31.4 C
Prizren
E enjte, 28 Gusht, 2025

Gjykata hedh poshtë refuzimin e aktakuzës nga ish-rektori Hasani

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar edhe sot procesi gjyqësor kundër ish-rektorit dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit dhe dy të tjerëve, Hakif Veliu, ish-shef i zyrës së prokurimit në Universitetin e Prishtinës dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

Gjatë kësaj seance gjyqësore është hedhur poshtë refuzimi i aktakuzës nga të dyshimtit.

Gjyqtarja Afërdita Bytyqi refuzon kërkesat e mbrojtjes së Hasanit dhe të tjerëve për hedhje poshtë të aktakuzës.

Sipas saj, kjo çështje duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor dhe të procedohen provat e propozuara nga prokuroria si dhe nëse do të ketë edhe prova tjera me qëllim që të zbardhet dyshimi i bazuar nëse të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Prokurorja Drita Hajdari ka thënë se e kupton tendencën e mbrojtësve për kundërshtimin e akuzës, por aktakuza sipas saj është e mbështetur në prova të sigurta.

Bajram Tmava, avokat mbrojtës i Hasanit, tha se nuk ka asnjë provë direkte për të mbrojturin e tij.

Sipas tij, “aktakuza bazohet në supozime siç është se Hasani që prokuroria e konsideron të akuzuar, si rektor i universitetit kontratën e ka dërguar në Tiranë, por me asnjë provë nuk e vërteton këtë rrethanë dhe çështja e fundit është se aktakuza bazohet edhe në mbrojtjen e të bashkakuzuarve dhe nga dispozita e nenit 264 është e qarte se fajësia nuk mund të vërtetohet në bashkëfajësi.

Rikujtojmë se Hasani nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Seanca fillestare e këtij gjykimi është mbajtur më 8 dhjetor./Kallxo.com

Më Shumë

Artur Zheji përcillet për në banesën e fundit

Përcillet për në banesën e fundit gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë pas...

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala zgjidhen nënkryetarë të Kuvendit

Albulena Haxhiu është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit e cila u propozua nga Vetëvendosje, ndërkohë nga PDK e LDK, janë propozuar dhe zgjedhur Vlora Çitaku,...

Lajmet e Fundit