Ish-drejtori i shkollës së mesme “Skender Luarasi” në Suharekë, Remzi Bytyqi, ka deklaruar se ka qenë drejtor i shkollës në fjalë për 20 vite, por me ardhjen e pushtetit të ri në nëntor 2013, atij i është kërkuar nga drejtori i arsimit Sherif Berisha, që të japë dorëheqje.
Bytyqi këtë deklaratë e ka bërë të mërkurën, gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ku po gjykohet drejtori i Arsimit të Suharekës, Sherif Berisha, për akuzën e punësimit të mësimdhënësve, pa konkurse publike.
Bytyqi ka thënë se nuk kishte dhënë dorëheqje pasi që është frikuar se do të mbetet pa punë, andaj ka kërkuar siguri nga i akuzuari Berisha, që ta sistemojë në një vend tjetër të punës nëse dëshiron që ai të largohet nga pozita e drejtorit. Tutje, dëshmitari ka thënë se i akuzuari pasi është konsultuar me eprorët e tij politik, ia ka ofruar atij një kontratë pune si administrator në të njëjtën shkollë, pa konkurs, ku edhe tani punon.
Me rastin e nënshkrimit të kontratës së re si administrator në shkollën e mesme “Skender Luarasi”, dëshmitari ka thënë se ai kishte nënshkruar edhe një deklaratë të përgatitur nga zyrtarja ligjore e drejtorisë së arsimit, për të mos bërë ankesë për largimin nga puna si drejtor i shkollës.
Në këtë seancë ka dëshmuar edhe Egzona Kabashi, e cila ka thënë se është thirrur nga Drejtoria e Arsimit në Suharekë, për të filluar punë si mësimdhënëse në shkollën fillore “Dëshmorët e Tivarit” në fshatin Peqan.
Dëshmitarja, Kabashi, ka shtuar se kishte zëvendësuar një mësuese tjetër, e cila ishte në pushim të lehonisë, andaj kishte nënshkruar kontratë vetëm për 6 muaj dhe pas skadimit të kontratës, ishte larguar nga puna, pasi që ishte kthyer në punë sërish mësuesja e mëparshme.
I akuzuari Berisha, përmes avokatit Sehad Haliti, ka kërkuar që të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve, drejtorët e shkollave të Komunës së Suharekës, për të dëshmuar se ai ka vepruar me urgjencë, sipas kërkesës së drejtorëve, në mënyrë që nxënësit mos të humbin mësimin.
Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kundërshtuar këtë propozim me arsye se drejtorët nuk janë pjesë e aktakuzës dhe se ata janë vartës të të akuzuarit si punëdhënës andaj nuk kanë kredibilitet si dëshmitarë.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes dhe në mungesë të dëshmitarëve tjerë, ka ndërprerë shqyrtimin, ndërsa vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 1 shkurt, 2017, prej orës 09:30.
Sherif Berisha akuzohet se duke qenë drejtor i arsimit në Komunën e Suharekës, gjatë periudhës 2014-2016, ka punësuar në shkollat e Komunës së Suharekës, pa konkurs, nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me këto veprime ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe cenimin e të drejtave të barabarta në punësim të personave tjerë.
Deri më tani janë dëgjuar 8 dëshmitarë, të cilët kanë dëshmuar se janë pranuar në punë, nga i akuzuari, pa konkurs të rregullt./betimiperdrejtesi/