Për shkak të situatës së disfavorshme, minusit në vota, me të cilat tani po del koalicioni i parë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, analistët politikë shohin se vendi që tani është futur në një situatë krize, nga e cila është vështirë të dilet, nëse nuk ndodh një thyerje e madhe në koalicionin e LDK-së për t’u shkëputur Pacolli me disa deputetë të tjerë, duke kaluar në koalicionin PDKAAK-NISMA (PAN).
Ndryshe është fare pak e besueshme që do të detyrohet të pranojë PAN-i që t’i jepet mandatari dikujt tjetër, nëse nuk arrin shumicën e nevojshme në Parlament, duke iu referuar vendimit të Kushtetueses në vitin 2014, që thotë se subjekti i parë e bën Qeverinë dhe e drejton Kuvendin. Po ashtu, sipas analistëve, nuk shihet si shumë serioze as gatishmëria e VV-së për të qeverisur vendin, pasi që në fillim të mandatit duhet t’u japë zgjidhje temave të nxehta, sikur janë Asociacioni dhe Demarkacioni.
Në rast se nuk ndodh ndryshimi në koalicionin e LDK-së, rrjedhje të deputetëve në PAN, çelësi i zgjidhjes së krizës parashihet me zgjedhje të reja parlamentare në vjeshtë, së bashku me lokalet, ose një qeveri teknike për 12 muaj derisa të finalizohen disa çështje madhore. Një bllokimi eventual i ka kontribuar edhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 për çështjen e mandatarit, prandaj kjo e bën situatën edhe më të ndërlikuar
Legjitimiteti përcaktohet nga votat
Sipas analistit Hidajet Ahmeti, është faktike që ka vakume në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e posaçërisht në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e kryekuvendarit dhe mandatarit për formimin e Qeverisë. “Është një e vërtetë absolute se ky interpretim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë profesional, por interpretim që u ka shërbyer interesave politike e me theks të veçantë PDK-së. Ky version i interpretimit politik e joprofesional ka shkaktuar mjegull në opinion publik, e cila mund të përkthehet në ngërç të procedurës demokratike për rrugën e formimit të Qeverisë. Por, njëkohësisht është një precedent jo i hijshëm për demokracinë e brishtë të Kosovës. Çfarë logjike mund të këtë për një sistem demokratik parlamentar që në mënyrë automatike t’i jepet mundësia
partisë së parë për ta pasur kryesuesin e Kuvendit të Republikës, i cili subjekt mund të mos i ketë votat e deputetëve”, është shprehur ai. “Duhet pasur parasysh se në demokraci legjitimiteti politik matet përmes votës e jo përmes bllokimeve, të cilat u shërbejnë partive që kanë kapur institucionet e pavarura që nga paslufta. Prandaj, çdo mundësi për të manipuluar përmes këtij interpretimi politik të Gjykatës Kushtetuese është një hap mbrapa për Kosovën dhe vonesë në rrugën e konsolidimit të shtetit dhe rrugën euroatlantike të saj”, tha Hidajet Ahmeti.
Bisedimet sekrete
Analisti politik Reshat Sahitaj mendon se koalicioni PAN pas 11 qershorit gjendet në një pozitë të palakmueshme, që nuk e kanë llogaritur kurrë as vetë kreatorët e rrëzimit të qeverisë, të cilët u gëzuan ditën e prishjes së qeverisë. Sipas Sahitajt, ishte kësaj radhe populli që ka treguar pjekuri politike, duke mos i votuar, por nuk ka treguar vetëdije të lartë politike, duke ua dhënë votën VVsë, partisë më shkatërruese të institucioneve dhe objekteve shtetërore. Ai ngre pikëpyetje të madhe se si mund të jetë shtetformuese, ligjore një parti që i shkatërron dhe i dëmton objektet në sheshin kryesor të Prishtinës? “Si mund të jetë shtetformuese një parti që nuk i njeh organet gjyqësore të shtetit të vet. Si mund të jetë një parti e tillë shtetformuese kur nuk i respekton flamurin dhe himnin e Kosovës, pavarësisht që ai është i papëlqyeshëm për shumicën absolute të qytetarëve, por ka metoda demokratike dhe institucionale që ndërrohet”, ka thënë Sahitaj.
