2.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Fillon rigjykimi ndaj Shaip Budurit, Beqir Letajt dhe Bujar Nerjovajt

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka filluar rigjykimi ndaj drejtorit të shkollës “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri, ish-kryetarit të këshillit të kësaj shkolle, Bujar Nerjovaj dhe ish-zëvendësdrejtorit Beqir Letaj, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë seancë, të akuzuarit sërish nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në fjalën e saj hyrëse ka deklaruar se me provat e propozuara nga organi akuzues, gjatë shqyrtimit gjyqësor me padyshim do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Skender Morina dhe Esat Gutaj, kanë thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se klientët e tyre nuk kanë kryer veprime të kundërligjshme, por se kanë kryer punët e tyre të parapara me normat pozitive.

I akuzuari Shaip Buduri, nuk është pajtuar me pjesë të aktakuzës se kinse tenderi është kurdisur. Ai ka thënë se konkursi ka qenë publik dhe ofertat janë vlerësuar saktë. Po ashtu, ka thënë se ka respektuar vendimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren për anulim të konkursit të parë dhe se ka shpallur sërish konkursin sipas rregullores.

Po ashtu, edhe i akuzuari Beqir Letaj, ka thënë se vendimin për shkuarje në ekskursion të maturantëve nuk e ka nënshkruar për të dëmtuar kompanitë jo fituese, por se ka qenë para një akti të kryer pasi që procedurat janë kryer para se ai të zëvendësojë drejtorin Buduri. Ai po ashtu ka thënë se nuk është e vërtetë se ai ka pranuar ankesa nga kompanitë humbëse, ashtu siç pretendon organi i akuzës.

Pasi që të dëmtuarit, përfaqësuesit e kompanive turistike “Halimaj Reisen” dhe “Sharr Travel”, nuk prezantonin në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka vendosur që seanca të shtyhet dhe të ftohen ata sërish për të dëshmuar. Elezi ka thënë se nëse edhe në seancën e radhës nuk vijnë në gjykim palët e dëmtuara, atëherë do të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 tetor 2017, me fillim në ora 10:00.

Të akuzuarit Buduri, Nerjovaj dhe Letaj, akuzohen se me rastin e përzgjedhjes së kompanisë fituese për ekskursionin në Shqipëri të maturantëve të shkollës në fjalë për vitin 2013, kanë favorizuar kompaninë fituese “Atmaxha Tours”.

Sipas organit të akuzës, favorizimi është bërë duke përcaktuar kushte të konkursit jashtë Udhëzimit Administrativ 27/13, të Ministrisë së Arsimit, si kërkesa për rezervimin e hotelit “Rafaello” në Shëngjin, pasi që në këtë mënyrë ka eliminuar konkurrencën.

Të akuzuarit, në dhjetor të vitit të kaluar, janë gjetur fajtorë dhe janë dënuar me një vjet burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ata nuk kryejnë vepra të reja penale brenda dy vjetësh.

Mbrojtësit e të akuzuarve brenda afatit të paraparë ligjor, kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli më 17 gusht 2017, ka vendosur që kjo lëndë të kthehet në rigjykim për arsye se dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, se arsyetimi është në kundërshtim me provat në shkresat e lëndës dhe aktgjykimi është i paqartë.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të tregojë veprimet konkrete të të akuzuarve në drejtim të favorizimit të kompanisë fituese dhe dëmtimin e kompanive tjera, humbëse në tender./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Nesër mbahet mbledhje komemorative për mjekun Bajram Kryeziun

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare "Dr. Nexhip Berisha" në Prizren do të mbajë nesër një mbledhje komemorative për Dr. Bajram Kryeziun, i cili u...

Ballkani ndërpret bashkëpunimin me tre futbollistë

Ballkani ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me tre lojtarë, përfshirë portierin Damir Luljanoviq, pas katër viteve të tij në klub. Në një njoftim zyrtar,...

Lajmet e Fundit