Për Lumëbardhin e Prizrenit ka shumë legjenda, kurse vendasit shpesh e kanë quajtur “Lumi i bekuar”. Ky lumë rrjedh pashtershëm përmes një kanioni spektakolar shkëmbor, të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Sharrit dhe që “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit me burimin e Karapotokut, një burim që vazhdon të rrjedhë pikërisht tek këmbët e dy kalave, asaj të Prizrenit dhe Kalasë së Çikës. Lumëbardhi thuhet rrallë “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit. Ky lumë burimin e ka në lartësitë e malit të Sharrit pranë zonave tashmë krejt të braktisura nga banorët. Banorët rrëfejnë se ky lumë vetëm njëherë është tërbuar, në vitin 1978, kur thuhet se pushteti i atëhershëm u munduan ta mbyllë burimin e Karapotokut. “Atëherë u rrit Lumëbardhi dhe e rrëzoi Urën e Gurit, që ishte urë shumëshekullore”, rrëfen Sylejman Randobrava, profesor në pension, i cili merret me trashëgimi.
Karapotok, në shqip do të thotë burim i zi
“Dikur qytetarët e kësaj ane kanë besuar se ujë i burimit ndihmon për shërim për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmit. Thuhet se ujë bën derman edhe për shumë sëmundje të tjera. Një lloj llumi që ngjan me një lloj kremi të zi konsiderohet si “krem i përsosur” për ta pasur lëkurën gjithmonë të freskët, të butë dhe pa puçrra për vajzat e moshës së re. Kam dëgjuar shpesh se këtu janë kuruar dhe kanë gjetur shërim pacientë që nuk kanë gjetur zgjidhje nga përdorimi i ilaçeve, prandaj vijnë turistët e huaj dhe këto nuk janë sajesa”, tregon Randobrava për “Kosova Sot”. Sipas gojëdhënave të vendasve, këto burime janë shfrytëzuar qysh para 400-500 vjetësh, nga pacientë të ardhur nga shumë vende të ndryshme. Legjenda për ujin mrekullibërës të Karapotokut, në Prizren ka jetuar me shekuj. Por, nga paslufta sikur u vu në harresë. Burimi ka baltë dhe gurë me ngjyrën e zezë. Sipas legjendës, supozohet se atë e ka hapur një bishë e madhe dhe e zezë që ishte një buall.
“Prandaj, nga atëherë e ka marrë emrin Karapotok, që në shqip do të thotë burim i zi”, shprehet Randobrava. Sipas tij, edhe pse gjeneratat e reja më pak u besojnë legjendave të vjetra, janë ende shumë gra të moshuara, të cilat besojnë te legjenda e vjetër dhe vetitë shëruese që ka. Por, nuk janë vetëm ato që besojnë te vetitë shëruese të këtij uji, por edhe profesionistët. “Uji pasi buron nga gurët e zi, që mund të jenë edhe një lloj uji i filtruar që me vete edhe mund të merr të bashkëdyzuar edhe ndonjë lloj tretje metalike që ndikon drejtpërdrejtë në shërimin e sëmundjeve të përmendura”, pohon kimisti Afrim Zylfiu.
Historia e këtij burimi shpjegohet jo vetëm si legjendë, por tregohet edhe si dëshmi se verës afër këtij burimi në mbrëmje lirohet një aromë e këndshme. Disa e shpjegojnë këtë me faktin se bimë të shumta përreth, por kjo aromë nuk ndihet nëse largohesh nga burimi. I moshuari Zaim Berisha shprehet se uji ndihmon edhe për shërimin e shterpësisë te gratë. Ai tregon se bashkëshortja e tij kishte pasur fatin të lindë pas nëntë vjetësh.
“Unë jam i sigurt se ky ujë i këtij burimi e shëroi dhe deshi Zoti na gëzoi me një djalë e pastaj na lindën edhe tre fëmijë të tjerë. Unë kam dhe do ta kem besimin e këtij uji derisa të jem gjallë”, tregon ai.
Legjenda e Sinanit
Një legjendë tjetër për këtë vendburim është edhe ajo e Sinan Pashës. Si fëmijë, Sinani ruante bagëtinë në bjeshkë. Një ditë, atypari, i veshur si dervish, kishte kaluar sulltan Selimi I, së bashku me katër dervishë të tjerë, të cilëve iu paskëshin turrur qentë e Sinanit. Por, Sinani u kishte bërtitur qenve të tij dhe ata qenkëshin ulur për tokë si të ishin të groposur. Kjo gjë e paskësh habitur sulltanin dhe kur sulltani e kishte pyetur sesi është e mundur që qentë ta dëgjonin kështu, Sinani qenkësh përgjigjur: “Për Zotin, o dervish, më dëgjojnë, që ç’ke me të, dhe jo sikur vezirët e pashallarët që nuk e dëgjojnë sulltanin e tyre, andaj ai nuk mund ta qetësojë vendin dhe kështu kudo është anarki e njëjtë”.
Kjo përgjigje i paskësh pëlqyer sulltanit, andaj e kishte marrë Sinanin me vete në Stamboll, e paskësh shpallur pasha dhe me 40 mijë ushtarë e paskësh dërguar për në Prizren që t’i turqizonte vëllezërit e vet! Kur e paskëshin dëgjuar prizrenasit këtë, me të shpejtë kishin përgatitur një ushtri po ashtu me 40 mijë ushtarë dhe i paskëshin dalë para Sinan Pashës, por ky i kishte mundur te Përroi i Zi. Që nga ajo kohë ky përrua kishte filluar të quhej Kara Potok. Legjenda e Sinanit Një legjendë tjetër për këtë vendburim është edhe ajo e Sinan Pashës. Si fëmijë, Sinani ruante bagëtinë në bjeshkë. Një ditë, atypari, i veshur si dervish, kishte kaluar sulltan Selimi I, së bashku me katër dervishë të tjerë, të cilëve iu paskëshin turrur qentë e Sinanit. Por, Sinani u kishte bërtitur qenve të tij dhe ata qenkëshin ulur për tokë si të ishin të groposur. Kjo gjë e paskësh habitur sulltanin dhe kur sulltani e kishte pyetur sesi është e mundur që qentë ta dëgjonin kështu, Sinani qenkësh përgjigjur: “Për Zotin, o dervish, më dëgjojnë, që ç’ke me të, dhe jo sikur vezirët e pashallarët që nuk e dëgjojnë sulltanin e tyre, andaj ai nuk mund ta qetësojë vendin dhe kështu kudo është anarki e njëjtë”.
Kjo përgjigje i paskësh pëlqyer sulltanit, andaj e kishte marrë Sinanin me vete në Stamboll, e paskësh shpallur pasha dhe me 40 mijë ushtarë e paskësh dërguar për në Prizren që t’i turqizonte vëllezërit e vet! Kur e paskëshin dëgjuar prizrenasit këtë, me të shpejtë kishin përgatitur një ushtri po ashtu me 40 mijë ushtarë dhe i paskëshin dalë para Sinan Pashës, por ky i kishte mundur te Përroi i Zi. Që nga ajo kohë ky përrua kishte filluar të quhej Kara Potok.
(Kosova Sot)