17.5 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Ekuilibruesi virtuoz

Trashëgimia e Hans-Dietrich Genscherit mbetet busull orientuese deri më sot. E megjithatë në shekullin e 21-të orientimet e politikës së tij kanë mbërritur në limit.

Hans Dietrich Genscher nuk ishte politikani i jashtëm i lindur. Megjithatë ai u bë simboli i ministrit të Jashtëm gjerman, 18 vjet me radhë. Ai e përfaqësonte, e jetonte, ai e mishëronte politikën e jashtme të Republikës Federale. Një politikë gjithmonë e orientuar nga ekuilibrimi – ekuilibrimi i vazhdueshëm me partnerët e tjerë në Europë, në SHBA, por edhe me fqinjët lindorë, në atë kohë ende armiq, dhe me superfuqinë sovjetike. Ky kërkim i vazhdueshëm për kompromise, për linjat e kompromisit, ku shpesh rruga ishte qëllimi, ka qenë melodia kryesore e politikës së jashtme të Genscherit. Toni bazë i politikës gjermane të pasluftës.

Një ton, i cili, me që ra fjala, nuk i pëlqente gjithmonë të gjithëve, sidomos në SHBA. Në Uashington arti i ekuilibrimit politik shihej si një politikë e jashtme e përafërsisë, e paqartësisë, e pavendosshmërisë. Kështu disa homologë nga ana tjetër e Atlantikut e mbanin Genscherin për një partner të pasigurtë, të lëkundur, “compagnon de route”. Manovrueshmërinë, të cilën e ai zotëronte aq mirë dhe me virtuozitet, madje përtej hendeqeve të thellë të armiqësisë, Uashingtoni e shihte si një politikë të jashtme pa bosht.

Busull orientuese deri më sot

Politika e jashtme e Genscherit është kthyer në busull të politikës gjermane, të politikës gjermane të bashkimit. Pra politikë e jashtme gjermane, sot në Berlin si më parë në Bonn, do të thotë mundësisht të ruash marrëdhënie të mira me të gjithë, e në rastin më të keq të mos e ndërpresësh komunikimin. Një politikë e tillë e jashtme është e thellë dhe bazohet në të përbashkëtat europiane – edhe pse shpesh kritike – ajo është e rrënjosur në politikën perëndimore të aleancës. Ajo kërkon gjithmonë kompromisin, ekuilibrin, -së fundmi e tregon këtë qëndrimi ndaj Moskës në krizën e Ukrainës. Kjo politikë nuk e këputi fillin e komunikimit, duke mbajtur e xhongluar në të njëjtën kohë me shumë topa diplomatikë. Ky lloj virtuoziteti i Genscherit ëshët kthyer në model orientues për pasardhësit e tij,- deri më sot. Klaus Kinkel, Joschka Fischer, Guido Westerwelle apo Steinmeier – të gjithë kërkonin dhe kërkojnë shtendosjen e konflikteve apo rrezikut të luftës me mjetet e diplomacisë.

Politika e jashtme gjermane është për këtë arsye gjithmonë një diplomaci e qëndrimit të rezervuar në pikëpamjen ushtarake, qoftë në misionin në Ballkan apo Afganistan. Në sytë e krerëve të diplomacisë gjermane, lufta jo vetëm që është alternativa më e fundit, por ajo nuk është alternativë në vetvete. Politika e jashtme gjermane, tek e cila ka lënë gjurmën e pashlyeshme Hans Dietrich Genscher, është diplomacia pa armë, pa ushtri. Politika e jashtme gjermane përdor në vend të kësaj „soft skills“, mjetet e buta, forcën e bindjes në vend të topave. Natyrish ky është mësim nga Lufta e Dytë Botërore, por ai vepron ende, edhe 70 vjet pas luftës në politikën e jashtme gjermane.

Koha e vetëpërmbajtjes ka marrë fund

Po t’i pyesësh gjermanët, ata e shohin veten me dëshirë si „Zvicra e gjelbër“: të rehatuar mirë brenda mirëqenies së tyre, të preokupuar me veten dhe mundësisht larg botës. Por ky është iluzion. Gjermania është një fuqi mesatare e vërtetë, në Europë madje një superfuqi. Në krizën e euros, por edhe në atë të refugjatëve, europianët e tjerë i drejtuan sytë, pjesërisht me habi drejt gjermanëve të vetësigurtë. Një qeveri gjermane që u dikton partnerëve të saj kushte, dhe që nuk është më e preokupuar vetëm të ruajë konsesusin harmonik mes të gjithëve – së paku jo në kurrizin gjerman.

Këtu bëhet e qartë se politika e jashtme e Genscherit, sa racionale dhe e mençur në mosmbivlerësimin e ndikimit të saj, ka mbërritur në limite në shekullin e globalizimit. Sigurisht Gjermania nuk do zbulojë papritur me arrogancë dhe në mënyrë të paarsyeshme mjetet luftarake – por ajo është më e kërkuar se kurrë. Koha e vetëpërmbajtjes ka marrë fund. Politika e jashtme gjermane, sigurisht duke ndjekur gjurmët shpirtërore të Hans-Dietrich Genscherit, do duhet të përgatitet për këtë. /DW/

Më Shumë

Vdes themeluesja e PSD-së, Kaqusha Jashari

Ka vdekur sot në mëngjes  Kaqusha Jashari, një aktiviste në jetën politike në Kosovë e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të...

Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut...

Lajmet e Fundit