Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, siguroi banorët e fshatrave të Hasit, se do të jetë i pakthyeshëm vendimi i Qeverisë së Kosovës, për themelimin e komunave në Rogovë dhe Gjonaj. Ai tha se themelimi i dy komunave në Has, është bërë pas kërkesave të vetë banorëve dhe premtimit që ka dhënë PDK-ja. “Unë e kam mbajtur premtimin tim që e kam dhënë për Hasin. Kam respektuar vullnetin e juaj, dhe sot kam ardhur të t’ua uroj komunat e reja”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi të shtunën ka vizituar dy komunat, Rogovë dhe Gjonaj. Ai gjatë vizitës ka bashkëbiseduar edhe me banorët e fshatrave të Hasit. Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga banorët e fshatrave të Hasit, që t’ju bëjnë presion të zgjedhurve të tyre në Parlamentin e Kosovës, që të votojnë ligjin për themelimin e komunave në Has. “Ju duhet të qëndroni unik ashtu siç keni qenë deri më tash dhe t’ ju bëni presion deputetëve që të votojnë për komunën e Rogovës dhe Gjonajt”, tha Thaçi.
Sipas tij, po të ishte votuar ligji në Kuvendnin e Kosovës, qytetarët e Hasit në zgjedhjet e këtij viti, do të kishin votuar për përfaqësuesit e komunave të tyre. “Mirëpo ju e dini se çfarë ndodhi të enjten në Kuvend. Bëni presion ndaj atyre që ua keni dhanë votën që të votojnë vendimin e Qevreisë për themelimin e komunave”, kërkoi Thaçi.
Ai tha se ata që nuk e votuan ligjin pwr komunat nw Has, nuk duhet të shpërblehen. “Nesër do të vijnë t’ju kërkojnë edhe votën, por sigurisht që nuk do t’i shpërbleni ata që ishin kundër komunave”, tha Thaçi. Ai tha se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka respektuar vullnetin e të gjithë banorëve të Hasit, pavarësisht bindjeve politike. “Vendimi është marrë pas takimit që kam pasur me përfaqësuesit e të gjitha fshatrave të Hasit dhe përfaqësuesit e partive politike. Vullneti i tyre ka qenë që Hasi t’i ketë dy komuna dhe unë e kam respektuar këtë vullnet”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se formimi i komunave do të ndikojë në përmasimin e jetës të secilës familje në Has. “Hasi do të përfitojë projekte nga Qeveria e Kosovës”, tha ai. Ai tregoi se Qeveria e Kosovës ka hartuar projekte të veçanta për dy komunat në Has. “Qeveria e Kosovës i ka projektet për këto dy komuna. Mbetet vetëm votimi në Kuvendin e Kosovës dhe menjëherë ato projekte do të fillojnë të implementohen”, tregoi Thaçi.
Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ndërkaq tha se në Has janë realizuar shumë projekte kapitale. Ai i sigurojë banorët e Hasit, se çdo herë do të kenë përkrahjen e Komunës së Prizrenit. “ Unë ju siguroj se edhe pas funksionimit të Komunës në Gjonaj, ne do t’ju përkrahim në realizimin e projekteve. Nuk do t’ju harrojmë“, tha Muja. /PrizrenPress.com/