23.2 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

As pozita e as opozita nuk e gëzojnë besimin e qytetarëve

Muajve të fundit aq shumë është licitu me atë se kush e ka besimin e qytetarëve, pozita apo opozita. Pushteti vazhdon të thirret se e ka besimin e qytetarëve dhe si parametër matës nuk merr vetëm votat me të cilat qeverisë, por e merr edhe numrin e vogël qytetarëve që opozita po e mbledh në protesta, ndërsa opozita përmend peticionin kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilin thuhet se kanë nënshkruar mbi 200 mijë qytetarë, si dhe përmend manifestimin e fundit me 28 nëntor ku thotë se mblodhi rreth 35 mijë qytetarë.

Opozita ia thotë hapur pozitës se ajo për asnjë çështje nuk mund të mbledh kaq njerëz as nga ata mbi 91 mijë të punësuar në sektorin publik në nivelin qendror dhe lokal me para të buxhetit, të cilët do të rrezikonin humbjen e punës me mosdalje në ndonjë kundërprotestë që do ta thërriste pozita.

Analistë dhe njohës të çështjeve aktuale politike dhe ekonomike në vend ndërmjet këtij ‘dyluftimi” pozitë – opozitë i shohin qytetarët e Kosovës me hallet e problemet e veta, të cilat nuk po ua heq asnjëra palë, por edhe me këtë ‘dyluftim’ vetëm sa po ua rëndon edhe më shumë.

Sondazhet e ndryshme në media dhe ato të organizuara nga shoqëria civile vazhdimisht sjellin të dhëna që flasin për humbje të besimit të popullit te pushteti dhe institucionet e tij, sidomos në gjyqësorin. Tani më haptas flitet se në Kosovë nuk është gjyqësori, por është politika ajo që të fut në burg dhe ajo që të nxjerr nga burgu, ose nuk të lë të shkosh në burg. Dhe, shembuj për ta argumentuar këtë ka mjaft që nga rasti i Xhabir Zharkut.

Ish-politikani kosovar dhe njohësi i çështje politike, Azem Vllasi, thotë për KosovaLive se besimin e qytetarëve në kuptimin e plotë nuk e kanë asnjëra palë as pozita as opozita.

Sipas tij, me sjelljet e pozitës dhe opozitës, duke mos hapur mundësi për zgjedhje politike rreth temave që janë konfrontuar të dyja palët, ato vetëm sa po e humbin besimin e qytetarëve.

“Së pari opinioni qytetar në Kosovë për gjendjen që e kemi më shumë probleme nuk matet vetëm me qëndrim ndaj ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por tash opozita po thirret në peticionin dhe manifestimin që u mbajt të shtunën, kurse pozita në numrat e votave prej zgjedhjeve që i kanë.

Vlerësimi im është se po të mund të organizohej një protestë gjithëpopullore opozita do ta organizonte që moti. As pozita as opozita me këto sjellje nuk mund të organizojë protestë gjithëpopullore, po ashtu as pozita nuk mund të organizojë kontraprotestë gjithëpopullore për të treguar që ka shumicën e popullit pas vetes. Prandaj me këto mënyra nuk mund të testohet as disponimi gjithëpopullorë as besueshmëria që gëzojnë nga populli”, thekson Vllasi.

Ai pohon se në të dyja blloqet pozitë dhe opozitë, brenda tyre ka njerëz që përpiqen të ashpërsojnë gjendjen në vend në mënyrë që e vetmja rrugëdalje të mbesin zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Si duket në të dyja blloqet ka njerëz të tillë që i bëjnë pikërisht hyzmet kësaj pune. Ta ashpërsojnë gjendjen deri në parrugëdalje dhe të mbes e vetmja rrugëdalje zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kuptohet secili llogarit që në zgjedhje të jashtëzakonshme të dalë më mirë dhe ajo është një punë krejt tjetër, por po shihet që të dyja palët po i bëjnë hyzmet që të vjen puna deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme”, shton Vllasi.

Analisti Haki Abazi deklaron për KosovaLive se vetëm zgjedhjet e vërteta, të lira e demokratike mund të tregojnë se kush në fakt e ka besimin e qytetarëve.

