Dhjetë arsye për të mos e vizituar Prizrenin

Nga Hajrulla Çeku

Prizreni është qytet i tolerancës. Është vend ku shtëpi të vjetra rrënohen dhe shndërrohen në vendparkingje, kalldrëmi zëvendësohet me asfallt, e gjelbërta me rrasa, e qerpiqi me tulla. Zona historike e qytetit është përplot me ndërtime pa leje, ndërsa hapësira publike e ngufatur me tavolina e karrige. Ku edhe milionat e shpenzuar për restaurime të monumenteve kanë prodhuar më shumë degradim, ndërsa edhe ato pak hapësira kulturore gjenden në listën e privatizimit. Prizreni është qytet që investon më pak se një euro për kokë banori në kulturë dhe ku prokurorët pinë kafe në hotelet e ndërtuara pa leje. Është vend ku inspektorët rrënojnë baraka në lagjet periferike, derisa në qendër të qytetit nuk guxojnë as të kontrollojnë decibelat e muzikës së diskotekave. Më e keqja, i gjithë ky krim mbi kulturën dhe qytetin ndodh dhe kalon në heshtje të plotë. Qyteti sot manifeston nivele të frikshme tolerance ndaj krimit, shkatërrimit dhe tjetërsimit.

Mungesën e aftësisë për të reaguar dhe vepruar kundër shkatërrimit të qytetit e kemi zëvendësuar me rrëfimin mbi bukurinë e qytetit. Lista me arsyet pse duhet vizituar Prizreni, epitete të lavdishme që thirren në lashtësi e civilizim, toleranca e fryrë fetare, qebapa, festivale, çaj rusi… Një rrëfim i rrejshëm si përpjekje për të mbuluar turpin e heshtjes. Një lloj mohimi i realitetit, si mekanizëm ballafaqimi dhe si vetëmashtrim. Me ose pa vetëdije kemi rrëshqitur në diskursin më dominant të dekadës së fundit në Kosovë, atë të imazhit. Një përpjekje e pasinqertë për të promovuar atë që nuk e ke, gjithmonë duke i fshehur të metat. Prizreni është shembull adekuat për të kuptuar potencialin shkatërrues të rrëfimit të rrejshëm mbi të bukurën. Një qytet i tërë vazhdon të mbetet peng i këtij rrëfimi, i cili e neutralizon krimin dhe e mbyt aktivizmin.

Prizreni nuk është qytet i kulturës. Për të shpëtuar qytetin, fillimisht duhet ta pranojmë këtë realitet. Dhe pastaj të konfrontohemi me të keqen. Përndryshe, nga togfjalëshi “qytet i kulturës”, përveç cilësorit “kulturor”, rrezikojmë ta humbim edhe statusin “qytet”.

Më Shumë

Arrestohet një person në Lubizhdë të Hasit, dyshohet se shtiu me armë gjatë një ahengu

Një person është arrestuar në fshatin Lubizhdë të Hasit në Prizren, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu. Sipas raportit të...

Gjashtë serbë arrestohen afër manastirit në Prizren

Gjashtë serbë janë arrestuar sot në Prizren afër Manastirit “Shën Arangjeli”. Detaje për arrestimin e tyre ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin...

Lajmet e Fundit