Në balotazhin për të parin e komunës së Rahovecit, me 19 nëntor do përballen kandidati i AAK-së, Smajl Latifi dhe kryetari aktual, njëkohësisht kandidati nga radhët e PDK-së, Idriz Vehapi.
Ndonëse rezultati sa i përket grumbullimit të votave ishte në favor të Latifit, në balotazh ende nuk dihet se cili do të jetë fituesi. Kjo për arsye se ende nuk ka ndonjë koalicion mes këtyre dy partive dhe partive tjera.
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Rahovec, kanë vendosur që gjatë balotazhit të qëndrojnë të distancuar nga të dy kandidatët, duke mos përkrahur kështu asnjërën nga partitë.
Ndërkaq, kryetari aktual i Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili po kërkon edhe një mandat në krye të këtij qyteti, në një prononcim për Indeksonline është shprehur i bindur në fitoren e tij me 19 nëntor.
Sipas tij, meqenëse nuk ka koalicione zyrtare, qytetarët do vendosin në favor të tij.
“Nuk kemi bisedu me asnjërën nga partitë dhe do t’ia dalim që të jemi në garë, sepse qytetarët vendosin, në këtë rast pasi partitë nuk kanë koalicione zyrtare, atëherë votuesi vendosë cili do të jetë kryetari i komunës për katër vitet e ardhshme”, tha Vehapi.
Vehapi theksoi se këtë herë e ka shumë më të lehtë fitoren se sa në vitin 2013 kur e fitoi këtë komunë, sepse për rivalë ka pasur një koalicion të gjerë.
“Do të fitojmë sepse në vitin 2013, kanë qenë në koalicion të gjitha të pranuar, në rivalitet me ne dhe përsëri kemi fituar, ndërkaq këtë herë do e kemi shumë më lehtë. Në të gjitha alternativat ne do të fitojmë sepse jemi parti që kemi punuar dhe me datën 19 do jemi fitues”, shtoi tutje Vehapi.
Kujtojmë se edhe kandidati i AAK-së, Smajl Latifi ka udhëhequr me komunën e Rahovecit një mandat para Vehapit./Indeksonline/