Ai shton se dy zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë as të lira e as demokratike, pasi siç thotë përderisa në vitin 2010 janë vjedhur votat në mënyrë industriale në zgjedhjet e fundit janë zaptuar institucionet dhe gjykata kushtetuese duke zhveshur nga kredibiliteti institucionet e shtetit.

“Zgjidhja nga kjo situatë është qe të krijohet grup punues me të gjitha forcat parlamentare dhe shoqërinë civile për të diskutuar për marrëveshjen për Asociacionin dhe për marrëveshjen për vijën e demarkacionit kufitar. Derisa ky grup punues nuk del me pozicionim të qartë nuk do të duhej të ecej përpara në zbatimin e marrëveshjeve, ose zgjidhja e dytë janë zgjedhjet e lira e demokratike, me pozicion të barabartë për të gjitha partitë, të cilat do t’i përgatiste një qeveri teknokratike”, vlerëson Abazi.

Në tërë këtë situatë kur vendi po përballet me krizë politike më së shumti po e pësojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e pohojnë edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, ndërsa qytetarët janë ata që për tërë situatën e krijuar flasin me mllef dhe madje edhe me pendim për votën që e kanë dhënë.

Ali Kurteshi, qytetar nga Prishtina, thotë se edhe pse është kundër dy marrëveshjeve asaj për Asociacionin e komunave serbe dhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi megjithatë nuk pajtohet me veprimet e opozitës, por as me kundërpërgjigjen e pozitës.

Sipas tij, në krejt këtë situatë të krijuar në vend askush nuk po interesohet për qytetarët, ndërsa po mjegullohet ose po liget anash lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“Nuk pajtohem me veprimet e fundit të asnjërës palë as të pozitës e as të opozitës edhe pse edhe unë jam kundër këtyre marrëveshjeve që janë bërë nga qeveritarët tanë. Mënyra që e ka zgjedhur opozita për t’i kundërshtuar këto marrëveshje është e gabueshme dhe po e qon vendin drejtë një krize të thellë politike.

Edhe ashtu ne kemi probleme të shumta si korrupsioni e krimi i organizuar, papunësia e varfëria në shkallë të lartë dhe nuk na duhen probleme të tilla nga ata që ne u kemi besuar duke ua dhënë votën.

Të dyja palët duhet të reflektojnë, kryeministri duhet të shqyrtojë mundësinë t’i tërheq marrëveshjet, por edhe opozita e ka vendin në Kuvend dhe jo në burg e në rrugë”, nënvizon ai.

Se kosovarët e kanë humbur besimin në institucionet në vend e dëshmon edhe raporti i fundit “Pulsi publik 10” i publikuar muajin e kaluar nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ku një nga të gjeturat kryesore tregon se kënaqësia e qytetarëve me punën e institucioneve ka arritur nivelin më të ulët që nga marsi i vitit 2007.

Sipas këtij hulumtimi të UNDP-së dhe USAID-it se vetëm 18 % e kosovarëve janë të kënaqur me institucionet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në vendin tonë.

Derisa në mars të këtij viti 24 % e qytetarëve shpreheshin të kënaqur me punën e kryeministrit, në shtator kjo kënaqshmëri bie në vetëm 15 % të qytetarëve që janë deklaruar të kënaqur me punën e kryeministrit.

Të gjeturat gjithashtu tregojnë se faktorët ekonomikë, si papunësia, varfëria dhe korrupsioni vazhdojnë të mbeten problemet më madhore në Kosovë.

Raporti thotë se 43 % e qytetarëve kanë deklaruar se e shohin papunësinë si problemin më të madh, 31 % varfërinë, ndërsa 45 % e kosovarëve mendojnë se korrupsioni është problemi më i madh. /KosovaLive

Më Shumë

Adhuruesi i kafshëve nga Gjermania vjen në Prizren për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së qenve endacakë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot Michael Berger, adhurues i kafshëve nga Gjermania, i cili ka shprehur interes për t’u bashkuar...

Korrje-shirjet vazhdojnë në Komunën e Rahovecit

Në Komunën e Rahovecit po vazhdojnë me intensitet të lartë korrje-shirjet, ndërsa autoritetet komunale po ndjekin nga afër punën në terren. Kryetari i Komunës, Smajl...

Lajmet e Fundit