4.8 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Trashëgimia kulturore e Kosovës prezantohet në Belgjikë

Belgjike-LeuvenKështjella Arenberg e shekullit XVI, në qytetin historik të Leuven, që është pak kilometra larg Brukselit, do të bëhet mikpritëse e rreth njëzet shteteve nga e gjithë bota për të prezantuar trashëgiminë kulturore të vendeve prej nga vijnë, në mesin e të cilëve pjesëmarrëse është edhe Kosova.

Konferenca Ndërkombëtare mbi ndikimin ekonomik, shoqëror, mjedisor dhe kulturor të trashëgimisë – “Trashëgimia vlen”, në Belgjikë bën bashkë politikëbërësit evropianë dhe studiuesit ndërkombëtarë të përfshirë në trashëgimi kulturore.

Enes Toska, menaxher i Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në zyrën e Cultural Heritage without Borders (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) në Kosovë dhe Nora Arapi – Krasniqi, arkitekte dhe magjistre për konservim, do të përfaqësojnë Kosovën në këtë Konferencë, që do të mbahet nga 3 deri më 6 shkurt të këtij viti.

Kosova përfaqësohet në ditën e tretë në një sesion të përbashkët ku prezantohen edhe punime tjera nga Suedia, Polonia, Kina dhe Norvegjia.

Enes Toska thotë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë është e rëndësisë së veçantë sepse pavarësisht problemeve që ka Kosova në aspekt të mbrojtjes, promovimit dhe financimit të trashëgimisë kulturore, ka edhe raste të mira dhe pozitive të trajtimit të saj të cilat ia vlen të ndahen në platforma të ndryshme ndërkombëtare. Paraqitja e përvojave pozitive të Kosovës në një platformë evropiane dhe botërore ka rëndësi në promovimin e trashëgimisë së pasur të saj dhe në përmirësimin e imazhit të vendit tonë”, ka thënë Toska për “Zërin”.

Nora Arapi – Krasniqi, arkitekte, ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Konferencë është një hap pozitiv në drejtim të promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, përvojës profesionale në Kosovë, si dhe të bashkëpunimit rajonal të Kosovës me shtetet fqinje.

Ajo ka thënë se Kosovë në këtë Konferencë “Heritage Counts” do të prezantohet në dy sesione. “Sesioni i parë ka tematikë: Ndikimi i trashëgimisë kulturore në nivel kombëtar, me ç’rast së bashku me Enes Toskën do të prezantojmë projektin e Planeve Lokale të Trashëgimisë, të implementuara në shtatë komunat e Kosovës gjatë viteve 2012-2015”, ka thënë Nora Arapi – Krasniqi, duke treguar se në sesionin e dytë, do të prezantohen me tematikën “Ndikimi i lokaliteteve të trashëgimisë kulturore në shoqëri”, që është bashkëpunim me kolegët nga CHwB zyra e Shqipërisë. Disa nga shtetet e tjera pjesëmarrëse janë edhe Spanja, Hungaria, Bosnjë e Hercegovina, Italia, Anglia, Greqia, Kroacia, Holanda, Japonia, Belgjika, Lituania e Sllovenia.

Toska thotë se me punimin “Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore – nga vlerësimi ekskluziv profesional në të kuptuarit gjithëpërfshirës të shfrytëzimit të trashëgimisë kulturore. Rasti i shtatë komunave në Kosovë” është një studim i bazuar në përvojat e Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës të zbatuar nga CHwB Kosova dhe të financuar nga Suedia.

Programi nga viti 2012 zbatohet në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Dragashit, atë të Gjakovës, të Gjilanit, Parteshit, Rahovecit, Kaçanikut dhe Vushtrrisë.

“Elementi kryesor i punimit tonë është qasja gjithëpërfshirëse në proces të hartimit të Planeve Lokale. Prej vitit 2012 ne kemi themeluar 7 Forume Lokale ku përpos autoriteteve komunale dhe qendrore janë përfshirë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në vendimmarrje”, ka treguar Enes Toska, derisa ka thënë se ky grup i pjesëmarrësve përpos që bashkërisht kanë hartuar Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore në këto 7 komuna, kanë vendosur se cilat nga prioritetet do të implementohen. “Që nga viti 2013 e deri në fund të vitit 2015 planifikohen të implementohen mbi 80 prioritete të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në këto 7 komuna”, thotë Toska.

Pjesëmarrja në konferencë ka qenë e hapur për të gjithë të interesuarit nga tërë bota, tregon Enes Toska. “Në fillim është dërguar një abstrakt i punimit tonë të përbashkët, i cili edhe më vonë është pranuar nga komiteti shkencor i konferencës”, ka thënë Toska duke treguar se pas prezantimit të punimit do të ketë edhe debat me audiencën.

Nora Arapi – Krasniqi thotë se duke marrë parasysh të kaluarën tonë, luftën e fundit, gjendjen para dhe pas luftës, në Kosovë kultura nuk ka qenë prioritet. “Edhe tani 15 vjet pas përfundimit të luftës, zhvillimi ekonomik, infrastruktura rrugore, arsimi dhe shëndetësia ende janë më prioritare në krahasim me kulturën”, ka thënë Arapi – Krasniqi, duke shtuar se edhe përkundër trajtimit institucional, Kosova ka një potencial shumë të madh kulturor duke marrë parasysh diversitetin kulturor të kombësive që jetojnë në Kosovë dhe ndikimin e tyre në kulturat tjera.

“Në raport me shtetet tjera të botës, buxheti që i dedikohet zhvillimit kulturor në Kosovë është mjaft më i vogël”, është shprehur ajo, duke shtuar se angazhimi i profesionistëve të fushës së kulturës vazhdon të jetë i palodhshëm për të kontribuar në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e saj.

Përveç përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, në këtë konferencë do të jenë prezentë edhe përfaqësues nga organizata panevropiane Europa Nostra, UNESCO, e të tjera. Kosova gjendet në mesin e mbi 20 shteteve të përzgjedhura nga komisioni shkencor i Konferencës Ndërkombëtare mbi ndikimin ekonomik, shoqëror, mjedisor dhe kulturor të trashëgimisë – “Trashëgimia vlen” ku do të paraqiten raste të ndryshme të trajtimit, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë. /Zeri/

Më Shumë

Junior 06 befason Penzën në ‘Karagaç’

Befasia e xhiros së gjashtë në Ligën e Femrave, erdhi skuadra debutuese Junior 06, që e mposhti Penzën me rezultat 74-81. Tanyia Gordon shkëlqeu me 40...

Policia shqiptoi mbi 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2.074 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit