21 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025

Zhurmë për Çmimet e MKRS-së

Ishte paraparë që Çmimet Vjetore për Letërsi, fituesit e të cilëve u bënë të ditur zyrtarisht kah mesi i shkurtit, t’u dorëzoheshin laureatëve më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, por kjo ceremoni u anulua me arsyetimin se agjenda e kësaj feste është shumë e ngjeshur.

“Ju njoftojmë se ceremonia për ndarjen e çmimeve për letërsi, e paralajmëruar për nesër, anulohet për shkak të Agjendës Shtetërore për organizimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ceremonia do të organizohet në një datë tjetër, për të cilën do të njoftoheni me kohë”, thuhej në kumtesën e MKRS-së, drejtuar mediave.

Dy javë pas, përkatësisht deri më sot (1 mars), kjo ceremoni ende nuk është mbajtur dhe madje nuk ka ndonjë shpjegim për këtë.

Zërat rreth këtyre çmimeve filluan të shtohen kur Abdullah Zeneli, i cili është shpallur fitues i çmimit “Ali Podrimja”, për veprën më të mirë në poezi, me përmbledhjen e tij “Vetmia e mermertë”, bashkë me autorin Demë Topalli, për veprën “Sytë që dinë me pa”, ka deklaruar publikisht se nuk do ta pranoj çmimin. Të dy autorët parashihej të shpërblehen me vlerë monetare nga 1.250 euro, përkatësisht ta ndanin këtë çmim.

Sipas Zenelit, anëtarët e jurive të MKRS-së nuk po e vlerësojnë veprën letrare, por lidhjet e tyre me autorët.

“Vetëm Çmimi për Poezi është ndarë, siç ka ndodhur padrejtësisht edhe më parë, bie fjala vite më parë i është marrë gjysma e çmimit një poeti nga më të mirët që ka sot letërsia shqipe, Adem Gashit. Edhe atëherë, edhe sot mendoj se juritë e MKRS-së spekulojnë shumë. Nuk shikojnë asnjëherë (me ndonjë përjashtim, le ta themi hapur) vlerat, por autorin. Të shpeshtën ai, i lauruari apo e lauruara, reflekton ngushtësisht ‘lidhjen’ me anëtarët e jurisë, që ‘vlerësojnë’ mikun e jo veprën! Akrabanë e jo veprën! Të dashurën e jo veprën! Përkatësinë partiake e jo veprën! Pozitën e jo veprën… Kjo e fundit ka të bëjë më të shumtën e akademikëve që janë (ç)nderuar me Çmimin për Vepër Jetësore ‘Azem Shkreli’. Akademikët për vepër jetësore janë anëtarë të AShAK-ut dhe s’kanë çfarë t’i fusin hundët në çmimet e MKRS-së! Madje ka ‘akademik që është (ç)nderuar me këtë çmim edhe pse ka qenë delegat në kongresin e fundit të LKJ-së në Beograd dhe s’ka folur madje asnjë fjalë për aparteidin ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi! Apo edhe ‘akademik’ që është (ç)nderuar me këtë çmim në moshën 60-vjeçare! Është absurde që, pa mbushur moshën, të paktën 65 vjeç, të jepet ky çmim, edhe pse akademikët janë gjithë jetën të pa pensionuar në të ardhurat që jua sjellë vepra jetësore e akademikut! Një arsye tjetër madhore e refuzimit të çmimit është lakimi i emrit tim me emra që s’kanë lidhje me çmimin që u është dhënë sivjet si, bie fjala, për romanin, apo për studimet letrare, respektivisht kritikën letrare! Katastrofë! Mjerë letërsia, juria, institucioni në ç’gjendje janë katandisur”, shprehet Zeneli.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga Gazeta Zëri, kryetari i jurisë së caktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Anton Berishaj, tha shkurt përmes telefonit se nuk do t’i komentoj këto akuza. “Nuk kam koment. Nuk dua të them asgjë. Duhet të pyeten ata që akuzojnë dhe t’u kërkohen argumente atyre”, ka thënë Berishaj.

Përveç kryetarit Berishaj, juria profesionale që caktoi fituesit këtë vit ishte e përbërë edhe nga anëtarët Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Syla dhe Agron Gashi.

Rikujtojmë se Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” sivjet i ndahet Eqrem Bashës, i cili shoqërohet me shpërblim në vlerë monetare prej 5.000 eurosh, plakat dhe certifikatë.

Çmimi për veprën letrare më të mirë kritike letrare, eseistikë “Ibrahim Rugova”, i është dhënë Gëzim Aliut, për studimin “Romanet e Ismail Kadaresë, 1963 – 1990, retorika e tekstit dhe narracionit”. Çmimi për veprën letrare më të mirë për fëmijë “Vehbi Kikaj” i ndahet autores Fatmire Duraku për prozën “Dea dhe kërriçi i vetmuar”, kurse çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” i ndahet shkrimtares Majlinda Bregasi për romanin “Ikje”.

Në anën tjetër çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani” për përkthimin e romanit “Të vdesësh në pranverë”, të Ralf Rothman, do t’i jepet Arben Atashit. Secili nga çmimet do të shpërblen me vlerë monetare nga 2.500 euro.

Më Shumë

Fuat Ostrozubi – Gjuhëtari nga Prizreni që lartësoi gjuhën shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit

Fuat Ostrozubi u lind në vitin 1932 në Prizren, në një familje arsimdashëse dhe liridashëse. Qysh foshnjë mbeti jetim dhe u rrit nga nëna...

Inaugurohet Këndi Italian në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

Në ambientet e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Këndit Italian, një hapësirë e dedikuar për...

Lajmet e Fundit