i xhamisë në Shqiponjë, një fshat kodrinor në perëndim të Kosovës.
Gjatë kasaphanës së Milosevicit kundër popullatës së Kosovës, xhamia në Shqiponjë ishte një prej 200 apo më shumë vendeve të tilla të kultit, të dëmtuara, të përdhosura ose të shkatërruara nga forcat serbe. Duke punuar së bashku me komunitetet islamike dhe katolike të Kosovës, JDC ndihmoi në financimin e restaurimit të një strukture që s’ishte gjë tjetër pos skelet, përfshirë rindërtimin e kupolës së praruar dhe minares.
Fondet e JDC-së për hebrenjtë e Prizrenit dhe komunitetet tjera hebraike në rajon “mbushin bateritë”, thotë Demiri. Kohë pas kohe, JDC kujdeset që fëmijët të kenë mundësi të marrin pjesë në kampet verore hebraike të organizuara për të rinjtë në ish Jugosllavi, në Pirovac të Kroacisë.
Pavarësisht nga sfidat, bashkësia hebraike ia del të shënojë aq sa mundet çdo sabat dhe çdo ditë tjetër të shenjtë. Anëtarët organizojnë takime në shtëpitë e njëri-tjetrit, shpesh në atë që Demiri e quan “shtëpia hebraike”, shumë pranë xhamive në rrugët e ngushta të qytetit të vjetër.
Për të tashmen dhe të ardhmen e parashikueshme, Demiri thotë: “Unë jam president, rabin dhe kantor”.