33.8 C
Prizren
E martë, 22 Korrik, 2025

Historia e fajdeve që shkaktoi gjakderdhje në Prizren

Më 11 janar të këtij viti, dy persona të armatosur me armë zjarri dhe sëpatë, lanë të plagosur Ibrahim Kazazin, një ditë para se ai të dëshmonte në Gjykatë rreth një rasti të fajdeve.

Plagosja e tij ngërthen në vete një histori të gjatë fajdeve që është përcjell me vrasje e kanosje me armë. E gjithë kjo histori është pjesë e dosjes së lëndës nga Prokuroria e Gjykata ku të akuzuar janë dhjetë persona, e të cilën e ka siguruar Kallxo.com.

I plagosuri në Prizren, ka dhënë një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, një ditë pas plagosjes i dëmtuari Ibrahim Kazaz dëshmoi për tmerrin që kishte përjetuar nga personat të cilët e kishin sulmuar me sëpatë e revole në pronën e tij.

Kazazi nuk ka dhënë shumë detaje për shumën e parave që kishte marrë nga të pandehurit që nga viti 2010. Por, ai tha se gjithçka kishte nisur me 2 mijë euro.

“Herën e parë i kam marrë 2 mijë euro dhe për 2 mijë euro i kam kthyer gati 85 mijë euro. Dhe kur e panë që jam kah i kthej paret edhe shpinë kanë dashur me ma marrë”, rrëfeu ai.

Kazazi ishte sulmuar në lokalin e tij me sëpatë e armë zjarri. Policia, arriti të arrestoi dy persona të dyshimtë për kryerjen e vrasjes në tentativë ndaj Ibrahim Kazazit, ndërsa Gjykata e Prizrenit më 16 janar, u caktoi nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve.

Dosja e Fajdeve

KALLXO.com ka arritur të sigurojë dosjen e lëndës nga prokuroria dhe gjykata, ku të akuzuar janë dhjetë persona: Pal Morina, Engjëll Thaqi, Albert Kala, Nue Karica, Bernard Përlazri, Leonard Përlazri, Fadil Selimi, Fatmir Selimi, Gjon Kuzhnini dhe Eduard Morina.

Historia e fajdeve për Ibrahim Kazazin filloi në vitin 2010 kur fillimisht mori 2 mijë euro. Në aktakuzë thuhet se i pandehuri i Pal Morina, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Ibrahim Kazaz, në vitin 2010 i jep borxh shumën prej 2 mijë euro për ta mjekuar të bijën e tij. Prokuroria thotë se në muajin shtator 2013, Pal Morina, nga i ati i të dëmtuarit Ibrahim, Sefedin Kazazi, kërkon dhe merr shumën prej 6 mijë e 800 euro, në të cilën shumë llogaritet borxhi kryesor dhe kamata.

Në aktakuzën e prokurorisë shpjegohet edhe një rast kur familja Kazaz është obliguar të pranojë një borxh prej 150 mijë euro, përkundër faktit që ata nuk i kishin marrë asnjëherë ato mjete.

Të pandehur në këtë rast janë Engjëll Thaqi dhe Albert Kala, të cilët sipas prokurorisë në bashkëkryerje kryejnë veprën penale të detyrimit, ngase duke përdorur kanosjen serioze detyrojnë të dëmtuarit Ibrahim e Sefedin Kazaz që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ata (Engjëll Thaci dhe Albert Kala) më datë 25 prill 2014 kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarve duke ju kërcënuar atyre që të pranojnë se kinse më datat 12, 20 dhe 25 shkurt 2014 të dëmtuarit (Ibrahim e Sefedin Kazaz) kanë marrë nga të pandehurit tre herë nga 50 mijë euro.

Të dyshuarit në këtë rast i detyrojnë babë e bir që të nënshkruajnë një marrëveshje të shkruar në gjuhën shqipe, përmbajtjen e së cilës i dëmtuari Sefedin nuk e ka kuptuar ngase nuk flet gjuhën shqipe, por vetëm atë turke.

Përmes kësaj marrëveshje ata detyrohen që më datë 25 prill 2014 nëse nuk i paguajnë 150 mijë euro, do t’i bartin shtëpinë në emër të bashkë të pandehurve, pasi shtëpia të lirohet nga hipoteka.

Prokuroria thotë se gjatë muajit qershor- korrik, i pandehuri Engjëll Thaqi ka shkuar rreth 40 herë në shtëpinë e të dëmtuarve duke i kërcënuar me pistoletë. Ndërsa i pandehuri Albert Kala kishte shkuar më se 20 herë në shtëpinë e të dëmtuarve për t’i kërcënuar, por nuk kishte qenë i armatosur. Të dëmtuarit janë kërcënuar që ta shesin shtëpinë, në të kundërtën do t’ i vrasin tërë familjen, si dhe djalin e vogël të cilin e kishin në djep.

Si rezultat i tronditjeve të thella, të dëmtuarit kanë paraqitur rastin në Policinë Regjionale të Prizrenit. Policia e Kosovës me datë 16 korrik 2014 kishte arrestuar Thaqi, të pandehurin e parë, dhe iështë caktuar masa e paraburgimit. Ndërsa i pandehuri i dytë, Albert Kala ende gjendet në arrati.

