8.4 C
Prizren
E enjte, 23 Janar, 2025

Mashtrimi i Ri

IMER MUSHKOLAJ

Përpara se të jep premtime të reja, Kadri Veseli e ka për obligim t’iu tregojë qytetarëve se çfarë ka ndodhur me përmbushjen e zotimeve të vitit 2014, nga paraardhësi i tij, Hashim Thaçi. “Fillimi i Ri” i Veselit nuk e amniston atë dhe PDK’në nga përgjegjësia për dështimin e “Misionit të Ri”. Mund të jetë veç një mashtrim i ri

Lexojeni këtë fjali: “Pas arritjes së lirisë, realizimit të pavarësisë dhe konsolidimit shtetëror, Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet në ‘Misionin e Ri’, i cili ka për qëllim zhvillimin e hovshëm ekonomik, themelimin e Fondit të Punësimit për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik”. A po ju tingëllon e njohur? Natyrisht, është premtimi i ish-liderit të PDK’së, Hashim Thaçi, i dhënë para tre vjetësh.

Atëbotë, Thaçi premtonte se gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të investoheshin 1.5 miliard euro për ta financuar rritjen e sektorit privat të ekonomisë, do të themelohej Fondi i Punësimit, do të krijoheshin 200 mijë vende pune, investime prej gjysmë miliardi eurosh në bujqësi, investime masive në sektorin e energjetikës dhe minierave, zhvillim cilësor të arsimit dhe edukimit, krijim të programit shtetëror të strehimit, investim prej 200 milionë eurosh dhe krijim të 4000 vendeve të reja të punës në turizëm dimëror, duke hapur Qendrën Ndërkombëtare të Turizmit në Brezovicë etj.

Kështu tingëllonte premtimi për punësim: “Do të hapen 200 mijë vende të reja pune në sektorët si bujqësia, industria, infrastruktura, teknologjia informative, minierat, turizmi dhe shërbimet, duke dyfishuar kështu prodhimin vendës”.

Sot, tre vjet pas, Thaçi është në postin e presidentit, por partia e tij bashkëqeveris me LDK’në. Sot, tre vjet pas, gjithçka duket të ketë qenë një gënjeshtër e madhe. Sot, tre vjet pas, secili qytetar mund të reflektojë për të parë se çfarë është arritur nga këto premtime, në mënyrë që të mos mashtrohet sërish.

* * *

Njësoj si paraardhësi i tij që e promovonte derë më derë e gju më gju “Misonin e Ri”, Kadri Veseli tash po e promovon “Fillimin e Ri”. Por, qasja dhe sjellja e Veselit duken si të një njeriu që nuk ka kurrfarë lidhje me PDK’në e udhëhequr nga Thaçi, e një njeriu që nuk ka jetuar në këtë vend dhe nuk i di premtimet e dështimet e partisë që e udhëheq tash. Veseli ka jetuar këtu, apo jo?

“Zhvillim ekonomik dhe vende pune për qytetarët tanë. Ky është plani im”, shkruan Veseli në Facebook, teksa takohet me afaristë në atë që e ka quajtur “tur dëgjimi”.

“Vendimet tona politike duhet të rezultojnë me vende të reja të punës”, deklaron Veseli në intervista, ndërkohë që nuk e zë në gojë fare shifrën prej 200 mijë të punësuarve, premtuar nga paraardhësi tij.

Përpara se të jep premtime të reja Veseli, si lideri PDK’së, e ka për obligim t’iu tregojë qytetarëve se çfarë ka ndodhur me përmbushjen e zotimeve të vitit 2014. Ai mund të arsyetohet se PDK’ja nuk e udhëheq qeverinë dhe kjo e amniston nga përgjegjësia, por nuk është kështu. PDK, edhe në bashkëqeverisje me LDK’në e ka për detyrë të realizojë programin, me të cilin i ka marrë votat e qytetarëve.

Kadri Veseli mund të fillojë së sqaruari për qytetarët se çfarë ndodhi me premtimin për 200 mijë vende pune, për të vazhduar pastaj me premtimin e Thaçit për liberalizim vizash, fondin e investimeve, fondin e punësimit, edukimi cilësor, shëndetësi cilësore, furnizim 24 orësh me rrymë dhe luftimin e krimit e korrupsionit.

Qytetarët e Kosovës ende po i presin investimet masive të premtuara për të zhvilluar ekonominë, ende janë në pritje të një vendi pune, ende po shpenzojnë miliona për t’u shëruar jashtë vendit, ende janë të izoluar.

* * *

Pse duhet besuar Kadri Veselit me “Fillimin e Ri”, kur ka dështuar “Misioni i Ri” i partisë së tij? Veseli po bën çmos që të distancohet nga PDK’ja e Thaçit, në kuptimin e përgjegjësive dhe premtimeve të pambajtura. Ai po përpiqet të shfaqet si Njeri i Ri, që do t’i bëjë realitet zotimet e dhëna. Ai ka nevojë që të legjitimohet së pari brenda strukturave të partisë, pastaj edhe në skenën politike. Por, përpjekja për t’u amnistuar nga përgegjësia për dështimet e partisë së tij është e pamoralshme.

PDK është në pushtet gati dhjetë vjet dhe është përgjegjëse për gjithë çfarë ka ndodhur në këtë vend. Keqqeverisja, me shumë zyrtarë të zhytur në krim e korrupsion, e kanë karakterizuar dekadën e fundit.

Trashëgimia e Hashim Thaçit në krye të PDK’së dhe të qeverisë do të ishte problematike për secilin që do ta pasonte. Por, Veseli ka qenë aty, bashkë me të, ndonëse jo fort i dukshëm, gjatë gjithë kohës. Ai e di çfarë ka bërë Thaçi dhe shfaqja e tij përpara qytetarëve si dikush që “po i dëgjon” për herë të parë është hipokrizi./gazeta express/

Më Shumë

Prevalla me mungesë të energjisë elektrike, pronari i një hoteli: Një ditë pa rrymë na kushton 1 mijë euro

Bizneset në Prevallë, përveç mungesës së investimeve në infrastrukturë, shpeshherë përballen edhe me mungesë të energjisë elektrike, duke iu shkaktuar mijëra euro humbje.  Jahir Hasani,...

Leci merr drejtimin e Rahovecit

Skuadra e Rahovecit, që po lufton për mbijetesë në Ligë të Parë - Grupi A këtë stinor ka emëruar sot trajnerin e ri të...

Lajmet e Fundit