3.4 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Kinemaja e simboleve

filmi-320x137“Kinemaja ballkanike vijon të mbetet kinemaja e simboleve.” Zharko Ivanov, regjisori i ri nga Shkupi, thotë kështu teksa nis të shpjegojë subjektin e filmit të tij të animuar “Një udhëtim përreth”, i cili u shfaq në ekranin e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, i cili po mbahet këto ditë në qytetin e Pogradecit. Skenari i shkruar nga Aleksandar Prokopiev tregon historinë e një burri që i ka kaluar të gjashtëdhjetat, i cili kalon çdo ditë Urën e Gurit në Maqedoni, bashkë me një djalë të vogël që e ndjek pas. Në dorë burri mban një pemë të vogël, nga ku kanë dalë disa sytha të vegjël. Ata ecin dhe ndalen në një varrezë, bri një varri të panjohur, ku burri ulet për të mbjellë pemën. Teksa sheh ritualin e të moshuarit, djaloshi dëgjon të qarën e një gruaje të vjetër pak larg tij. Ditën tjetër burri dhe djaloshi ecin sërish në të njëjtën rrugë, duke mbajtur një tjetër pemë në duar, për të ndalur sërish në një varr.

Teksa burri ulet për të mbjellë pemën, e qara e gruas tashmë ndihet më afër. Ky ritual i burrit dhe djalit ndodh çdo ditë, deri sa varrezat transformohen në një qytet të mbushur me pemë, dhe kur hapat e burrit ecin në urën e gurtë, nga xhepat e tij rriten filiza të reja peme, deri sa ai shndërrohet në pemë. “Në Ballkan nuk mund të ketë histori pa varre dhe lot”, thotë Ivanov. Për të pema është simboli i vazhdimësisë dhe i kalimit të një faze jo të lehtë të historisë në një etapë tjetër, e cila duhet të jetë më me shumë jetë, i ngjashëm me një qytet në formën e një parku, pa varreza… Ai ka zgjedhur ta tregojë historinë përmes animacionit vetëm në 7 minuta, i bindur se të flasësh shkurt të bën të mendosh më gjatë. Vizatimet në animacion e ndihmojnë regjisorin drejt mesazhit të filmit… “Unë s’mund t’i shmangem traditës”, thotë Ivanov. Dhe pse i përket një brezi të ri kineastësh në Maqedoninë e sotme, arti i tij nuk mund të jetë i shkëputur nga e shkuara. Jo vetëm e shkuara e Maqedonisë politike, por dhe ajo e kinemasë së Stole Popov apo Milcho Manchevski i njohur për filmin “Para shiut”, me të cilin ka fituar “Luanin e artë” në Festivalin e Filmit në Venecia. “Ata janë dy regjisorë që më kanë inspiruar me punën e tyre, më kanë bërë ta dua kinemanë dhe të zgjedh të bëj filma. Të bësh një film të mirë duhet të flasësh për diçka që ti e njeh mirë, dhe Maqedonia e shkuara dhe e ardhmja do të jenë gjithnjë pjesë e kërkimeve të mia artistike”, thotë Ivanov. Luftërat kanë lënë shenja ende në vendet ballkanike dhe kjo reflektohet në komunikimin midis fqinjëve, por edhe në kinema. “Në Ballkan nuk mund të flasësh për dashurinë. Ti mund të bësh një film me subjekt të dy të rinjve që duhen, apo dhe një histori pasioni, por sërish njerëzit duan të shohin në kinema jetën e tyre, atë çfarë ndodh përreth”, thotë Ivanov. Pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia, kinemaja në Maqedoni pësoi një krizë, por që tashmë është kaluar. Etnitë e ndryshme në Maqedoni, i kanë bërë maqedonasit të nxjerrin më shumë në pah traditën e tyre dhe ta ruajnë atë. “Traditat janë si puna e shpirtit, i cili e bën më të ftohtë një trup nëse nuk e nxjerr në pah”, thotë Ivanov. Këto janë shenja që ti jeton në Ballkan, vazhdon të thotë artisti. Por si i sheh ai shqiptarët e Maqedonisë, kulturën e tyre? Dhe pse e quan këtë një pyetje politike, ai thotë se do të donte të dinte më shumë për kulturën dhe atë çfarë ndodh në këtë pjesë tjetër brenda qytetit ku ai jeton, Shkupit, pasi i janë dukur gjithnjë të izoluar. Mungesa e komunikimit mes etnive e bën Ballkanin të ndiejë sërish ankthin e pasigurisë, ankth që reflektohet dhe në filmin që regjisori i ri ka bërë. Ai e quan pozitiv faktin që tashmë ndodhet në anën tjetër të Ohrit, në një festival shqiptar, për të ndarë me kolegët shqiptarë koncepte të ndryshme për kinemanë, komunikim ky që ka munguar mes artistëve të dy vendeve dhe pse janë kaq afër… Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ka ngritur siparin në qytetin e Pogradecit prej datës 2 shtator. Filma nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Turqia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Sllovenia, Shqipëria, do të shfaqen gjatë pesë ditëve në kinemanë e qytetit. Për të tretin vit radhazi, Pogradeci është kthyer në një qendër të filmit. Regjisorë, aktorë dhe personazhe të njohura të kulturës kanë mbërritur në këto ditë të para të vjeshtës për të ndjekur këtë edicion interesant të filmit ballkanik. Në sesionin e filmave shqip në festival u shfaq mbrëmjen e së martës edhe filmi i regjisorit Robert Budina, “Agon”, cili është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtar. “Agon” solli një vështrim të marrëdhënieve shqiptaro-greke pas viteve ‘90, një rrëfim për emigracionin dhe shembujt e trishtuar të tij. Pavarësisht skenave të dhunës, filmi ishte një përfaqësim i mirë i kinemasë shqiptare i viteve të fundit. Interesant ishte dhe filmi i regjisorit grek Angelos Abazoglou “Ëndrrat e ëmbla të Mustafait”. Përmes 79 minutave, Mustafai, një djalë 16-vjeçar, tregoi se nëse ke shumë dëshirë të bësh diçka mund t’ia dalësh dhe pse mund të jesh vetëm në kërkim të ëndrrës tënde. Ëndrra e Mustafait ishte të bënte ballkave, e të bëhej një shef i madh kuzhine në Stamboll. Juria e këtij festivali është e përbërë nga emra të njohur të kinemasë ballkanike, si: Andrea Gortler, Antoine Avignon, Jaromir Fofr, Pamela Cohn dhe Robert Pichler./shqip/

Më Shumë

Elton Ilirjani takon Parashqevi Simakun, jep lajmin e madh

Biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani ka arritur të gjejë dhe të takojë këngëtaren Parashqevi Simaku në Nju Jork. Ilirjani, i cili prej disa vitesh tashmë jeton...

Loja e liderëve politikë të Kosovës me mërgimtarët

Azem Lajqi Në një televizion të Shqipërsë, moderatori emisionit, Blendi Fevziu, duke folur për Aeroportin e Tiranës, tha se në shifrën prej 10.00000 udhëtarëve, përgjatë...

Lajmet e Fundit