Pol Elyari është një nga poetët bashkëkohorë francezë më të mëdhenj e më të njohur brenda dhe jashtë vendit të vet. Lindi në vitin 1894 dhe vdiq në vitin 1952. Mes jetës dhe krijimtarisë së këtij poeti ka një përkim të ndjeshëm. Evoluimi artistik i Elyarit është në përputhje të plotë me evoluimin e bindjeve ideore dhe angazhimeve shoqërore të tij. Poezia e Elyarit shërben si rast i mirë për të parë vendin e veçantë që zë ai në poezinë bashkëkohore.
Në të njëjtën kohë, nisur nga itinerari poetik i Pol Elyarit, që kryqëzoi në rrugë e sipër unanimizmin, dadaizmin, surrealizmin dhe komunizmin, poezia e tij paraqet interes të veçantë për të reflektuar mbi problemin e ndërlikuar të poezisë “së angazhuar”, çka, pas përmbysjes së totalitarizmit komunist, u përfol dhe vazhdon të përflitet shpesh herë mbarë e prapë në mjediset letrare shqiptare.
Vetëm një vit pasi u bë i njohur Raporti i famshëm i Hrushovit mbi krimet e Stalinit, më 1957, shkrimtari francez Zhylien Grak shkruante, ndofta pak si ngutur, se paskëtaj “një pjesë jo e vogël e letërsisë franceze të këtyre 30 vjetëve të fundit, u shndërrua në një sirtar të mbushur me letra dashurie të vyshkura”.
Studiuesi i njohur Henri Lemetr (që e citon këtë gjykim në librin e tij mjaft në zë “L’aventure littéraire du XX-me s.”, 1984, f. 149) shton, për sa i takon Elyarit, se “kjo vlen, në pjesën më të madhe, për vëllimin “Poezi politike”, të vitit 1948, pasuar nga ato, të të njëjtit frymëzim, që Elyari do të shkruaj deri në fund të jetës”. Veçse kjo nuk e pengon kurrsesi këtë studiues, ndër më autoritarët në Francë, të pohojë, në fund të kapitullit kushtuar krijimtarisë së Pol Elyarit, se ai vëren në të, më dallueshëm se gjetiu, “pajtim pozitiv të poezisë moderne me vlerat e larta të poezisë lirike.
Për një periudhë gati dhjetëvjeçare, Elyari ishte një ndër tre-katër poetët më prestigjiozë të surrealizmit, pastaj u tundua për pak kohë nga komunizmi në fund të viteve ‘20, për t`iu rikthyer në vitin 1942, kësaj here përfundimisht, deri sa vdiq, në vitin 1952, një vit para Stalinit. Por ndërsa ky i fundit u nda nga kjo botë duke mbetur më i tmerrshmi nga të gjithë Ivanët e Rusisë, Pol Elyari la pas imazhin e “magut me duar prej drite” (Rene Krevel) apo të “zejtarit të agimit” (Hyber Zhyen). Elyari nuk e përjetoi dramën dhe zhgënjimin e thellë të miliona njerëzve që u mashtruan nga “iluzioni fantastik i shek. XX” (Edgar Moren). Ai jetoi, sipas shprehjes së vet poetit, që sot doemos tingëllon ironike, “nën hijen e engjëjve”.
Që në poezitë e tij të para dallohet prirja e natyrshme për të dalë nga mikrokozmosi i unit të vetmuar, me dëshirën e paepur për t`u bashkuar me të gjithë ata që përpiqen, sikurse shprehet ai, për “emancipimin e plotë të njeriut”.
Ndaj në itinerarin e Pol Elyarit si intelektual dhe poet, cilado qoftë zgjedhja ideologjike apo estetike, përvijohet qartë një kredo poetike e pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Madje dhe futja në partinë komuniste, sipas kritikut Zh-Zh. Broshié, “nuk ishte thjesht ideologjike… por thellësisht njerëzore”. Sepse poeti, i cili “fare i ri, i kish hapur krahët dritës së pastër” dhe që fjala “vëllazërim” e bën kurdoherë të vibrojë në tërë qenien e tij, i mbeti besnik idesë se vendi dhe detyra e poetit janë mes njerëzve të tjerë, me të cilët ndan të njëjtin fat:
“Jetova i lodhur për vete dhe të tjerët
Veç kurrë nuk reshta së shkunduri shpinën
Si timen dhe të vëllezërve më të vuajtur
Ta flakim barrën që na çon drejt vdekjes
Në emër të shpresës luftoj errësirën”.
