Nderimi për të rënët është nderim ndaj shtetit, ngase duke e nderuar këtë ditë, institucionet më të larta të shtetit të Kosovës, njësitet e Forcës së Sigurisë, ushtrisë së ardhshme të Kosovës, e nderojnë themelin e patundur të pavarësisë.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë ceremonisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në shënimin e 17 vjetorit të Epopesë së UÇK, duke kujtuar sakrificën e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes së tij.
“Në këtë ditë, krahas heroizmit të familjes Jashari që ndezi flakadanin e lirisë, me zemër dhe mendje i kujtojmë edhe shumë data që shënuan mosnënshtrimin ndaj pushtuesit; demonstratat e vitit 1968, të vitit 1981, grevat e minatorëve të Trepçës, shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut, filozofinë politike të doktor Ibrahim Rugovës, heroizmin e shumë bijave e bijve për lirinë dhe pavarësinë; kujtojmë dhembjen e familjet që kurrë nuk iu kthyen më të dashurit e tyre”, ka thënë Mustafa, transmeton Kosovalive360.
Ai pas vendosjes së kurorave të luleve para lapidarit të Adem Jasharit, tha para të pranishmëve se flaka që u ndez në vatrën e Jasharëve u shndërrua në një flakadan lirie duke u shtrirë në gjithë Kosovën dhe u rrit e u bë betim për jetën në liri.
“Kjo flakë i dha hov UÇK-së, e cila bashkoi shqiptaret kudo që ishin. Në Kosovë dhe diasporë. Në të gjitha kontinentet shqiptaret ishin ushtarë të Kosovës. Kush më shumë e kush më pak por secili prej tyre ishte bërë pjesë e kësaj lufte dhe secili që merrte frymë me këtë bindje e ndihmoi lirinë e Kosovës”, ka theksuar Mustafa.
Sipas tij, ditët e Epopesë së UÇK-së nuk reshtën deri më 12 qershor 1999 kur Kosova u çlirua përfundimisht dhe së bashku me përkrahjen e botës demokratike nisi një fazë të re, atë të shtetndërtimit të paqes dhe zhvillimit .
“Në këtë ditë, krahas heroizmit të familjes Jashari që ndezi flakadanin e lirisë, me zemër dhe mendje i kujtojmë edhe shumë data që shënuan mosnënshtrimin ndaj pushtuesit; demonstratat e vitit 1968, të vitit 1981, grevat e minatorëve të Trepçës, shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut, filozofinë politike të doktor Ibrahim Rugovës, heroizmin e shumë bijave e bijve për lirinë dhe pavarësinë; kujtojmë dhembjen e familjet që kurrë nuk iu kthyen më të dashurit e tyre”, ka potencuar Mustafa, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e vendeve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s që në ditët më të vështira i dolën Kosovës në krah.
Ai tutje ka thënë se 17-vjetori i rënies së Adem Jasharit dhe bashkëfamiljarëve të tij e gjen Kosovën me shumë arritje si njohja e Republikës së Kosovës nga 108 shtete anekënd globit, vënia e marrëdhënieve të ngushta me shumë vende të botës, duke e forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe duke shënuar rezultate të prekshme në çdo fushë të jetës.
Duke folur për transformimi i UÇK-së në TMK dhe i kësaj të fundit në FSK, Mustafa tha se kjo është vetëm një nga rrëfimet e shumta të suksesit të Kosovës së lirë, sovrane e demokratike.
“Kuptohet, procesi i avancimit të FSK-së do të vazhdojë më tej me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë forca moderne ushtarake, të pajisura me të gjitha cilësitë e nevojshme të një ushtrie të aftë për të siguruar stabilitet e paqe dhe për të marrë pjesë në misione humanitare e paqësore me synim që të ketë vendin e vet në NATO”, ka vlerësuar kryeministri Mustafa.
Sipas tij, ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë një forcë model, një institucion pasqyrë e Kosovës reale, me gjithë koloritin e saj etnik e gjuhësor, pasi që siç tha ai, kjo ushtri do të krijohet sipas standardeve ushtarake e profesionale të NATO-s dhe do të jetë faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, duke bërë kështu që Kosova dhe të gjitha institucionet e saj i bashkëngjiten luftës së botës demokratike kundër terrorizmit dhe çfarëdo lloji të ekstremizmit.