19.2 C
Prizren
E martë, 29 Prill, 2025

Gjykimet e ndjeshme drejt dështimit

Reduktimi i përshkallëzuar i kompetencave të EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit, dhe kalimi i shumë rasteve serioze për trajtim te institucionet e drejtësisë kosovare, po shihet me shumë mosbesim për trajtim efikas dhe ndëshkim eventual meritor. Raste të njohura si ai i APEC-ut, për pronat, e raste të ngjashme serioze, janë transferuar në organet e drejtësisë kosovare, edhe pse gjykatat edhe prokuroria vendore janë të kapura dhe ndikuara nga politika e parapolitika.

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, e konsideron si veprim të nxituar të EULEX-it, kalimin me aq lehtësi të rasteve me dyshime serioze për krim dhe korrupsion në institucionet vendore të sundimit të ligjit, ngase, sipas Spahiut, drejtësia kosovare nuk po arrin t’i gjykojë në mënyrë profesionale dhe krejtësisht të pavarur edhe disa raste nga më të lehtat të dyshimeve për vepra penale, e lëre më të ketë guximin dhe kurajën që të ballafaqohet edhe me “elefantët” e krimit dhe korrupsionit ordiner të lidhur me politikën.

“Gjyqësia e Kosovës, fatkeqësisht, nuk është e gatshme me u marrë as me çështje të lehta e lëre më me ato të rënda. Nga të gjitha fushat e jetës publike në Kosovë, gjyqësia është në pozicionin më të mjerë. Çdo fushë ka heronjtë e vet, por vetëm në gjyqësi nuk kemi heronj”, theksoi Spahiu.

Rrjetet kriminale ndikojnë në drejtësi

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se çështja e ndarjes së drejtësisë në Kosovë është një ndër problemet më akute dhe nuk ka funksionuar si duhet që nga fillimi, e nuk po funksionon as tani 8 vjet pas pavarësimit të shtetit të Kosovës. Kelmendi thotë se e mbrapshta në sistemin e drejtësisë është instaluar që nga ditët e para të pasluftës dhe nuk është vendosur asnjëherë në binarët profesionalë dhe të shkëputur nga ndikimet e rrjeteve kriminale të nëntokës dhe oligarkisë kriminale.

“Kjo për faktin se si gjykatat, ashtu edhe prokuroria, dhe vetë policia, rrjedhimisht nga viti 1999, kanë qenë në duar të grupeve mafioze dhe kriminale politiko-ekonomike. Duket sheshit se kompetentët që e kanë vendosur kuadrin në këto tri struktura të luftimit të krimit kanë qenë të interesuara që të vazhdohet në pafundësi çështja e krimit për t’ua shtuar dhe zgjatur jetën mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, mekanizma të cilët kanë pasur dhe klane për përfitime të mëdha ekonomike”, ka thënë ai për “Kosova Sot”.

“Kjo skemë del nga UNMIK-u dhe tash vazhdon edhe nga EULEX-i. Të dy këto subjekte i kanë vendosur njerëzit e korruptuar dhe të kontrolluar nga ata dhe nga politika kosovare nëpër gjyqësor, prokurori dhe në polici. Dhe, si të tillë kanë zgjatur rastet nëpër gjykatat me vite të tëra. Ka raste sikundër dihet që në polici janë vjedhur provat dhe materialet e tjera të tubuara në luftë kundër kriminalitetit. Kemi gjithashtu raste kur në prokurori është ndërprerë e tërë hetuesia, sepse njerëzit (prokurorët) kanë qenë të politikës”, vijoi më tej ai.

“Edhe tani kalimi aktual i rasteve, sikundër është APEC-u, apo rasti me prona, sikundër rastet e tjera më herët, tregojnë se EULEX-i vetëm ka për qëllim ta zhveshë tërësisht Gjyqësorin dhe Prokurorinë e Kosovës. Ata e dinë se nuk kanë mundësi dhe dëshirë që mekanizmat e brendshëm të ndarjes së drejtësisë të merren me rastet e tilla të rënda, apo edhe në të ardhmen të kapin këtë çështje”, tha Muhamet Kelmendi. /Kosova Sot

Më Shumë

Prizreni promovohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Colors of the World” në Stamboll

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit dhe Kulturës “Colors of...

DokuFest dhe Kino Kosova lansojnë “Re-Connect” për të rinjët nga Kosova dhe diaspora

DokuFest dhe Kino Kosova kanë hapur aplikimet për programin "Re-Connect", një iniciativë që synon të bashkojë të rinjtë nga Kosova dhe diaspora për të...

Lajmet e Fundit