Rreth 12 mijë nënshkrime që janë mbledhur nga shoqëria civile kundër Ligjit për amnisti do t’i dërgohen presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, si presion që ajo mos ta nënshkruajë ligjin.
Një prej organizatorëve të këtij peticioni, Shpend Kursani nga instituti KIPRED, tha se gjasat që presidentja ta nënshkruaj janë të mëdha, duke e pasur parasysh procedurën e shpejtë me të cilën u miratua ky ligj në Kuvend, porse, sipas tij, ky është hapi i parë para se të ndërmerren hapat tjerë.
“Ne po mendojmë që ta ndalim ligjin që mos ta nënshkruaj presidentja, por nëse presidentja e nënshkruan, atëherë do ta dërgojmë edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha Kursani për Radio Kosovën.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, Suzan Novobërdali e konsideron të gabueshme mënyrën e procedimit të këtij peticioni nga ana e shoqërisë civile, ngase sipas saj, adresa e vetme është ky komision.
“Nëse shkohet me peticion atëherë shkohet në Kuvend me peticion, mirëpo kjo është nismë për ndryshime legjislative. Andaj shkohet me kërkesë për ndryshime të ligjit. Forma e cila është duke u bërë në formë peticion… presidentja nuk shqyrton peticione, andaj edhe këtë peticion nuk do ta shqyrtojë”, tha ajo, për Radio Kosovën.
Gjithsesi sipas saj, fakti që Ligji për amnisti është miratuar me dy të tretat e votave të deputetëve, nuk e pengon nismën legjislative për ndryshimin e tij. Por, anëtari i Komisionit për legjislacion, deputeti i PDK-së, Behar Selimi thotë se ky është ligj i veçantë, por peticioni i shoqërisë civile mund të trajtohet si akt nga ana e Kuvendit.
“Se çfarë gjasash ka, nuk jam shumë optimist për gjasat, duke marrë parasysh karakterin kushtetues të ligjit dhe karakterin shumë të veçantë për shkak se ligji del edhe nga një marrëveshje ndërkombëtare, për të cilën ka garant ndërkombëtar dhe e cila marrëveshje është shumë e veçantë në aspektin edhe politik edhe të sigurisë në vendin tonë”, tha Selimi për Radio Kosovën.
Por organizatorët e peticionit kanë menduar që nënshkrimet e mbledhura t’i nxjerrin edhe jashtë Kosovës. Parlamenti Evropian është destinacioni tjetër. Sipas Shpend Kursanit, synohet që çështja e këtij ligji të bëhet mediatike edhe në vendet e BE-së me një qëllim të vetëm.
“Popujt e BE-së ta dinë më mirë se çka përfaqësuesit e tyre po bëjnë në Kosovë, në mënyrë që të krijohet edhe një presion i brendshëm në këto vende anëtare të BE-së dhe së paku herave të tjera mos të ndodhin presione të tilla apo të tërhiqen komplet nga këto presione dhe ta lejojnë Kosovën të vendos vetë”, tha Kursani për Radio Kosovën.
Sipas Kursanit, nëse nuk ka reagim të duhur nga presidentja dhe nga Kuvendit, mund të rifillojë mbledhja e nënshkrimeve për të arritur në 100 apo 200 mijë nënshkrime kundër Ligjit për amnisti.
Ky ligj që buron nga marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, u miratua në Kuvendin e Kosovës me procedurë të shpejtë, me dy të tretat e votave të deputetëve.