-0.7 C
Prizren
E enjte, 16 Janar, 2025

Adem Grabovci: LDK të korrigjohet

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thekson se disa nga ministrat e LDK-së kanë bërë lëvizje të panevojshme të punëtorëve. Në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic nënkyetari i PDK-së, ndonëse kërkon që LDK t’i korrigjoj gabimet, ai shton se koalicioni është shumë stabil.

Shefi i deputetëve të PDK-së është i bindur se kryetari i PDK-së do të zgjedhet president i vendit.

“Në çdo variant z. Thaçi do të zgjidhet president i vendit”, thotë Grabovci i pyetur se a do t’i kenë numrat e mjaftueshëm për ta zgjedhur shefin e tij për kryetar të shtetit.
Ai flet edhe për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Zgjedhjet nuk mund të mbahen kur kujt mund t’i teket apo për t’ia plotësuar dikujt dëshirën, por sipas afateve ligjore”, thotë Grabovci në këtë intervistë dhënë për Gazetën Blic.

Nënkryetari i PDK-së i quan spekulim, listat e publikuara në opinion në lidhje me atë se kush mund të jenë të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

Grabovci flet për herë të parë edhe për atë se kush është më i fortë në PDK. Edhe pse në opinion përflitet për një luftë të madhe ndërmjet dyshes së PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli se kush ta marrë primatin e partisë, Adem Grabovci thotë se nuk ka kurrfarë rivaliteti. Sipas tij, Hashim Thaçi është 1 i PDK-së, derisa sipas tij, 2 është Kadri Veseli.

I pyetur se më kënd është ai, me 1 apo me 2 e partisë, ai ka thënë një përgjigje diplomatike, duke thënë se vota është ajo që secilit ia përcakton pozicionin.

Ja ministrat e LDK-së që bënë veprime të ngutshme

Gazeta Blic: Z. Grabovci, ditëve të fundit ka pasur një përplasje ndërmjet PDK-së e LDK-së për largimin e disa njerëzve nga vendet e tyre të punës. Ju keni konsideruar këtë veprim të ministrit Avdullah Hoti si të ngutshëm dhe kundërligjor dhe se prisni korrigjime. U korrigjua një gabim i tillë nga ministri i LDK-së dhe a u kthyen në punë “profesionistët”, siç po i quani ju?

Grabovci: Fillimisht e ndiej të nevojshme të sqaroj se koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është shumë stabil. Ne e kemi ndërtuar këtë koalicion mbi bazën e parimeve të shëndosha, për të mirën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Koalicioni ynë do të mbetet i tillë, duke i respektuar parimet, duke e respektuar njëri-tjetrin, duke i respektuar punëtorët e administratës publike, pavarësisht qëndrimeve dhe bindjeve të tyre politike. Por, disa raste që kanë ndodhur, nuk përkojnë me këtë frymë. Janë bërë lëvizje të panevojshme të punëtorëve në tri dikastere, në atë të Financave, të Tregtisë dhe Industrisë si dhe në atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ne kemi praktikë që për shumë çështje të konsultohemi me partnerët e koalicionit. Është e vërtetë se për këtë çështje, që ka shkaktuar shqetësim në opinion, kam pas një konsultim me mikun tim, shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqirin, nga i cili kam kërkuar që të shihet se çfarë ka ndodhur dhe që të korrigjohen gabimet. Ne do të reagojmë çdo herë që ndokund dëmtohet procesi, dëmtohet puna dhe suksesi i institucioneve të vendit. Në të njëjtën kohë i mirëpresim vërejtjet dhe sugjerimet nga kolegët tanë të koalicionit, në mënyrë që së bashku të ecim përpara. Besoj që pas reagimeve tona, do të mirren masat e nevojshme dhe do të korrigjohen gabimet e bëra.

Gazeta Blic: Si do të veproni si parti, në rast se ministri Avdullah Hoti dhe të tjerët nuk do t’i kthejnë prapa këto vendime?

Grabovci: Besoj fuqishëm se së bashku me partnerët e koalicionit do të ecim së bashku në të mirë të zhvillimit të vendit. Kjo është edhe detyrë dhe përgjegjësi e njerëzve që drejtojnë institucionet shtetërore.

Gazeta Blic: Është raportuar se pas këtij vendimi, PDK ia ka tërhequr vërejtjen LDK-së që të ndalet, ose në të kundërtën mund të vihet në pikëpyetje funksionimi i koalicionit. A rrezikohet funksionimi i koalicionit nëse do të ndodh largimi i njerëzve të PDK-së nga ministrat e LDK-së?

