Ishte errësirë, rreth orës 22.30, pak kilometra para stacionit të trenit të qytezës Velesh në jug të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup. Një grykë e ngushtë, majtas mali, djathtas lumi Vardar. Ashtu si çdo ditë prej muajsh të tërë edhe atë të enjte (23.04) burra, gra dhe fëmijë ecnin përgjatë shinave drejt Veriut. Kësaj radhe ishin rreth njëqind vetë: refugjatë ilegalë nga Siria, Iraku, Afganistani apo Somalia. Ata deshën të mbërrinin në Perëndim, më së miri në Gjermani. Grupi po bënte një pushim, shumica ishin ulur në shina, kur papritur kaloi në kulmin e shpejtësisë treni i shpejtë nga Selaniku për në Beograd.
Tek pashë njerëzit, dhashë menjëherë sinjalin dhe frenova, thotë makinisti. Shumë prej tyre u larguan menjëherë nga shinat, por 14 syresh nuk arritën. Kur mbërritën policia dhe ndihma e shpejtë ata hasën një vend tmerri, copëza rrobash dhe pjesë trupi të shpërndara përreth. Në vendin e aksidentit u gjetën vetëm tetë persona, që ishin të afërmit e viktimave. Ata u arrestuan.
Porta e hapur drejt Perëndimit
Kjo fatkeqësi në mes të prillit nuk ishte e para me pasojë vdekjen e refugjatëve në Maqedoni. Sipas të dhënave zyrtare gjatë 12 muajve të fundit kanë gjetur vdekjen të paktën 30 vetë në rrethana të ngjashme. “Maqedonia është një pjesë e rëndësishme e itinerarit të tranzitit përmes rrugëve tokësore. Madje “kjo është rruga më e thjeshtë, përmes së cilës refugjatët mund të mbërrijnë në Europën Perëndimore”, thotë Turpen Stojanovski, drejtor i Nismës Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI) në intervistë për Deutsche Welle-n.
Njerëzit që arratisen prej Afrikës, Lindjes së Mesme apo Afganistanit vijnë “përmes Greqisë në Maqedoni”, i thotë Deutsche Welle-s Ivo Kotevski nga Ministria e Brendshme maqedonase. Këta janë migrantë ilegalë, pothuajse asnjeri prej tyre nuk posedon dokumenta udhëtimi. Meqenëse Greqia nuk ka kapacitete për t’i pranuar dhe trajtuar refugjatët, në heshtje shumë refugjatëve u mundësohet udhëtimi i mëtejshëm drejt Veriut të Europës përmes Maqedonisë e Serbisë për në Hungari. E kur mbërrijnë në Hungari si vend anëtar i BE-së refugjatët mendojnë, se ia kanë arritur qëllimit. Ata shpresojnë, se që këtej do të mund ta vazhdojnë të papenguar udhëtimin drejt Francës, Gjermanisë apo Britanisë së Madhe. E për këtë arsye ndjekin si orientim rrugën përgjatë linjave të hekurudhës apo edhe të autostradës drejt Veriut.
Popullsia dhe autoritetet të mbingarkuara
Por kjo rrugë është e vështirë dhe plot rreziqe, jo vetëm përgjatë shinave. Si në Maqedoni, ashtu edhe në Serbi, njoftohet vazhdimisht për sulme ndaj kolonave të refugjatëve prej bandave që i plaçkisin apo edhe i keqtrajtojnë ato. Por as autoritetet në këto vende shpesh nuk ofrojnë aspak mbrojtje.
Marc Millies nga organizata për refugjatët Pro Asyl bën fjalë në intervistë për Deutsche Welle-n për rrethana shpesh të padurueshme nëpër qendrat e refugjatëve në Shkup. “Njerëzit i arrestojnë atje arbitrarisht e shpesh i mbajnë me javë e me muaj. Qendrat janë të tejmbushura, e në to nuk ka ndonjëherë as krevate. Nuk ka mjaftueshëm ushqim dhe kushtet higjeno-sanitare janë mjaft të rënda. Askujt nuk i jepet konsulencë juridike”, thotë Millies. Autoritetet, por edhe popullsia janë të mbingrakuara me valën e refugjatëve.
Organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch në raportin e saj përshkruan një sërë shembujsh nga Serbia se si policia serbe i ngacmon, e i vë në pozitë të vështirë refugjatët duke “i bërë presion, kërcënuar, ofenduar, e keqtrajtuar”. Ndërsa këdo që kapet në afërsi të kufirit me Maqedoninë e kërcënon dëbimi i menjëhershëm – pa dokumenta, pa proces gjyqësor, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut.
Mijëra kilometra më këmbë
E megjithatë ata përpiqen që përmes kësaj rruge të mbërrijnë në Europën Perëndimore. Për shumë kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, është stacioni i fundit i madh përpara se të kalojnë kufirin e BE-së. Këtu bëjnë përgatitjen për udhëtimin e mëtejshëm edhe Pasha, Saher dhe Aid. Ata janë jezidë nga Iraku dhe janë larguar prej terrorit atje. Me muaj ata kanë qenë në udhëtim, “më të shumtën më këmbë”, tregon për Deutsche Welle-n 28 vjeçari Pasha. “Para një muaji ne udhëtonim nga Serbia drejt Gjermanisë, por policia hungareze na arrestoi”. Rreth 20 ditë ata u mbajtën në burg, kërkesa për azil iu refuzua. “Më pas na kthyen në Serbi. Këtu na u desh të paguajmë 50 Euro gjobë dhe na kërkuan që të largohemi brenda dhjetë ditësh nga vendi. Nesër do të përpiqemi sërish të udhëtojmë drejt Gjermanisë”, thotë Pasha.
Me shpresën në valixhe
Ashtu si shumë refugjatë të tjerë edhe tre jezidët e konsiderojnë Gjermaninë si destinacionin e absolut të arratisë së tyre. Pasha është i bindur, se: “Gjermania u ofron azilkërkeusve më shumë mundësi se të gjitha vendet e tjera.” Për me tepër që Pasha ka edhe të afërm të tij në Gjermani. Por tre jezidët nuk thonë, nëse do të pranojnë kësaj here ndihmën e kontrabandistëve. Secili prej tyre deri tani ka paguar rreth 11.000 Dollarë amerikanë për kontrabandistë të ndryshëm. Kalimi i kufirit serbo-hungarez do të kushtojë sërish rreth 1700 Euro për njeri.
Se çfarë i pret më tej, ata nuk e dinë. Por patjetër ata duan të vazhdojnë rrugën, qendrimi në Serbi nuk është opcion për ta. Ata kanë ëndrra. Si p.sh. 19 vjeçari Saher: “Në Irak unë isha regjistruar në shkollën e lartë të artit. Më pas nisi kaosi me ‘Shtetin Islamik’. Unë nuk munda as t’i nis studimet.” Nëse Saher ia del që të vijë në Gjermani, ai do të vazhdojë studimet për art. E – siç thotë – ai dëshrion të tërheqë edhe familjen e tij, që ka mbetur në Irak. / DW