7.7 C
Prizren
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Iku në Toronto 15 vjeç, kthehet si pianisti më i mirë në botë

RudiniNdoshta nuk njihet shumë në Shqipëri, por në botë emri i tij lakohet. Është pianist dhe i suksesshëm madje. Ka vite të tëra që i përkushtohet pianos. Aktualisht, është ende beqar, por të jeni të sigurt se ai do të ishte dhëndri perfekt për të gjitha nënat. “Shekulli” më në fund arriti të linte një takim me Lengon. Por, menjëherë na ra në sy një Rudin tjetër nga ai djali serioz që paraqitet në skenat e mëdha botërore. Rudini nuk kishte veshur kostumin e një pianisti klasik dhe as këmishën e profesorit të pianos, siç bën çdo ditë. Ishte veshur me një palë xhinse, gjë që na bëri të mendojmë menjëherë që e njohim shumë pak këtë talent shqiptar. Të tillë janë personazhet me të cilët duhet të krenohemi, e megjithatë jo i gjithë faji i mungesës së informacionit i takon medias shqiptare. Vetë Rudin Lengo nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri për 12 vjet. Karriera e tij e suksesshme e ka bërë t’i largohet paksa realitetit shqiptar. Në këtë intervistë ai do të na rrëfejë vizitën e tij pas shumë kohësh në Shqipëri dhe kujtimet që mori me vete në Toronto. Që prej mbarimit të shkollës tetëvjeçare, Lengo u shpërngul së bashku me familjen e tij në Kanada. Mësimet e para të pianos i ka marrë në Shqipëri, në Tiranë, por jo pak borxhli ndjehet edhe ndaj Kanadasë, e cila ka ditur ta vlerësojë gjithnjë.

Çfarë marrëdhënieje ka një shqiptar si ju në Kanada me Shqipërinë?

Është një marrëdhënie e paprekshme, një marrëdhënie që askush nuk mund ta shkëpusë. Ne në shtëpinë tonë flasim gjithmonë shqip, vetëm kur nuk mundemi. Tashmë familja është rritur dhe nuk jemi më të gjithë shqiptarë. Kështu që na qëllon ndonjëherë të flasim anglisht. Edhe në Toronto, kur takohem me shqiptarë, ndjehem mirë, flasim shqip dhe kujtojmë një Shqipëri ndryshe, më të vjetër. Shqipëria është një vend i bukur, një vend me kapitale të jashtëzakonshme natyrore, por që për shkak të impenjimeve dhe anës financiare nuk kam mundur ta vizitoj shumë. E megjithatë, përtej gjithë udhëtimeve që kam bërë në botë, Shqipëria është një vend i bukur në zemrën time.

Çfarë përshtypjeje të la vendi ku ke lindur pas 12 vjetësh?

Ndihem mirë që shoh se gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Më vjen ta krahasoj këtë kryeqytet me Manhatanin, vendin ku kam studiuar. Këtu gjen vajza shumë të bukura, që aty nuk i gjen, ose të paktën veshja e tyre nuk është kaq e kujdesur sa këtu. Nëpër botë veshja dhe pamja e jashtme është më praktike. Këtu sheh makina shumë të bukura, por njëkohësisht edhe varfëri të madhe. Lypësit e Tiranës i ngjajnë atyre të Manhatanit, edhe makinat, edhe trafiku. E përtej të gjitha këtyre gjërave, vonesës së rrogave, mos vëmendjes që i kushtohet artit, muzikës dhe një pjese të madhe të shoqërisë, Shqipëria po ndryshon. Shoh një valë të mirë zhvillimesh dhe ndryshimesh. Sigurisht që vetëm pak vite më vonë Shqipëria do të jetë njëlloj me vendet e Europës Perëndimore. Unë jam i bindur për këtë. Sepse bindja e këtij populli që gjej sot ma thotë këtë.

Një nga emocionet e tua më të bukura që ke marrë në Shqipëri?

Kur erdha në tetor në Shqipëri, pas rreth 11 a 12 vjetësh, në një koncert takova mësuesin tim të parë të pianos. Kishte ardhur të më ndiqte në koncertin e parë që jepja në Shqipëri. Unë nuk e dija, por kur e takova, pas shfaqjes, ai ishte aq i mallëngjyer dhe aq i prekur nga performanca ime sa që e kisha të vështirë të mos emocionohesha kur më tha që ndihet krenare për mua. Është një nga kujtimet më të bukura që kam nga Shqipëria.

Edhe pse ka pak vite që dhuron magji me koncertet e tij recitale nëpër botë, çmimet që ka mundur të fitojë ai nëpër botë kanë qenë të shumta. Përveç faktit që është vlerësuar me mundësinë e të dhënit mësim në Shkollën e Muzikës në Toronto, Rudin Lengo ka fituar disa çmime në garat në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe. Lengo ka qenë përfituesi i mbi 50 çmimeve dhe bursave për arritjet e tij muzikore dhe akademike. Përmendim këtu ato më të rëndësishmet pasi po t’i rendisnim të gjitha do të duhej shumë hapësirë: “Glenn Gould School Concerto Competition”, e ka shpallur atë pianistin më të mirë të edicionit në vitin 2012. “Knigge Music Competition” i ka dhënë një tjetër çmim. Në vitin 2010 është nderuar edhe me një triumf tjetër në “TD Elora Competition”, pastaj “Mary Winston Smail Memorial Award”, ku u dekorua si pianisti më i mirë i vitit 2011.

Më Shumë

Ministria e Ekonomisë i bën thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike: Sistemi ynë është ngarkuar tej mase

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se mbrëmë vonë ka mbajtur takim të përbashkët me KOSTT dhe KEDS për të trajtuar situatën e furnizimit me...

Banorët e disa fshatrave protestojnë para KEDS-it në Prizren, kërkojnë furnizim të rregullt e cilësor me energji elektrike

Banorët e disa fshatrave të Prizrenit, të premten, kanë protestuar në hyrjen e ndërtesës së KEDS-it në Prizren, duke shprehur pakënaqësinë për furnizimin e...

Lajmet e Fundit