Madje dhe “kënga e poetit bëhet e pakuptimtë”, thotë ai, nëse padrejtësia dhe tjetërsimi i njeriut nuk marrin fund një ditë. Në këtë përpjekje të përbashkët, vendi i poetit është, sigurisht, në radhët e para :
“Nëse para se të vijë dita duhet të vdesë njeriu
Të parët janë poetët që duhet të vdesin”
Elyari shprehu me forcë të rrallë emocionale në poezinë e tij idenë e domosdoshmërisë së kalimit nga “horizonti i një njeriu, në horizontin e të gjithë të tjerëve”. Ai mbetet si një ndër poetët më të njohur bashkëkohorë që sfidoi mbylljen e njeriut në vetvete dhe i këndoi solidaritetit njerëzor, si kusht i domosdoshëm nëse duam që kjo “botë e mbrapshtë” të ndërtohet “për së mbari”, nëse duam të ketë “drejtësi” dhe “lumturi” mbi tokë. Përsa i takon vetë poetit, ai shpall solemnisht se “nuk ka për të hyrë kurrë në lojën e xhelatëve”, si dhe të atyre që e “shpërbëjnë njeriun”, se ky i fundit duhet të mos pajtohet asnjëherë me të keqen, por t`i kundërvihet asaj, edhe sikur ai vetë ta humbasë betejën, sepse “të tjerë, gjithë të tjerët kanë për ta fituar atë”, sepse përndryshe “ndërtuesit e rrënojave” do të shkatërrojnë e përdhosin gjithçka.
Në këtë sfidë të poetit që i këndon qëndresës njerëzore, ka sigurisht nota naiviteti (të cilat sot i dallojmë më lehtë), por kjo nuk duhet të pengojë për t`i parë gjërat me mendje të kthjelluar e në kontekstin përkatës të asaj kohe kur jetoi e shkroi Elyari. Sepse në zemrën, mendjen dhe poezinë e këtij poeti ka shumë fisnikëri, ndershmëri, besim te njeriu. Dhe sidomos përkushtim të sinqertë. Siç tregon poeti Klod Rua, që e ka njohur Elyarin nga afër, ai kishte një “besim engjëllor”, të qashtër. Në një nga krijimet e fundit, ai deklaron me një çiltërsi prekëse se “është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ardhmen e njerëzimit”.
E pikërisht këtu qëndron rreziku që i kanoset pashmangshmërisht gjithkujt që i përkushtohet tërësisht e pa kushte një ideali, sado i lartë e fisnik qoftë ai. Aq më tepër poetët me “besim engjëllor” si Elyari që e shohin tokën me ngjyra qiellore (kujtoj vargun e famshëm dhe enigmatik “e kaltër toka si portokalle” ). Ndaj, edhe pse kredoja poetike e Pol Elyarit ishte: “Flas për çfarë shoh/ Atë që di/ Dhe është e vërtetë”, kur ai e zëvendëson konceptin e Gëtes mbi “poezinë e rrethanave” (poeti që u bën jehonë ngjarjeve të kohës kur jeton) me poezinë e propagandës në favor të një partie apo ideologjie, sigurisht ajo që sheh, di dhe shpreh poeti mund të jetë dhe e kundërta e së vërtetës. Aragoni pati kohë të kuptonte, Elyari jo.
Vetëm katër vjet pas vdekjes së mikut të tij, në 1956, në poezinë tronditëse “Ti o i marrë”, Aragoni shprehu dramën e çdo idealisti që “flijon zemrën dhe ëndrrat e tij” dhe harron se “deti është tinzar”, se secili nuk do të jetë kurrë gjë tjetër veçse një “shifër llogarie”.
