Hajrulla Çeku nga organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, përmes një shkrimi në Facebook ka konsideruar që në zgjedhjet e mbrëmshme janë thyer tre mite të shoqërisë kosovare.
Shkrimi i plotë i Hajrulla Çekut në Facebook:
Një votë dhe tre mite të thyera
Vota e djeshme në Kosovë nuk ishte vetëm një proces i zakonshëm zgjedhor. Dje janë thyer tre mite të ngulitura thellë në shoqërinë tonë.
1. Ibrahim Rugova është gjallë – dje përfundimisht vdiq Rugova, respektivisht manipulimi një dekadësh për të përfituar vota e pushtet duke abuzuar politikisht me emrin e tij. Dhe mirë që ndodhi kështu. Përfundimisht, ne të gjallët, nëse asgjë më tepër, e kemi për obligim ta lëmë shpirtin e tij të pushojë i qetë.
2. Komandantët e kontrollojnë këtë vend – të gjithë komandantët, përkatësisht partitë që janë thirrur si trashëgimtare politike të luftës së UÇK-së, të bashkuara në një koalicion, mezi arritën një të tretën e votës popullore. Kaq është fuqia e tyre reale. Ky vend i takon një mendësie të shëndoshë që vuan për ndryshim e jetë më të mirë. Sikurse me Rugovën, e kemi për obligim ta ruajmë tregimin për luftën si moment të çlirimit të kësaj shoqërie dhe ta shpëtojmë nga degradimi që ja bënë profiterët e luftës gjithë këto vite.
3. Qytetarët nuk dijnë të gjykojnë – nuk besoj që ka gjykim më të shëndoshë politik se momenti kur qytetarët me votë ia tregojnë vendin secilit. Dhe ky moment le të shërbejë si mësim për të gjithë, sidomos për ata që nesër do të jenë në pushtet, kushdo qofshin ata.