Vazhdojnë replikat e forta online në lidhje me një video të gazetarit Sokol Balla.
Mustafa Nano ka shkruar një artikull, që ka qarkulluar në shumë media.
“Kol Balla nuk bën pjesë te miqtë e mi. Është thjesht një koleg i imi, me të cilin punët më kanë lidhur më shumë se njëherë. E kërkova Kolin dje në telefon, megjithatë. E kërkova për t’iu ndodhur pranë. Por nuk ma hapi telefonin. Me siguri, është duke jetuar orë të vështira nën këtë agresion të gardianëve shqiptarë të moralit publik. Kushdo do të ish në të njëjtin hall në vend të tij. E të mos ngutet ndokush të thotë se “unë nuk mund të isha në vend të Kol Ballës, pasi unë nuk do bëja gjëra të tilla të turpshme”. Bullshit! Këtu thelbi i ngjarjes nuk është natyra “tepër lapërdhare” e gjestit të Ballës para kamerave të fshehta të dikujt (një nga ndërhyrjet më fantastike në Jezu Krishtit në Ungjijtë e Dhjatës së Re është momenti kur u drejtohet pjesëtarëve të një turme të gatshme për të linçuar e lapiduar një grua që kish menduar për kënaqësinë e mishit të saj: Ta ngrejë gurin kundër saj kushdo që është i pamëkat!). Këtu thelbi i ngjarjes është që një person po kryqëzohet për jetën e tij intime, që atij i është filmuar me dëshirën e tij, por që i është publikuar pa dijeninë e tij. Dhe kjo, përsëris, është e vetmja poshtërsi në këtë mes.
Sikur Koli të më ishte përgjigjur në telefon, do t’i thoja: “Dil në publik! Mos rri në shtëpi! Dil e thuaj: ‘Hej miq, të gjitha mund t’i bëjë kabull. Mund të bëj kabull edhe që ju të më cilësoni si t’ju vijë për mbarë bazuar në atë që keni parë e bazuar në moralin tuaj, por problemi nuk është ky. Problemi është publikimi online i momenteve nga jeta ime intime. Doni ta cilësoni të shthurur, perverse, lapërdhare, etj, etj, këtë jetë timen? Ok, bëjeni. Po dijeni se jeta juaj “namuzqare dhe e moralshme” është njësoj e kërcënuar, nëse intimiteti juaj del në treg. Dhe është e sigurtë se, qysh nga momenti që intimiteti juaj del në treg, edhe pse ju mund të mendoni se keni një intimitet normal (intimitet normal! Çfarë fraze oksimoronike!), ju do të bëheni objekt përbuzjeje e gallate nga ana e atyre që po më linçojnë mua tani. Ju ftoj që të bëhemi bashkë për të ngritur zërin në mbrojtje të privatësisë. Nëse jeni duke fërkuar duart, nëse jeni duke thënë se “mirë e gjeti atë kodosh”, dijeni se e njëjta gjë do t’ju gjejë juve nesër.”, shkruan Nano.
Ndërkohë Berat Buzhala, gazetari nga Kosova, ka vazhduar sulmin kundër Ballës.
“Baton Haxhiu, Mustafa Nano dhe të tjerët, do të mund të thoshin, gjithmonë duke u nisur nga proverbat e Jezusit, se ai kishte thënë edhe ‘le ta hedhë gurin i pari mbi Maria Magdalenën ai që nuk ka mëkatuar’.
Ky më duket pak a shumë argumenti kryesor mbrojtës për Ballën, të cilit vetëm sa nuk po propozojnë t’i ngrihet një lapidar për së gjalli për heroizmin e treguar. Vetëm se Maria ishte penduar për mëkatin. Dhe ne ende nuk e dëgjuam Ballën të deklarohet. Dhe kjo është më e pakta që ai ia ka borxh publikut. Sepse qartazi, dhe për ketë ka një konsensus, femra në chat nuk ishte edhe bashkëshortja e gazetarit Balla. Prandaj, ai do të duhej të kishte reflektuar dhe drejtuar publikut me një kërkim falje.
Mirëpo si shoqëri e egër maskiliste, ne, prapë i jemi turrur asaj femrës në video, për të cilën nuk dimë gjë, ose unë nuk di gjë, se ajo qenka fajtore.
Kjo nuk është hera e parë. Femrat, në viset shqiptare tash e sa kohë, edhe kur vriten ose aksidentohen, në vetura të burrave të fuqishëm, zakonisht përfundojnë si mos më keq në kronika të lajmeve- si iniciale.
Ose hiqen shpejt e shpejt nga vetura, qoftë ajo edhe në disa copa. E rëndësishme është që të mos cenohet morali i burrave të fuqishëm shqiptarë.
A është kjo prapë porosia që po marrim? A dëshirojmë të themi se ajo femra në chat është një kurvë e ndytë që dëshiron ta përlyejë të përndritshmin Balla?
Rreth kësaj pike unë nuk kam çfarë të komentoj më tepër, përveçse ta lus Haxhiun, Nanon dhe të tjerët që të më informojnë se kur e kanë ndërmend t’i bëjnë gjyqin asaj vajzës. Nëse vazhdojnë edhe me disa shkrime ndoshta do të më bindin që ta sjell benzinën nga Prishtina. I bindur jam që pushteti i Edi Ramës me kënaqësi do ta sjellë të lidhur këmbë e duar.
Ah po, se tash m’u kujtua. Pse edhe më tutje përbëjnë lajm disa foto nudo të kryeministrit Edi Rama, të kohës kur ai nuk ishte kryeministër. Nëse nuk e kam gabim, në atë kohë Rama kishte qenë beqar dhe gjithashtu fotot ishin realizuar në një plazh të nudistëve. A realisht, në rastin Rama lajm do të ishte nëse ai do të futej i veshur në atë plazh.
Po kurthi që i ishte bërë Ylli Pangos? I ishte dërguar një gazetare e kamufluar, po në shtëpinë e tij. Dhe dhjetëra raste të tjera kur ne gazetarët ua punojmë të tjerëve. Kjo është palla që ne rrezikojmë të biem nën të,” shkruan ai.