Ndërsa Elyari nuk ngurroi të shkruajë në vitin 1949 se “nga të gjithë poetët që kish njohur, Aragoni ishte ai që i kishte treguar rrugën e drejtë”. Për ironi, thuajse tragjike, do të jetë Aragoni që, po në vitin 1956, do të pohojë se, “ka gabuar rrugë me qindra herë” dhe se ka jetuar “nën hijen e dyshimit”. Parë me këtë sy, rasti i Elyarit vlen si mësim për çdo krijues që, i angazhuar ose jo, brenda ose jashtë një partie politike, të ruajë pavarësinë dhe aftësinë e të gjykuarit me mendje të kthjelluar, për të mos rënë në kurthin e koncepteve utilitariste e propagandistike për letërsinë dhe artin.
Elyari nuk qe i vetmi që u mashtrua dhe gaboi në zgjedhjen ideologjike, apo që shkroi poezi politike “të nevojshme” për partinë, siç është shprehur vetë, ku i këndoi jo vetëm “të nesërmeve të lumtura” ( që kurrë nuk u gdhinë), por dhe kongreseve, madje dhe Stalinit. Edhe Pikasoja, finoku gjenial i pikturës moderne, në 70- vjetorin e lindjes së diktatorit, në vitin 1947, ka botuar në revistën “Lettres françaises”, organ letrar i Partisë Komuniste, një vizatim ku ngre dolli për Stalinin dhe i uron shëndet me gërma të mëdha. Dhe nuk po flas për tjetrin, me rastin e vdekjes, portretin e Stalinit në moshë të re, që poshtë firmës së piktorit , mban datën 8. 3. 53.
Ndaj lipset të shmangen gjykimet e ngutura e sidomos ato ku kriteret ideologjikë lënë në hije, madje pretendojnë se mund të zëvendësojnë kriteret artistikë, si dhe të dallohen vlerat e qëndrueshme nga ato që i merr era e i davarit nëpër skutat e historisë dhe kanë interes vetëm për studiuesit, kur këta marrin përsipër të bëjnë analiza shkencore të mirëfillta.
Rasti i poezisë së Pol Elyarit më duket tepër aktual për problemet që shqetësojnë sot shumëkënd në Shqipëri lidhur me trashëgiminë kulturore të gjysmës së dytë të shek. XX. Kush kujtohet sot ne Francë për anëtarësinë e Elyarit në partinë komuniste, për vjershën kushtuar Stalinit e ato që janë më tepër vargëzime politike se poezi? Përveç studiuesve, vetëm ndonjë maniak biografish. Kurse Elyari është ndër dy tre poetët më të njohur e më të lexuar në ditët tona. Ai ka hyrë në kujtesën kombëtare si poeti i dashurisë, si poeti i Rezistencës, si poeti i antivetmisë, i bashkimit të njerëzve përmes vëllazërimit.
* * *
Edhe pse me një natyrë paqësore dhe tepër të ndjeshme, Elyari është mishërim i qëndresës së palëkundur ndaj së Keqes në kuptimin e përgjithshëm të kësaj fjale e sidomos kur ajo shfaqet në formën e saj më çnjerëzore, madje të përbindshme si në rastin e fashizmit. Kundërvënia e poetit ndaj ideologjisë dhe mizorive fashiste është e hapur dhe e menjëhershme.
Në një poezi të shkurtër por me forcë të madhe shprehëse të vitit 1936 ai ka fiksuar përmes një imazhi mbresëlënës (“ndërtuesit e rrënojave”) thelbin shkatërrimtar të fashizmit si ideologji e papranueshme për këdo që respekton dhe mbron njeriun dhe vlerat njerëzore :
Me çdo gjë mësohet njeriu
Veç jo me zogjtë e hekurt
Veç jo me urrejtjen e tyre për dritën
Veç jo me nënshtrimin ndaj tyre
Ai i ndoqi dhe i përjetoi nga afër ngjarjet e luftës së Spanjës, si bombardimin e Guernikas dhe thyerjen e republikanëve dhe u ka kushtuar atyre një cikël poezish ku demaskon masakrat barbare ndaj popullit spanjoll, duke shprehur njëherazi solidaritetin e popullit francez si dhe atë vetjak. ” Një linjë prej gjaku të zi / Na ndan nga burgjet dhe varret”, shkruan asokohe Elyari, duke vënë në dukje se poshtërimi është i përbashkët. Por poeti nuk e humb besimin dhe i këndon fitores së ardhshme të popullit liridashës spanjoll:
Nëse ka në Spanjë një pemë lyer me gjak
Është pema e lirisë
Nëse ka në Spanjë një gojë që s’ rresht së foluri
Ajo flet për liri
Nëse ka në Spanjë një gotë verë të kulluar
Atë populli do ta pijë.