I pandehuri Engjëll Thaqi, pos veprës së detyrimit, ngarkohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Kamatë mujore e fajdeve

Historia e fajdeve në familjen Kazazi nuk mbyllet me obligimin për 150 mijë euro. Prokuroria thotë se janë edhe disa raste të tjera fajdeve që janë përcjell me kanosje në mes të familjes Kazazi, përkatësisht Ibrahim Kazaz.

Prokuroria thotë se i pandehuri Nue Karica, në vitin 2013, i ka dhënë borxh të dëmtuarit Ibrahim Kazaz 2 mijë e 500 euro me kamatë mujore prej 20 për qind. I pandehuri Karica në muajin mars të vitit 2014 arrin t’i marrë 6 mijë e 700 euro nga babai i të dëmtuarit, Sefedini në emër të 2 mijë e 500 eurove.

I pandehuri, Bernard Përlazri, po ashtu gjatë muajit tetor 2013, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të Ibrahim Kazazit, ia jep 5 mijë euro me kamatë mujore prej 20 për qind, ashtu që në muajin shkurt 2014, shkon në shtëpinë e babait të tij, Sefedinit dhe merr shumën prej 7 mijë euro.

I pandehuri Bernard Përlazri, sipas Prokurorisë, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Berat Memaj nga fshati Lutogllavë i Prizrenit, më 10 dhjetor 2012, në një kafiteri afër “Qafës së Kishës” i jep 1 mijë e 150 euro. Ai harton një procesverbal se kinse i dëmtuari i ka marrë nga i pandehuri 4 mijë euro, ndërsa pas katër muajve e detyron të dëmtuarin që t’ ia paguaj shumën prej 4 mijë e 400 euro.

I pandehuri Bernard Përlazri, pos veprës së fajdeve, akuzohet nga prokuroria edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com, edhe m

Historia e fajdeve në familjen Kazazi vazhdon edhe më tutje. Në vitin 2014, duke u gjendur në gjendje të vështirë financiare në muajin shkurt, Ibrahim Kazaz i paraqitet Leonard Përlazrit, i cili ishte së bashku me të pandehurin tjetër Gjon Kuzhnini duke qëndruar në lagjen “Bazhderhane” në afërsi të qebaptores “Hyska”, të cilit ia kërkon 2 mijë e 800 euro.

Aty paraqitet i pandehuri Bernard Përlazri, i cili e fton të pandehurin Gjon Kuzhnini, i jep 2 mijë e 800 eurot të dëmtuarit Ibrahim Kazaz, për të cilat ky i fundit është obliguar të paguaj fajde prej 20 për qind në muaj.

Sipas Prokurorisë, babai i Ibrahimit, Sefedin Kazazi kishte vazhduar të paguajë fajde. Të pandehurit, një muaj pasi i kishin dhënë të hollat, nga babai i të dëmtuarit, Sefedin Kazazi, i kërkojnë dhe i marrin 5 mijë euro.

Detyrimi për të paguar 10 mijë e 800 euro për një veturë

Prokuroria shpjegon edhe një rast kur familja Kazaz është detyruar të paguajë 10 mijë e 800 euro për një Renaul 12-vjecar. Në muajin korrik 2014, sipas prokurorisë, të pandehurit Fadil e Fatmir Selimi, që të dy nga Prizreni, shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarve. Njëri nga personat kishte edhe armë duke i kanosur seriozisht familjes Kazaz për shkak të borxhit për shitjen e një automjeti të tipit “Renault” i prodhuar në vitin 2002, të cilin i dëmtuari e kishte blerë nga i pandehuri Fatmir Selimi.

Në emër të borxhit dhe kamatës ata i kërkojnë 13 mijë euro, ndërsa nga frika se do t’ i vrasin të birin e tij Ibrahimin, i dëmtuari Sefedin Kazazi, të pandehurve Fadil e Fatmir Selimi, u paguan 10 mijë e 800 euro.

I pandehuri i dhjetë dhe i fundit në këtë rast është Eduard Morina, i biri i të akuzuarit të parë Pal Morina, të cilit i dëmtuari Ibrahim Kazaz i kishte marrë dy mijë euro për mjekimin e vajzës.

Nga viti 2010 deri në vitin 2013, i pandehuri Eduard, e detyron të dëmtuarin Ibrahim Kazaz, që në emër të fajdes, për të hollat të cilat i kishte marrë borxh nga babai i tij, t’ ia paguan 4 mijë e 800 euro.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit, mirëpo pas tentim vrasjes së të dëmtuarit Ibrahim Kazaz seanca gjyqësor është ndërprerë për të vazhduar në muajin mars 2017.

Ibrahim Kazaz, në intervistën ekskluzive të dhënë për KALLXO.com, kur u pyet se sa është i rrezikuar qyteti i Prizrenit nga fajdet, në gjendje të rëndë shëndetësore të marra nga plagët e shkaktuara nga sulmuesit për shkak të pa mundësimit të dëshmisë së tij në gjykatë, ai tha se më së miri për këtë situatë flet gjendja e tij e rënduar financiare dhe shëndetësore. /Kallxo.com/

Më Shumë

Gjakova për herë të parë mbështet Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Gjakovës i është bashkuar për herë të parë si bashkëfinancuese edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, që po zhvillohet në Universitetin...

Refki Reshitaj shpallet këngëtari më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar në Strugë

Këngëtari i njohur kosovar, Refki Reshitaj, është shpallur Këngëtari më i Mirë në edicionin e 34-të të Festivalit Ndërkombëtar “Këngë Jeho”, mbajtur  në Strugë. Në...

Lajmet e Fundit