9.5 C
Prizren
E enjte, 13 Nëntor, 2025

Sali Asllanaj: LDK nuk përjashton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sali Asllanaj, i ka bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka vlerësuar se është një pamje jo e këndshme në Kuvendin e Kosovës meqë po mungon debati i mirëfilltë në mes të pozitës dhe opozitës.

“I bëj apel opozitës të kthehet në Kuvend, sepse aty ka hapësirë të mjaftueshme t’i prezantojë të gjitha idetë. Natyrisht nuk është e përjashtuar edhe forma që përmes protestave të prezantohen qëllimet politike, por Kuvendi është vendi ku debatohet dhe ngërthehen argumentet e palëve të ndryshme”, ka deklaruar Asllanaj.

Ai ka thënë se pamjet e gazit lotsjellës në Kuvend dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore me koktej molotovi nuk janë imazhe pozitive për vendin tonë.

Sipas Asllanajt, kriza politike do të tejkalohet me sukses vetëm duke u respektuar rregullat demokratike dhe ligjet.

“Opozita e ka një synim, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Kjo po shndërrohet në një precedan që çdoherë pala e pakënaqur, në këtë rast humbësit e zgjedhjeve, pretendojnë zgjedhje të parakohshme. Prandaj, ky model nuk është shumë i pëlqyer, sepse krijon destabilitet të përhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai, duke shtuar se kohët e fundit ka shenja të përçarjes së opozitës së bashkuar.

“Kjo është çështje e brendshme e partive opozitare, megjithatë në horizont duket një moskoordinim i proceseve të përbashkëta, sepse kohët e fundit ka pasur vendime të njëanshme të AAK-së dhe të Nismës, të cilat në njëfarë forme janë distancuar prej akteve të dhunës. Në këtë aspekt, duket një mospërputhje e koncepteve politike sepse qëllimet i kanë të njëjta, por mjetet për t’i realizuar dallojnë”, ka theksuar Asllanaj.

Ai i është kundërpërgjigjur edhe sekretarit të Vetëvendosje!-s, Dardan Molliqajt, sa i përket një koalicioni të mundshëm LDK-VV.

Asllanaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen LDK-ja të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. /Epoka e Re/

Më Shumë

Rahoveci 029 fiton trillerin në Prizren ndaj Vëllaznimit

Në një ndeshje dramatike dhe plot emocione, Rahoveci 029 ka triumfuar ndaj Vëllaznimit me rezultat të ngushtë 81:80 në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit. Takimi...

Kërkohet paraburgim prej 30 ditësh për Astrit Isufin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ndaj të pandehurit Astrit Isufi, ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë...

Lajmet e Fundit