Kur disa vjet më vonë, çizmja fashiste shkeli dhe përdhosi edhe atdheun e Elyarit, ai u përfshi natyrshëm në Rezistencën franceze. Krijimtaria e tij e atyre viteve të rënda, “kur dhe qentë ishin të mjeruar”, siç shprehet ai, u bë zëdhënëse e drejtpërdrejtë e ndjenjave dhe e përpjekjeve të popullit francez për liri dhe dinjitet kombëtar. Me vetëdije të plotë, ai pohon hapur se “synimi patriotik apo revolucionar nuk i heq asgjë poezisë”.
Ai i këndon popullit të vet “që nuk e duron padrejtësinë” dhe nuk i nënshtrohet pushtuesit. Poeti gjen zërin dhe tonin e duhur për ta prekur atë në ndjenjat dhe vlerat më themelore për çdo popull, siç janë atdhedashuria dhe dinjiteti kombëtar. Në poezinë “Lutje e vejushave dhe nënave”, pasi i këndon me një lirizëm prekës bukurisë së jetës, poeti lëshon kushtrimin kundër bishës vdjekjeprurëse :
Kërkojmë dhe ne të luftojmë
Të vdesim kundër vdekjes.
Ndërsa në një poezi tjetër kushtuar Parisit, ai i drejtohet në mënyrë simbolike kryeqytetit të kombit, duke shprehur bindjen se ai do të çlirohet dhe do të rigjejë krenarinë e humbur. Elyari ngriti lart dhe i këndoi me dashuri dhe respekt të veçantë heroizmit të gjithë atyreve që dhanë jetën për vendin dhe popullin e tyre. Ndër poezitë më të njohura të kësaj natyre është ajo kushtuar figurës së heroit antifashist Gabriel Peri. Ai luftoi dhe vdiq për atë që i jep kuptim jetës sonë, shprehet poeti, dhe thekson se “shpresa e tij s’është shuar”.
Edhe një sërë poezish, ku Elyari denoncon tradhëtarët dhe bashkëpunëtorët e çdo lloji që u vunë në shërbim të pushtuesit dallohen për forcën shprehëse dhe vendosmërinë e poetit që kërkon ndëshkimin e tyre të merituar. Ndaj tyre nuk duhet treguar zemërgjerësi, shprehet poeti dhe ata duhet të përgjigjen për krimet e kryera. Hakmarrja në emër të të pafajshëmve është legjitime dhe bota s’ka për të gjetur asnjëherë shpëtim “përderisa do të falen xhelatët”.
Por poezia më e njohur e Elyarit e periudhës së Rezistencës është pa dyshim ajo që titullohet “Liria”. Kjo poezi tepër origjinale dhe me forcë të madhe komunikuese është si një himn kushtuar lirisë, së cilës poeti i këndon si idealit më themelor mbi të cilin ngrihet jeta e njeriut.
“Vetëm ti i jep kuptim/ Emrin tënd e mbaj në gji”, thotë poeti në fund fare, ku fjala “Liri” e veçuar dhe e nxjerrë në pah si varg më vete dhe mbyllës i krejt poezisë, shumfishon forcën e saj shprehëse, sepse mbi të përthyhen tërë vezullimet dhe simbolika e sendeve më të dashura, e referencave më thelbësore për poetin, mbi të cilat ai nuk ka reshtur asnjëherë së shkruari “emrin e saj” emblematik. Jehona e kësaj poezie të Elyarit ka qenë e jashëtzakonshme gjatë periudhës së Rezistencës, kur ajo u shpënda madje në formë trakti me avion mbi zonat e pushtuara, por dhe më pas, duke e bërë atë një ndër poezitë franceze më të njohura jo vetëm në Francë por dhe në botë.