Grabovci: E thash edhe më lartë, se aktualisht koalicioni është duke shkuar mirë, me disa lëshime. Besoj se të gjithë partnerët do të punojnë pa hile për funksionimin sa më të mirë të koalicionit e jo për prishjen e tij.

Zgjedhjet nuk mbahen kur dikujt i teket

Gazeta Blic: Të dalim në një temë tjetër. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, po kërkon zgjedhje të parakohshme. Ai madje tetorin e ka përmendur si kohën kur mund të mbahen zgjedhjet e reja. Cila është përgjigja juaj? Do të ketë apo jo zgjedhje?

Grabovci: Ne jetojmë në demokraci. Demokracia i ka rregullat e veta të cilat duhet të respektohen nga të gjithë. Mosrespektimi i rregullave demokratike quhet anarki, e cila mund të jetë me pasoja. Ne jemi parti insticionaliste, i respektojmë institucionet që i kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrifica. Duke respektuar institucionet ne e respektojmë vetveten dhe qytetarët e Kosovës. Zgjedhjet nuk mund të mbahen kur kujt mund t’i teket apo për t’ia plotësuar dikujt dëshirën, por sipas afateve ligjore. Para se të mendojmë për mbajtjen e zgjedhjeve duhet të angazhohemi për mirëqenien e qytetarëve, për zhvillim ekonomik të vendit, për rend dhe ligj, që do t’i hapin vendit tonë rrugën e perspektivës drejtë familjes së madhe evropiane. Ketë nuk mund ta bëjë gjithë secili, por vetëm ai që ka vizion dhe vlera të qarta. Dua të saktësoj se puna, angazhimi dhe vizioni i PDK-së për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit, kanë bërë që përkrahja për PDK-në të jetë në rritje të vazhdueshme, e cila do të dëshmohet kurdo që do të mbahen zgjedhjet.

adem1

Gazeta Blic: Nëse do të ketë zgjedhje, ndoshta edhe për shkak të zhvillimeve si pasojë e formimit të Gjykatës Speciale, a është e gatshme PDK që t’i hyjë kësaj gare?

Grabovci: Kosova ka institucionet e saja dhe ka stabilitet institucional. Zgjedhjet e reja dhe formimi i Dhomave të Specializuara, nuk mendoj se kanë ndërlidhje. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kryer obligimet që i takojnë për këtë çështje. Përndryshe, kurdo që është nevoja, PDK është e gatshme për të rikonfirmuar besimin qytetar, madje për të treguar se ka rritje të mbështetjes qytetare.

Hashim Thaçi do të jetë president në cilindo variant

Gazeta Blic: Disa deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar se do të pengojnë zgjedhjen e z. Thaçi në krye të shtetit. Kanë mbetur edhe pak muaj deri në përmbylljen e mandatit të znj. Jahjaga, a i keni numrat prej 2/3 për të qenë prezent në sallë për zgjedhjen e kreut të PDK-së në krye të shtetit?

Grabovci: Lideri i PDK-së, z. Thaçi, është lideri më i votuar në vend. Ai ka përkrahjen më të madhe qytetare. Ne e kemi thënë edhe më herët, se do preferonim që me votën e drejtpërdrejtë qytetare të kemi edhe zgjedhjen e kreut të shtetit. Dhe, padyshim se aty z. Thaçi do ishte bindshëm më i votuari. Por, në anën tjetër, nëse veç zgjedhja e Presidentit do bëhet të përmes votës së deputetëve, atëherë besojmë se marrëveshja me partnerët do të respektohet në tërësi. Në çdo variant z. Thaçi do të zgjidhet president i vendit.

Gazeta Blic: Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje! ka paralajmëruar veprime radikale nëse do të miratohet Asociacioni i Komunave Serbe. A do të guxoni si koalicion ta miratoni këtë asociacion, i cili flitet se do të ketë edhe kompetenca ekzekutive?

Grabovci: Së pari, institucionet e Kosovës kanë shprehur përkushtimin e tyre që të kontribuojnë për të krijuar raporte të mira me të gjithë. Veçanërisht me qytetarët e vet. Do ta bëjnë këtë gjithmonë duke mbrojtur mbi të gjitha interesin e vendit dhe të ardhmen e qytetarëve tonë. Ne nuk udhëhiqemi nga politikat e rrugëve dhe kërcënimeve. Kontributi ynë ka qenë dhe vazhdon të mbetet i fokusuar në të mirën e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit. Askush nuk do të miratoj një asociacion të tillë që do të kishte kompetenca ekzekutive. Dallimi nga kjo që themi ne dhe asaj që thotë një pjesë e opozitës është se ne garantojmë për këtë dhe punojmë për këtë, ndërsa ata bëjnë zhurmë, me qëllim të përfitimit të poenave politik tek elektorati. Qytetarët e vendit e kanë të qartë se kush çka dhe si ka punuar gjatë gjithë periudhave nëpër të cilat kemi kaluar ne dhe vendi ynë. Andaj edhe janë të ngopur më këtë qasje, që ka më shumë tendenca populiste, se sa që në vete ngërthen diçka konkrete.

