I ka të freskëta kujtimet e fillimit të karrierës. Helmimi i të rinjve shqiptarë në vitin 1990, si dhe shërimi i qindra civilëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, mbeten periudhat e paharruara në karrierën e tij.
Pas përfundimit të luftës, veçon angazhimin në TMK.
Në fundvit, është shpallë mjeku më i mirë i Kirurgjisë për vitin 2016.
Dr. Halil Cikaj, specialist i ORL-së në Spitalin e Prizrenit, ndjehet krenar për vlerësimin që ka marrë nga kolegët.
Thotë se askush më mirë se kolegët nuk mund të vlerësojnë punën e tij.
“Kolegëve u jam mirënjohës për këtë vlerësim”, shprehet Cikaj për “PrizrenPress”.
Ai, premton se do të vazhdojë të punojë për shëndetin e pacientëve.
“Misioni i mjekut është pacienti, prandaj e kemi obligim profesional që të kujdesemi për shëndetin e tyre”, shprehet ai.
Cikaj thotë se deri në arritjen e këtij suksesi, ka kapërcyer shumë sfida.
Ai, në një intervistë për “PrizrenPress”, tregon se karriera e tij, si mjek ka filluar në kohën e helmimeve të të rinjve shqiptarë.
“Helmimet e të rinjve shqiptarë të gjithë studentëve na kanë gjetur në orët e fundit në lokalet e Fakultetit. U mobilizuam nën udhëzimet e prof. Sali Ahmetit. Filluan të vinin të rinj të helmuar nga e gjithë Kosova. Të gjithë studentët dhe personeli mjekësor i Universitetit ishte në këmbë”, kujton Cikaj.
Dr. Halil Cikaj u lind 1963 në fshatin Gjonaj të Hasit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prizren. Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ai ka qenë nxënës dhe student i dalluar.
Si student Cikaj, ishte angazhuar edhe në pajtimin e gjaqeve bashkë me Anton Çettën
“Ishim shumë studentë të Hasit. Për 3 muaj lëvizëm në çdo shtëpi në Has, ku kishte hasmëri dhe ngatërresa”, tregon ai.
Dr. Cikaj, si mjek ka qenë i angazhuar edhe në “Nënë Terezë” .
“Këtu kam punuar dy vjet”, tregon ai.
Gjatë luftës, ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Ai në këtë periudhë ka shëruar qindra civil dhe ushtarë të UÇK-së në Has.
“Kam qenë pjesë e Brigadës 126-Hasi. Komandanti i im ka qenë dëshmori Zenun Çoçaj”.
Cikaj kujton momentin me të rëndë të luftës.
“Momenti më i rëndë ka qenë “larja” e duarve me gjakun e dëshmorëve”.
Cikaj kujton rënien e dëshmorit Zenun Çoçaj.
“Na ndanin minutat kur ra Zenuni në altarin e lirisë. Ai e fitoi lavdinë, kurse unë humba shumë nga ajo krenari që fituam së bashku”.
Ai thotë se rënia e shokëve të luftës, kanë qenë momentet më të vështira në luftë.
“Rënia e shokëve, por edhe mungesa e ilaçeve, kanë qenë momentet më të vështira të jetës sime në luftë”,tregon Cikaj.
Ai thotë se, sot për dëshmorët po flasin horrat.
“Sot, për dëshmorët po flasin horrat e dezertorët”.
Dr. Halil Cikaj, pas përfundimit të luftës ka punuar mjek në TMK. Ai ndjehet krenar që ka qenë pjesë e TMK-së.
“Isha pjesë e kësaj strukture për 6 vite”, tregon Cikaj.
Nga viti 2007, Cikaj punon specialist i ORL-së në Spitalin e Prizrenit . Ai thotë se në këtë institucion shëndetësor po bëhet një punë e mirë.
“Jemi një ekip kompakt, i përgatitur profesionalisht dhe shumë kolegial “, tregon Cikaj. /PrizrenPress.com/