“PAN-i është në një pozitë më të vështirë se në vitin 2014, sepse tani ka mundësi legale institucionale për themelimin e Qeverisë, por nuk ka më kë ta krijojë qeverinë. Mendoj dhe nuk ka asnjë shans real që Ramush Haradinaj t’ia lëshojë mandatin një partie tjetër për të krijuar qeverinë. Mirëpo, duke e njohur shumë mirë karakterin dhe këmbëngulësinë e Ramushit, jam shumë i bindur që ai do të bëjë çdo gjë që është e mundur në rrugën legale dhe do tentojë ta krijojë qeverinë e tij. Duke u nisur nga fakti i rezultateve, Ramushi do të tentojë të bëjë koalicion me VV-në fillimisht, mirëpo ngritja e VV-së në votimet e 11 qershorit atyre u ka dhënë shumë eufori dhe ata assesi nuk do të pranojnë asnjë koalicion pa qenë Albin kryeministër. Gjatë bisedimeve sekrete që mund të zhvillohen në mes VV-së dhe PAN-it nuk është as Ramushi e as Albini që do t’i lëshojnë rrugë njëri-tjetrit në mënyrë që Kosova të shkojë përpara. Po të mendohet se mosformimi i qeverisë ka pasoja negative do të lëshonte rrugë njëri, mirëpo si këto dy parti edhe këta dy personalitete mendojnë më shumë për vete e aspak për Kosovën. Kurse me bisedat sekrete që mund të zhvillohen në mes PAN-it dhe LDK-së, Ramushi do të hasë në probleme të disa shtyllave të LDK-së, të cilët do të refuzojnë për të dalë më fer me elektoratin e tyre”, ka shpjeguar Sahitaj.”Do të ketë shumë gjasa që për shkak të ofertës joshëse që do t’ua bëjë Ramushi, LDK-ja do ta pranojë ofertën e PAN-it e elektoratin e manipulojnë si gjithnjë të gjithë bashkë”, tha analisti politik, Reshat Sahitaj. Ai beson se edhe zvarritja e zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor nga ana e KQZ-së është një skenar i paramenduar, nga i cili do të blejnë kohë aktorët e PAN-it për negociata
Beteja për kryeministrin
Sipas politologut Gurakuç Kuçi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, kriza erdhi derisa për votuesin koalicioni PAN u tregua i padëshirueshëm dhe LDK-ja strategjikisht e dështuar, që ia dhanë mundësinë të forcohej ‘Vetëvendosje’, por edhe populli e sidomos të rinjtë u ngopën me tradicionalët edhe në premtime. Tani, edhe sipas Kuçit, pasi asnjë nuk mund ta krijojë e vetme qeverinë dhe para një situate ku VV-ja është jashtëzakonisht e disponuar për t’i nënshtruar të gjitha partitë tjera dhe PAN-i mund të vijë para një situate kur duhet të lëshojë pe. Sidoqoftë, ai nuk beson që VV-ja do të pranonte të merrte pushtet në duart e saj dhe të digjet me çështjen e temave të nxehta që e presin qeverinë e re, sikur janë Demarkacioni dhe Asociacioni.
Çelësi i problemit, sipas tij, janë LDK-ja dhe AKR-ja.”Duhet pritur rezultatet e kandidatëve për deputetë që të flasim më qartë, por që koalicionet e tanishme si artificiale potencialisht do të pushojnë se ekzistuari ku mund të vihemi para një koalicioni VV-LDK-AAK. Posti i kryeministrit mund të jetë problemi kryesor që AAK-ja nëse e lëshon do të poshtërohej, por nëse nuk shkon edhe këtë herë në qeveri mund të shuhet. VVja e dëshiron, por nuk është e gatshme ta djegë vetën me tema jopopuliste që po e presin qeverinë e re, tani kur shkëlqimi i saj ka filluar”, tha Gurakuç Kuçi
. Sipas tij, mbetet problemi që nëse prishen koalicionet parazgjedhore kujt i mbetet shumica për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe a mund të llogaritet pastaj VV-ja si subjekti më i madh sipas Kushtetutës që ndoshta do të nevojitej edhe një herë një përgjigjeje për këtë çështje nga Gjykata Kushtetuese. Ai parasheh që në rastin më të keq, nëse PAN këmbëngul si në 2014 dhe dështon që ta bëjë qeverinë herën e parë dhe presidenti prapë tani ia jep mandatin PAN-it, por me një kandidat tjetër për ta formuar qeverinë, atëherë mund të kemi edhe marshime të reja dhe protesta të një situate si në Maqedoni.
“Por, këtu model i mirë është që herën e dytë të jepet mundësia që cili koalicion i mbledh nënshkrimet për formimin e qeverisë, ose do të kemi zgjedhje të reja. Presidenti assesi nuk guxon të përfshihet në lojëra politike përveçse të ofrojë zgjidhje sipas Kushtetutës”, tha Kuçi.