Premtimet për hapjen e disa qindra e mijëra vendeve të reja të punës, nga ana e koalicionit të tanishëm që po qeveris vendin në mes të PDK-së dhe LDK-së, kanë qenë vetëm një premtim elektoral dhe asgjë më tepër. Asnjëri nga institucionet shtetërore të Kosovës nuk e di me saktësi se sa është numri i të punësuarve në Kosovë në 8-mujorin e parë të këtij viti, ndërsa premtimet për hapjen e disa qindra e mijëra vendeve të reja të punës, nga ana e koalicionit PDK-LDK, dolën të kenë qenë vetëm një mashtrim elektoral, të cilin madje e ka pranuar edhe kryeministri Isa Mustafa.
Ylber Aliu, u.d. udhëheqës i Divizionit për Monitorimin e Zyrave të Punësimit, Departamenti i Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se në periudhën 1 janar 2015 deri më 15 gusht 2015, nëpërmes zyrave të punësimit janë zbuluar gjithsej 8739 vende të lira pune. Ai shtoi se në periudhën 1 janar 2015 deri – 15 gusht 2015, përmes zyrave të punësimit janë ndërmjetësuar në punësim gjithsej 2432 punëkërkues. Sipas Aliut, këto statistika u referohen vetëm vendeve të lira të punës të zbuluara nga hulumtimi i tregut të punës, përmes këshilltarëve për punësim në zyrat e punësimit dhe ndërmjetësimeve në punësim të realizuara nga zyrat e punësimit.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë për gazetën se premtimet marramendëse të partive të koalicionit LDK e PDK me realitetin e punësimit janë si nata me ditën. Ai thotë se për këta 8 muaj të qeverisjes në Kosovë, shteti ka shkuar në degradim dhe është vepruar krejt ndryshe nga ajo që është premtuar, sepse, sipas tij, për katër vite nuk mund të punësohen më shumë se 10 mijë veta./Kosova Sot/