“Bum Cha Cha”, është hiti i radhës me videoklip që e sjellin grupi Cha Cha Darabukat. Përpos që është një muzikë verore, gjithashtu anëtarët e këtij grupi janë përkujdesur që xhirimet e këtij videoklipi të bëhen në njërën nga plazhet e bregdetit shqiptarë që është Shëngjini. Ky është projekti i pestë me radhë që sjell ky grup i cili përbëhet nga tre djem të rinj, që janë: Ceni Kamberi, Pimi Isufi dhe Muhamet Bikliqi ku ky i fundit njëherësh është edhe balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës.
Në një rrëfim për KultPlus, Muhamet Bikliqi tregoni më detajisht për projektin “Bum Cha Cha”, ku ndër të tjera ai tha se gjithmonë për muzikën që e bëjnë përkujdesen vetë ata.
“Ky projekt na ka marrë kohë jashtëzakonisht shumë si me muzikë ashtu edhe me videoklip, ku pothuajse dy muaj kemi bërë punë intensive në të. Muzikën e kemi bërë tek Masiv Production kurse për kripin është përkujdesur si gjithmonë Video Art nga Gjilani, me të cilët kemi bashkëpunim që nga fillimi i karrierës tonë në muzikë, pasi që ata na janë përshtatur shumë dhe e bëjnë punën ashtu si ne duam”, tha ndër të tjera Bikliqi.
Cha Cha Darabukat, këtë muaj mbush plot tre vjet të ekzistencës, dhe sipas anëtarëve të këtij grupi këtë punë e bëjnë shumë me qejf, edhe pse të tre nga djemtë kanë angazhime të tjera përpos muzikës.
“Ne që të tre kemi edhe punë tjetër që merremi me të, sa i përket punës sime që jam balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës, të dyja i bëjë me shumë qejf, por baleti është gjithmonë primare për mua”, theksoi për fund Meti.