* * *
Motivi tjetër qendror i poezisë së Elyarit është ai i dashurisë, madje mund të thuhet se, në njëfarë mënyre, tërë jeta dhe krijimtaria e këtij poeti janë mishërimi dhe sublimimi i kësaj ndjenje themelore dhe fisnike të njeriut. Siç ka pohuar në një nga poezitë e tij, ai kishte lindur ” për të mos reshtur asnjëherë së dashuruari” dhe, sipas një kritiku, në rastin e Elyarit mund të flitet për një njëjtësim të poezisë me dashurinë. Dashuria e vërtetë dhe e qashtër i ngjan poezisë dhe të dashuruarit janë poetë sipas mënyrës së tyre. Mes lidhjes që bashkon dy të dashuruar dhe aktit poetik ka një ngjashmëri mjaft të madhe, mendon Elyari. Dashuria e sinqertë është një komunikim i tillë shpirtëror saqë shmang çdo lloj fshehtësie, gënjeshtre, shtirjeje dhe gjithçka përjetohet në vërtetësinë e saj të mirëfilltë e të papërlyer.
Të dashuruarit nuk njohin më kurrfarë ndrydhjeje në marrëdhëniet e tyre dhe ndihen kësisoj të çliruar. Elyari krijon një lidhje të brendshme dhe të natyrshme midis dashurisë, poezisë, së vërtetës dhe lirisë në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Ndaj dhe poeti nuk mund ta përfytyrojë dot veten dhe jetën e tij pa praninë e përhershme të krijesës që dashuron :
Kam nevojë për duar në duart e mia
Dhe për një zemër në provë të vihem
Kur jam i vetëm i kotë agimi
Jeta nuk i kurseu Pol Elyarit as lumturinë dhe as dhimbjen e thellë në dashurinë e tij. Poeti përjetoi si harenë e shpirtit të mrekulluar, kur gjithçka është në plotërinë e vetë, dhe dëshpërimin më të hidhur, kur gjithçka shëmbet nga ndarja dhe humbja tragjike. Ja si shprehet Elyari, në një poezi të vitit 1932 (një vit pasi gruaja që dashuroi për herë të parë, Gala, e braktisi për t’u bashkuar me piktorin Salvator Dali), kur në jetën e tij ka hyrë një krijesë tjetër engjëllore me emrin Nush :
“Gruaja me të cilën jetova
Gruaja me të cilën jetoj
Gruaja me të cilën do të jetoj
Përherë e njëjta”
Nusha, “e përsosura”, bëhet burim i ri frymëzimi për Elyarin. Poezitë ku ndihet prania e saj janë si një himn ndaj dashurisë që e transfiguron gjithçka në një festë të përhershme, në një zbulim që ripërtërihet pambarimisht. Kur, vite më vonë (1946), vdekja e Nushës e lë poetin sërish të vetmuar, ai shkruan me një çiltërsi prekëse :
” S’ do të plakemi së bashku ”
ku, me fjalë të thjeshta të jetës së përditshme, shpreh një pikëllim njerëzor tronditës për “dashurinë fërfëritëse e rëndë tani si një torturë” dhe që çdo ditë të re e bën “të tepërt”.
Sidoqoftë, ai rigjen forcën për të mposhtur dhimbjen dhe një tjetër bashkudhëtare hyn në jetën e tij, Dominika. Dhe sërish, “gjithçka merr ngjyrën e agimit”. Poezitë e vëllimit me titullin simbolik “Feniksi” janë frymëzuar nga dashuria e rilindur dhe poeti, duke respektuar kujtimet e së kaluarës, krijon sërish vargje të magjishme :
“Të dua për gjithë gratë që kurrë nuk i njoha
Të dua për gjithë kohërat që kurrë s’i jetova.
(…)
Erdhe ti dhe zjarri u rindez
(…)
Erdhe ti dhe vetmia u mund
(…)
Dhe sërish si dikur dashurinë adhuroja “.
