20.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Shtator, 2025

Prizren: Kërkohet koordinim ndërmjet diplomacisë dhe qeverisjes lokale

Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka organizuar konferencën një-ditore me temën: “Diplomacia e qyteteve: Qeverisja, zhvillimi lokal dhe marrëdhëniet me jashtë”, në Prizren.

Në këtë konferencë ku prezentë ishin kryetarë komunash, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ambasadorët e Kosovës jashtë vendit u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të Kosovës dhe qyteteve të ndryshme në Evropë dhe më gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se bashkëpunimi ndërkombëtar i komunave është pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës. Ai shtoi se MPJ është në dispozicion të Komunave për t’i ndihmuar në procesin e lidhjes së bashkëpunimeve, marrëveshjeve apo binjakëzimeve, në funksion të rritjes së mundësive për qytetarët e Kosovës.

“Qëllimi i kësaj konference është që ne ta kemi një shkëmbim më të thellë të ideve, të reflektojmë se si të kemi një koordinim më të mirë në politikën e jashtme dhe me gjetjet nga kjo konferencë ta bëjmë një plan të veprimit me qëllime të matshme e konkrete për ta pasur më të lehtë edhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të komunave”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli ka vlerësuar se komunat mund të kenë ndikim pozitiv në diplomaci.

“Bashkëpunimi ndërmjet qyteteve të ndryshme, binjakëzimet, anëtarësimet në organizata të ndryshme ndërkombëtare, e kanë shtuar kontributin e komunave në politikën e jashtme”, ka vlerësuar Ismajli.

Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, përvojat në qeverisjen komunale i ka ndarë edhe Arbjan Mazniku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Në panelet tjera u diskutua për promovimin e turizmit lokal dhe angazhimin e qyteteve në iniciativa dhe asociacione rajonale dhe ndërkombëtare. Konferenca e sotme është organizuar si vazhdimësi e aktiviteteve të dala nga konferenca e ambasadorëve e organizuar në dhjetorin e vitit të kaluar.

Më Shumë

Suhareka pret edicionin e 24-të të manifestimit tradicional “Festari”

Komuna e Suharekës do të jetë nikoqire e edicionit të 24-të të manifestimit tradicional “Festari”, që këtë vit do të zhvillohet nga 15 deri...

Mbi 7 mijë ulëse te stadiumi i Prizrenit

Ekipi i Lirisë dhe klubet tjera prizrenase që luajnë në stadiumin “Përparim Thaçi” mund të shpresojnë për shumë më shumë publik dhe cilësi në...

Lajmet e Fundit