32 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

17 vjet pas lufte, asnjë padi e Kosovës kundër Serbisë

Autoritetet shtetërore kritikohen për neglizhencë dhe paaftësi. Ndonëse ka pasur fakte të shumta, drejtësia kosovare nuk arriti ta adresojë këtë çështje asnjëherë. Edhe ndonjë padi individuale, si në rastin e “Kosova Sot”, nuk u trajtua kurrë nga gjykatat e Kosovës.

Asnjëra nga qeveritë e pasluftës në Kosovë, përfshirë edhe Qeverinë aktuale, duke mos anashkaluar edhe UNMIK-un dhe EULEX-in, së bashku me drejtësinë kosovare, asnjëherë deri më tani nuk treguan vullnetin apo mbase edhe nuk kanë guxuar nga dikush jashtë që ta bëjnë një akuzë dhe një padi për krime dhe dëme lufte kundër Serbisë. Përmes kësaj padie synohet kompensimi i dëmeve nga Serbia në ekonominë dhe pronat e qytetarëve të Kosovës, që kapin shumën miliarda euro që janë të shkaktuara qëllimshëm nga aparati shtetërorë serb dhe kriminelët e saj në Kosovë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kësisoj, pra, edhe 17 vjet pas luftës pushtetarët tanë kanë dështuar plotësisht në adresimin dhe gjykimin e krimeve dhe dëmeve të luftës, që i kishte bërë Serbia gjenocidale në Kosovë. Ndonëse për këtë i patën të gjitha mundësitë dhe faktet që të ushtrojnë padi penale e civile, e madje me mundësitë edhe për akuzën për gjenocid të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, kjo deri sot nuk ka ndodhur. Kështu të paktën vlerësojnë analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët edhe kanë apeluar që nga kryetari i shtetit, kryeministri dhe kryekuvendari, duke kërkuar nga ata që ta urdhërojnë Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, ta caktojë një ekip të veçantë të prokurorëve për ta marrë seriozisht këtë çështje.

Anëtarësimi në Konventë, parakusht për ngritjen e padisë për gjenocid

Analistët njëherësh thonë se ngritja e një padie të tillë ndaj Serbisë, përveçse ndihmesë për drejtësinë, do të ishte edhe një satisfaksion moral për familjarët e viktimave, invalidëve të luftës dhe për familjaret e 1700 të pagjeturve nga lufta e fundit.

Zyrtarë të Prokurorisë dhe Qeverisë së Kosovës për disa ditë me radhë nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me çështjen që po trajtohet. Ndërkaq, këshilltari i Edita Tahirit, kryenegociatore e Kosovës me Serbinë, Gazmir Raci ka thënë se për këtë çështje gazeta duhet t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërsa në përgjigjen e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmes Zyrës për Informim, thuhet se Ministria e Drejtësisë është e gatshme dhe ka vullnetin të përgatisë padinë për gjenocid ndaj Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, një gjë e tillë mund të bëhet nëse ka vullnet dhe përkushtim politik nga aktorët e tjerë institucionalë.

“Parakusht për një gjë të tillë është aderimi i Republikës së Kosovës në Konventën për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit dhe gjenocidit të bërë në vitin 1948. Ndërkaq, kompetente për një veprim të tillë është Ministria e Punëve të Jashtme”, thekson MD-ja.

Në vazhdim të përgjigjes së MD-së, thuhej se Ministria e Drejtësisë është e gatshme dhe në dispozicion të plotë për të ndihmuar në procesin e aderimit të Republikës së Kosovës në Konventën për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit dhe gjenocidit të vitit 1948.

“Për një veprim të tillë, ka fakte të mjaftueshme dhe mund të bëhet me funksionalizimin e mëtejmë të Institutit për Krime të Luftës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, gjë e cila është një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë. Njëherësh, me një bashkëpunimin dhe koordinim më të mirë në mes institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me sektorin e sundimit të ligjit, mbledhja e fakteve do të intensifikohej, me ç’rast krijohet një bazë e fuqishme faktike për të ngritur padi kundër Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, vijon më tej përgjigjja e MD-së.  (Kosova Sot)

Më Shumë

Kuvendi i Prizrenit me 3 qershor vazhdon shqyrtimin e Projekt-Rregullores për varrezat e reja në Landovicë

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit të datës 29 maj 2025 është caktuar për të martën,  me 03 qershor 2025, nga...

Rriten shtesat për lehona

Qeveria në detyrë ka rritur shtesat për nënat lehona. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se do ta...

Lajmet e Fundit