Këtyre muajve të verës Prizreni mund të thuhet lirshëm se është shndërruar në një qytet me kaos në trafik. Shtimi i veturave të shumta, sidomos atyre të mërgimtarëve ka bërë që rrugët përbrenda qytetit të behën të pa kalueshme. Vozitësit e automjeteve e sidomos ata të taksive thonë se kjo gjendje po u sjell bezdi, ndërsa policia zotohet për kryerjen e detyrave me përpikëri.
Shaban Mazreku punon si taksist në Prizren. Për të ditët e verës janë bërë shumë të mërzitshme, pasi që punon dhjetë orë të plota. Kolona të shumta nga automjetet presin në radhë, ndërsa kjo vërehet në masë të madhe tek unaza e qytetit. Aty ndodhet edhe Shabani i cili bënte bartjen e pasagjerëve të tij. Thotë se po e bezdis pritja këtyre ditëve kur në dritaren e tij rrezaton dielli bukur shumë.
Për ta bërë një gjiro përreth unazës së qytetit një shoferi i nevojitet hiq më pak se gjysmë ore, pasi që duhet të vozis me një shpejtësi shumë të ngadalësuar e shpesh herë madje të ndalojë veturën për të pritur në radhë. Ky kaos në komunikacion ka filluar të jetë i pranishëm që nga fillim i muajit korrik kur në Kosovë kanë ardhur mërgimtarëve për pushime. Sikurse Shabani ka edhe shumë vozitës të tjerë të cilët janë mërzit nga kjo tollovi që po i shoqëron në rrugë.
Në rrugët më frekentuese të qytetit vërehen kohë pas kohe patrulla policore të cilat përcjellin gjendjen. Ndonëse me një plan operativ të marrë për sezonin veror policia thotë se nuk mund t’i eliminojë tollovitë pasi që shumica e rrugëve të Prizrenit janë të ngushta.
Zëdhënësi Hazir Berisha i tha Radio Kosovës se është angazhuar i tërë personeli, përderisa u zotua në kryerjen e detyrave.
Drejtuesit e automjeteve shpresojnë që gjendja në komunikacionin e Prizrenit të përmirësohet në këtë fund muaj pas largimit të mërgimtarëve, ndërkohë policia bën apel tek shoferët që t”i respektojnë rregullat në komunikacion dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit në mënyrë që t’u iket aksidenteve.