U mbajt konferenca e dytë për medie e festivalit që nisi rrugëtimin e tij të 15-të, DokuFest. Në këtë konferencë u shpalos program i sotëm me theks të veçantë i tre filmave ndër të cilët është edhe filmi nga Kosova “Daullet e rezistencës” (Drums of resistance), që është shkruar nga Mathieu Jouffre dhe Besa Luci nën regjinë e Mathieu Jouffre. Ndërsa dy filmat e tjerë janë “Bugs”, me regji të Andreas Johnse nga Danimarka dhe “Those who jumps”, film ky i Moritz Siebert & Estephan Wagner dhe Abou Bakar Sidibé.
Të pranishëm për të folur rreth filmave të tyre ishin edhe regjisorët, të cilët fillimisht u shprehën të lumtur që filmat e tyre janë përzgjedhur në kategori të ndryshme, në konkurrencë zyrtare në festivalin prizrenas. Fillimisht fjalën e morën krijuesit e filmit “Drums of resistence”, dokumentar ky që flet për një shoqëri të organizuar dhe një realitet paralel në ish-Jugosllavi. Tregon se si ndarja dhe aparteidi u bënë norma.
Besa Luci, në këtë konferencë, pak orë para se të shfaqet filmi tha se shumë pak është dokumentuar rreth viteve të 90-ta, dhe mendon që mobilizimi i njerëzve si shoqëri në atë kohë ka qenë mjaft i madh.
“Çdonjëri në ato vite është munduar të kontribuoj diçka në mënyrë që të sigurohet që të vazhdoj një lloj jete publike. Unë si e shoh këtë është duke u nisur në sistemin arsimorë, ku njerëzit i kanë dhënë shtëpitë e tyre, kanë dhënë çdo gjë që kanë pasur që të sigurohen që arsimi vazhdon në njëfarë forme, dhe kjo ka qenë një gjë shumë e mirë, pasi që, këto vlera kanë qenë që na kanë mbajtur si shoqëri gjatë atyre viteve, e që sot shumë pak iu referohemi. Për ne në film ka qenë e rëndësishme kjo, se si mundemi që me anë të dokumentimeve të ndryshme jo vetëm ti veçojmë por edhe ti kujtojmë ato vlera që na kanë rrethuar”, theksoi skenaristja Besa Luci.
Premiera ndërkombëtare e filmit dokumentar “Daullet e Rezistencës” do të shfaqet më 14 gusht në orën 15:00 në Sarajevë.
Ndërkohë dy filmat e tjerë dokumentarë janë krejtësisht të kundërt njëri nga tjetri. “Bugs”, i regjisorit Andreas Johnse flet për dy kuzhinierë që hulumtojnë shijet dhe gatimet nga insektet në gjithë botën-në atë që thuhet se do të jetë e ardhmja e ushqimit. E dokumentari “Those who jump”, i Moritz Siebert zhvillohet në Marokun verior, ku gjendet enklava spanjolle e Melilla:Evropa në Tokën e Afrikës. Në malin sipër, jetojnë më shumë se një mijë emigrant afrikanë.
Të tre këta filma konkurrojnë në kategori të ndryshme, ndërsa i pari që do të shfaqet para audiencës së madhe të DokuFest-it, do të jetë filmi kosovar “Drums of resistence”.