Listat janë spekulim i pastër

Gazeta Blic: Pas kalimit në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Gjykatën Speciale, kanë filluar të dalin lista me emra të atyre që mund të akuzohen nga ana e kësaj gjykate. Si i komentoni këto lista?

Grabovci: E kam thënë edhe më parë, por po e përsëris: çështja e listave është një spekulim për mua. Emrat e listave nuk mund të dihen. I dinë vetëm ata që janë marrë me hetimin e çështjeve. Por, edhe sikurse të dihen emrat, do të ishte e pamoralshme të manipulohen me emra përderisa nuk janë bërë publik nga organi i akuzës, kur dihet se gjithë ata njerëz kanë familje, rrethin familjar dhe shkaktojnë shqetësim. Është e pandershme të manipulohet me emra. Ne e kemi mjaftë jetën tonë të rënduar me procese dhe shqetësime.

Gazeta Blic: Në lista janë përmendur edhe emra të rëndësishëm të partisë suaj, sikurse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti etj. Vërtetë mund të ketë lista me emra të tillë?

Grabovci: E përsëris se listat janë spekulime. Nuk kam ndonjë koment tjetër për këtë, përderisa nuk ka asgjë zyrtare. Megjithatë e them me bindje të plotë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe si e tillë është mbështetur nga qytetarët dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

Gazeta Blic: Zyrtarë nga partia juaj kanë deklaruar se Hashim Thaçi nuk është intervistuar nga askush. Keni informacione, është intervistuar apo jo z. Thaçi?

Grabovci: Nuk kam informacion, se z. Thaçi është intervistuar. Ai vazhdon të jetë njëri ndër liderët më të fuqishëm në skenën politike në vend, i cili po angazhohet që Kosovën ta përfaqësoj denjësisht në të gjithë skenën ndërkombëtare.
Ja kush është 1 e kush 2 i PDK-së

Gazeta Blic: Në opinion përflitet se ka një rivalitet të madh në mes të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, se kush ta ketë primatin në parti. A ekziston ky rivalitet dhe ku jeni ju në këtë mes, si ndër njerëzit më të fuqishëm të partisë? Jeni me Hashim Thaçin apo me Kadri Veselin?

Grabovci: Partia Demokratike e Kosovës, tashmë është dëshmuar si parti që kultivon vlerat demokratike, duke krijuar hapësirë veprimi e debati në strukturat e saj. Si parti, kemi kaluar edhe në procese të brendshme zgjedhore, ku janë zgjedhë në mënyrë demokratike organet e saja drejtuese. Zgjedhjet kanë qenë të hapura dhe mundësia e kandidimit ka qenë e hapur. Më vota unanime, në krye të partisë vazhdon të jetë kryetari i partisë, z.Hashim Thaçi, e zëvendëskryetar Kadri Veseli. Ndërsa unë jam njëri nga nënkryetarët e partisë. Në bazë të përgjegjësive të marra nga vota në parti, punës dhe angazhimit, kuptohet se është e përcaktuar edhe pozita. Të gjithë kryejmë punën tonë, për të cilën jemi të thirrur, me përgjegjësi të lartë. Edhe koordinimi dhe bashkëpunimi është në nivel të shkëlqyeshëm. Ne jemi njohur dhe kemi bashkëvepruar edhe në kohëra shumë të vështira, pa u ndalur, dhe duke qenë shumë koherent në mes vete. Dhe, tani vazhdojmë poashtu, në të mirë të fuqizimit të institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për asfarë rivaliteti.

Më Shumë

LDK-së në Prizren i bashkohet ish-komandanti i UÇK-së, Nexhmedin Kastrati

Ish-komandanti i UÇK-së, Nexhmedin Kastrati, i është bashkuar LDK-së në Prizren. Ai është mirëpritur nga kryetari i degës së këtij subjekti politik, Driton Selmanaj dhe...

Fatos Kongoli sot feston ditëlindjen e 81-të, ndër përfaqësuesit më të mirë të letërsisë shqipe

Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan dhe sot feston ditëlindjen e 81-të. Ai konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë...

Lajmet e Fundit