19.4 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025

Riformatimi i frikëson partitë respektive nga çarjet e brendshme

Sipas deklarimeve nga PDK-ja dhe LDK-ja po shihet që asnjëra dhe as pala tjetër nuk kanë vullnet për riformatimin e Qeverisë dhe ndërrimin gjeneral të të gjithë ministrave, që me punën e deritanishme u treguan të dështuar.

Sipas analistëve politikë, një hezitim i tillë i futjes në këtë proces ristrukturimi të kabinetit qeveritar vjen nga frika e madhe, që kanë liderët e dy partive politike në pushtet, që gjatë hapjes së procesit të riformatimit të Qeverisë me përmasa të tilla do të mundë të ballafaqohen edhe me rrezikun e destabilizimit të brendshëm të strukturave partiake, çarjeve në grupe të ndryshme të interesit.

“Edhe pse është paralajmëruar riformatimi i Qeverisë tash e sa muaj, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Kjo vonesë mund të shkaktohet për arsye se mund të ketë telashe dhe mospajtime brenda partive në pushtet, PDK-LDK, se cilët ministra duhen ndërruar”, tha politologu Faik Krasniqi.

Ai vlerëson se edhe nëse merret ky lloj veprim, qoftë edhe nën presionin ndërkombëtar, qeverisja nuk mund të përmirësohet, sepse klientelat kriminale nuk lejojnë emërime të njerëzve profesionistë dhe që kanë interes zhvillimin e vendit, por plaçkitjen për interesin e oligarkisë politike të instaluar në pushtet.

“Edhe riformatimet e deritashme janë bërë për të mbuluar dështimet e Qeverisë me ndryshime të emrave, por që në thelb asgjë nuk është përmirësuar. Siç kemi rastin e fundit, riemërimin e Enver Hoxhajt ministër të Jashtëm. Asgjë më shumë se riciklim”, theksoi ai.

Ruajtja e status-kuosë i një vlerësimi identik të situatës është edhe magjistri i shkencave politike, Ali Hertica.

“Shumë herë është thënë se do të bëhet riformatimi i Qeverisë “Mustafa”, por kjo nuk ka shenja të ecjes përpara. Po shihet publikisht nga deklarimet e zyrtarëve të të dy subjekteve politike se nuk kanë vullnet as guxim të futen në një rishikim pozitiv të kabinetit të ministrave. Krejt ajo që mund të thuhet si arsyetim është pritja e plotësimit të dy vendeve të liruara nga largimi i Hashim Thaçit në Presidencë, kinse ata kanë hedhur një hap pozitiv kur është nominuar Enver Hoxhaj si ministër i Punëve të Jashtme, ndonëse ata nuk janë deklaruar se ky do të jetë edhe fillim i riformatimit qeveritar”, tha Hertica.

Ai thotë se PDK-ja dhe LDK-ja janë të kapura nga brenda prej strukturave të krimit, prandaj duan ta ruajnë një status-kuo dhe paqe nga çarja brendapërbrenda, çarje që mund të ndodhë, nëse preken disa ministra dhe grupet e interesit të lidhura rreth tyre.

“Kjo tregon se në mes dy subjekteve të koalicionit është një shenjë e madhe e frikës se me ndërrimin e disa figurave politike, që thuajse totalisht kanë dështuar në rolin e tyre udhëheqës, mund të plasë sherri i përçarjes, që mund të jetë edhe një përfundim më i shpejtë i jetëgjatësisë së këtij koalicioni për interesat e caktuara të individëve, jo për mirëqenien e qytetarit”, tha Hertica për “Kosova Sot”.
Sipas tij, ruajtja e kësaj status-kuoje më shumë i duhet LDK-së së çarë, që në fillim të marrëveshjes me PDK-në, derisa Kadri Veseli me PDK-në veç janë duke menduar edhe ashtu që pas realizimit të planit strategjik, marrjes së pozitës së presidentit, tani ta çojnë vendin në zgjedhje dhe kreu i PDK-së të futet edhe në garë për të marrë pozitën e kryeministrit të Kosovës./Kosova Sot/

Më Shumë

Wendell Green shpallet MVP i ndeshjes Trepça-Bashkimi

Basketbollisti i Bashkimit është shpallur MVP i finales së katërt, raporton PrizrenPress. Ai ishte në garë të ngushtë me Michael Myers të Trepçës, por me...

Të gjitha biletat për finalen Bashkimi – Trepça janë shitur, pritet atmosferë e jashtëzakonshme në Prizren

Finalja e sontme ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, që do të luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, pritet të zhvillohet përpara një audience të...

Magjia e dritës

Lajmet e Fundit