-0.3 C
Prizren
E shtunë, 18 Janar, 2025

LDK-ja zhvati votat, harroi vrasjet

Aktivistët e Lidhjes Demokratike përkujtohen një ditë, harrohen një vit.

“Në fushatën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme, Isa Mustafa me përcjellës, përkatësisht tani qeveritarë, jo pak vota i kanë marrë nga elektorati edhe në saje të zotimeve se në rast të marrjes së pushtetit do t’i zbulojnë vrasësit e veprimtarëve, kryesisht nga provenienca e LDK-së, dhe të njëjtit konform me ligjin do t’i ndëshkojnë. Ndërkaq, së paku deri tani, ata asgjë prej gjëje nuk kanë ndërmarrë”, tha prof. Riza Smaka, raporton Gazeta Kosova Sot

Edhe pse po bëhet më shumë se një dekadë e gjysmë nga funksionimi i institucioneve të reja të Kosovës, sa nën autoritetin ndërkombëtar të UNMIK-ut e sa në realitetin e krijuar politik dhe institucional me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, zbardhja e vrasjeve politike të pasluftës po vazhdon të mbetet një nga njollat më të errëta të historisë së re të shtetit të Kosovës. Viktima të kësaj periudhe kohore janë kryesisht aktivistë të shquar dhe kontribuues të devotshëm të LDK-së në ditët më të vështira, nën okupimin serb, në luftë dhe në ditët e para të çlirimit. Përkujtimi i veprës së tyre ndodh vetëm kur dikush kujtohet të marrë organizimin e përvjetorit të radhës, të shënimit të ditës së vrasjes së ndonjërit nga këto figura. Përfaqësues të këtij subjekti politik, por edhe njohës të fushës së sundimit të ligjit dhe analistë të pavarur, konsiderojnë se LDK-ja po sillet me një lloj hipokrizie të skajshme ndaj gjithë atyre figurave që u vranë gjatë apo pas luftës. LDK-ja, edhe pse ishte para dy mandatesh në pushtet, është edhe tani me më shumë ndikim në koalicionin qeverisës, me më shumë përgjegjësi institucionale, po kujtohet për vrasjet e aktivistëve të saj pas lufte vetëm në përvjetor, sikur ishte dy ditë më parë rasti i përvjetorit të Ahmet Krasniqit e të tjerëve.

Akademitë përkujtimore, cinike dhe mashtruese

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, këtë lloj hipokrizie e shpjegon me faktin se LDK-ja vazhdon të bashkëqeverisë pikërisht me atë strukturë individësh që dyshohen për lidhje të drejtpërdrejtë me krimin politik të pasluftës, andaj derisa është kështu i ka duart e lidhura për të bërë diçka më shumë, përveç organizimit të përvjetorëve dhe mbajtjes së fjalimeve politike për ish-aktivistët e saj të privuar nga jeta.

“Zbardhja e vrasjeve politike nuk mund të bëhet nga ata që i kanë kryer ato vrasje. Përderisa janë në hierarkinë më të lartë të shtetit vrasësit, është absurde shpresa se do të bëhet zbardhja e tyre. Akademitë përkujtimore për çdo përvjetor dhe “zotimi” si refren i vazhdueshëm se do të zbardhen këto vrasje është vetëm një cinizëm dhe mashtrim i opinionit, në një situatë të mungesës së shpresës dhe besimit në sistemin politik, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë”, ka theksuar ai.

“Këto vrasje nuk do të zbardhen asnjëherë derisa në Kosovë nuk qeveris një strukturë politike e pastër dhe e ndershme, derisa në sistemin e drejtësisë nuk punojnë njerëz të pastër e të ndershëm, të cilët nuk janë të vendosur aty përmes aferave “Pronto” dhe nuk i kontrollon vetë mafia e vrasësve’, tha deputeti Salihaj. /Kosova Sot/

Më Shumë

Prizreni vjet ka shënuar rritje të lehtë sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja

Numri i bizneseve të reja të regjistruara gjatë vitit 2024 në Komunën e Prizrenit është afër nëntëfish më i madh, krahasuar me numrin e...

Komiteti për Komunitete në Malishevë shqyrton planin e punës për vitin vijues

Komiteti për Komunitete në Malishevë, nën drejtimin e kryesuesit Amrush Helshani, mbajti sot mbledhjen e parë për këtë vit. “Sot, në mbledhjen e parë për...

Lajmet e Fundit