22.4 C
Prizren
E martë, 2 Shtator, 2025

VV: Hetimet për rastin e Astritit po administrohen në mënyrën më të keqe

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se hetimet për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit janë duke u administruar në mënyrën më të keqe të mundshme, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.

Deputetja Albulena Haxhiu në një konferencë për media tha se mbrëmë hetuesia kishte vendosur që xhirimet e kamerave nga korridori i Burgut në ditën e vdekjes t’i plasonte opinionit publik përmes mediave.

“Ky publikim i xhirimeve e tregon tendencën e hetuesisë për ta drejtuar opinionin publik drejt propagandës së tyre, e kështu larg të vërtetës. Pse kanë nevojë hetuesia e prokuroria të bëjnë propagandë mediatike me rastin? Çfarë po duan të fshehin?” theksoi Haxhiu.

“Këto inçizime asnjëherë nuk iu dorëzuan as avokatit të angazhuar nga familja për rastin e aq më pak familjes. Por u plasuan në publik. Pjesë – pjesë. Për të drejtuar opinionin publik”.

Haxhiu u shpreh se i njëjti avaz po vazhdon me hetuesinë e policisë e prokurorinë policore. Gjykimin po e bëjnë në publik. Ky nuk është hetim.

“Hetuesia e prokuroria nuk po e zbardhin rastin, por po duan ta ndërtojnë atë. Ashtu siç atyre ua do mendja e zemra. Njësoj ka ndodhur edhe me rastin e arrestimit të aktivistëve tanë, për veprën e terrorizmit, ku u munduan kinse me anë të fotografive që nuk thonë asgjë, t’i mbajnë të mbyllur për më shumë se dy muaj aktivistët tanë”.

“Njëjtë sikur me deklaratën e menjëhershme të policisë, Nexhmi Krasniqit, për shkakun e vdekjes që doli të jetë gënjeshtër”.

“Ky duket të jetë rast i qëllimshëm i kontaminimit të provave. Publikimi i mbrëmshëm i xhirimeve flet zëshëm për profesionalizmin dhe paanshmërinë e hetuesisë e prokurorisë në këtë rast. Kjo edhe një herë e dëshmon se hetimi i tyre nuk mund të jetë as kredibil e as i paanshëm”.

“Kjo nuk është zbardhje e rastit. Prandaj një hetim i besueshëm për këtë rast që do ta zbardhte të vërtetën për vdekjen e Astritit është vetëm një hetim i kryer nga hetues të pranueshëm për familjen dhe me kredibilitet profesional e etik”, tha deputetja Haxhiu.

“Policia e Nexhmi Krasniqit, e prokuroria e Sylë Hoxhës, këto institucione të shtetit të kapur e të klanit “Pronto” nuk janë as të paanshme, as kredibile, as profesionale as të besueshme”. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Policia shqipton mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka shqiptuar 2366 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit. Në 24 orët e fundit janë raportuar 48 aksidente...

Nenad Rashiq nuk merr vota të mjaftueshme, ndërpritet seanca

(Përditësuar, 12:30) Deputeti Nenad Rashiq nuk ka marrë votat e mjaftueshme për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb as në përpjekjen e...

Lajmet e Fundit