Mihane Plakaj, e cila akuzohej se ka mashtruar klientët e bankës “TEB” në Ferizaj, ka lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren, sipas së cilës ajo është dënuar me 5 muaj burgim, por një dënim të tillë ajo nuk do ta mbajë nëse brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.
Të enjten, gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, prokurori i rastit, Genc Nixha, ka njoftuar kryetaren e trupit gjykues, Ajser Skenderi se me të akuzuarën Mihane Plakaj, në praninë edhe të mbrojtësit të saj, avokatit Arianit Koci, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
E akuzuara Plakaj, ka deklaruar se marrëveshja është lidhur me vullnet të lirë dhe pa presion, apo shtytje nga ndokush, duke u pajtuar me dënimin e propozuar dhe heqjen dorë nga e drejta në ankesë kundër aktgjykimit që del nga kjo marrëveshje.
Përfaqësuesi i bankës “TEB”, Agron Krasniqi, ka deklaruar se organi i akuzës ka llogaritur vetëm dëmin që e akuzuara ka shkaktuar duke përdorur kartelat e klientëve, por se në të vërtetë dëmi është shumëfish më i madh pasi sipas tij, është dëmtuar reputacioni i bankës dhe se për këtë do të parashtrojnë padi civile.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka aprovuar marrëveshjen dhe të akuzuarës i ka shqiptuar dënimin e propozuar si në marrëveshje prej 5 muajsh dënim me kusht që e njëjta mos të kryejë vepër të re penale brenda periudhës dy vjeçare.
Skenderi po ashtu ka obliguar të akuzuarën që në afat prej 15 ditësh të kompensojë dëmin prej tre mijë euro të shkaktuar ndaj bankës “TEB”, të derdhë 50 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave dhe të paguajë shpenzimet gjyqësore prej 150 euro.
Banka “TEB” është udhëzuar në kontest të rregullt civil për të realizuar kërkesën e saj pasurore-juridike.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Ferizajt, në dhjetor 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Mihane Plakajt, të cilën e akuzonte për keqpërdorim të pozitës zyrtare si punëtore e bankës “TEB” dega në Ferizaj.
Sipas aktakuzës, e akuzuara duke shfrytëzuar pozitën e saj në bankën “TEB” ka shfrytëzuar kartelat e klientëve të bankës “Starcard”, për të blerë gjera për nevoja personale duke i dëmtuar klientët në vlerë prej rreth 3100 euro.
Ky rast është transferuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt, sepse në këtë institucion punon një i afërm i të akuzuarës.