Kantautori shqiptar Ermal Meta triumfoi në skenën e Ariston të Sanremos duke rrëmbyer trofeun e festivalit më të rëndësishëm në Itali. Dueti i tij me Fabrizio Moro i titulluar “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë) u rendit i pari pas votave të jurisë profesioniste dhe atyre të publikut.
Në Sanremo 2018, kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro nuk i shpëtoi polemikave. Kënga e tyre u pezullua fillimisht pas akuzave se ishte e vjedhur. Në fakt bashkautori i këngës Andrea Febo pranoi se kishte marrë një pjesë nga refreni i një kënge të prezantuar në Festival 2 vjet më parë e cila nuk ishte pranuar dhe që nuk ishte publikuar. Sipas tij, kjo ishte një këngë krejt tjetër me një përmbajtje dhe fabul tjetër. Tashmë kënga është një himn kundër akteve terroriste. Pas 36 orësh drejtuesit e festivalit e kthyen këngën në garë dhe ajo arriti të triumfojë.
Në vitin 2017 ai konkurroi për herë të tretë në Sanremo, por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” u konsiderua si një nga krijimet me tekstin që përcillte mesazhin më të fortë në këtë festival ku ai zuri vendin e tretë./ KultPlus.com