Dhe është i njohur fakti se Elyari u nda nga jeta duke shqiptuar në çastet e fundit emrin e Dominikës. Studiuesi Zhorzh Pulé e ka shpjeguar në këtë mënyrë këtë veçori të individualitetit të poetit : ” Gjithçka do të shëmbej pandreqshmërisht, nëse krijesa që ai dashuronte do të ishte, në kuptimin më individual të termit, një krijesë vdekatare. Por ajo çka ai dashuron para gjithçkaje, mbi gjithçka, tek ajo krijesë, është ngjashmëria e saj me të gjitha krijesat, njëjtësia e saj me botën. Kësisoj, kjo krijesë është më pak një person sesa një parim i përjetshëm njëjtësimi”.
Vlen të theksohet se dashuria për Elyarin nuk është asnjëherë një ndjenjë e ngushtë që i veçon të dashuruarit në mikrobotën e tyre, përkundrazi, ajo përmban që në zanafillën e saj prirjen e natyrshme për t’u bashkuar me të tjerët. Vektori elyardian, mbasi lë pas “legjendën ku qan njeriu i vetmuar”, kalon nëpër bashkimin e çiftit përmes dashurisë dhe përfundon në bashkimin me njerëzit e tjerë nëpërmjet vëllazërimit :
Dhe sepse dashurohemi
Duam të çlirojmë të tjerët
Nga vetmia e tyre e akullt.
Ndërsa diku tjetër i rikthehet më hapur së njëjtës ide :
Dy nga dy dhe jo të vetmuar do të shkojmë drejt qëllimit
Së bashku dy nga dy do njohim gjithë të tjerët.
Është e domosdoshme, mendon Elyari, që njerëzit të bashkohen në shpresat dhe luftën e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta njohin dhe ta ndryshojnë botën ku jetojnë, mund të realizojnë kredon e poetit që një ditë drejtësia dhe lumturia të jenë ngadhnjimtare mbi tokë.
Siç shprehet poeti Andre Freno, “Pol Elyari ishte si një pishtar drite në natën tonë, si një premtim i madh i paepur dhe i mrekullueshëm i një lumturie të mundshme në jetë, si një dorëzaní e dhimbshme dhe rrëzëllitëse e forcës së dashurisë”. Vepra poetike e Elyarit, sipas Huber Zhyen, “përfton një përbotshmëri që haset rrallë”. Ajo karakterizohet nga një natyrshmëri dhe thjeshtësi që e bëjnë atë të jetë tepër komunikuese. Madje për Elyarin, poeti është më tepër ai që frymëzon të tjerët sesa ai që është vetë i frymëzuar.
Ndaj dhe në itinerarin poetik të tij vihet re një prirje drejt një ligjërimi poetik sa më të qartë. Ai synon ta shprehë emocionin poetik sa më shkurt, duke parapëlqyer procedimet eliptike dhe pranëvëniet e papritura, si dhe imazhet e natyrës metonimike që kanë përherë një shkëndijim apo shumëfishim të forcës së tyre shprehëse nga jehonat dhe përkimet analogjike që imagjinata krijuese e poetit arrin të kapë e të zbulojë për lexuesin.
Thjeshtësia, kthjelltësia, fluiditeti i poezisë së Elyarit nuk e dëmtojnë aspak forcën shprehëse dhe peshën e mesazhit që ato përcjellin. Poezia e këtij poeti është si ato burimet e pastër e të tejdukshëm, që nuk i dallon menjëherë se janë shumë të thellë dhe pranë të cilëve ke përherë dëshirë të rikthehesh.
Nga gurra poetike elyardiane buron vetëm mirësi dhe dashuri vëllazërore për gjithë njerëzimin. Ajo vazhdon rrjedhën e saj “të pandërprerë”, sipas kredos së vetë poetit, “poezia diellore” e të cilit do të përcjellë ndër shekuj mesazhin e madh të solidaritetit njerëzor si domosdoshmëri për të mposhtur “Gjetiu Këtu Kudo”, “ndërtuesit e rrënojave “. (gazeta-Shqip.com)