Shkruan: John Lloyd
Ë shtë një botë gjithnjë e më e vështirë për ata që kërkojnë një jetë më të mirë në vendet më të pasura. Emigrantët nuk janë të mirëpritur në shumicën e shteteve, edhe pse trendët demografikë pasqyrojnë nevojën për zgjerimin e fuqisë punëtore në nivele të afta për të mbështetur dhe mbajtur popullsinë e plakur. Ndërkohë që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të duhet të përballen me nevojën për punëtorët më të rinj në dekadat e ardhshme, qytetarët e kombeve të pasura, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, nuk e pëlqejnë emigracionin masiv dhe dënojnë politikanët që e lejojnë atë. Në Evropë sidomos, emigracioni është forca kryesore lëvizëse për nacionalizëm, për ngritjen e partive populiste dhe për rënien e qendrës së majtë. Ka përjashtime. Spanja, e cila ka pasur emigrim relativisht të ulët nga Afrika e Veriut, pranoi mbi 600 emigrantë nga një anije e bllokuar, “Aquarius”, të cilën Italia dhe Malta e kishin refuzuar. Irlanda ka qenë dukshëm më e ndjeshme se shumica e njerëzve ndaj gjendjes së vështirë të refugjatëve sirianë. Administrata e decentralizuar e Skocisë – e shqetësuar për popullsinë e saj të plakur dhe fuqinë punëtore të zvogëluar – për disa vite ka qenë më mikpritëse ndaj emigrantëve sesa qeveria britanike në Londër. mPor, lëvizja mbetet e prirë ndaj përjashtimit. Në Gjermani, vendin me ekonominë kryesore në Evropë, kancelarja Angela Merkel ndryshon ashpër me ministrin e saj të brendshëm, Horst Seehofer, për thirrjen e këtij të fundit për të bllokuar nga hyrja në Gjermani emigrantët tashmë të regjistruar në një vend tjetër të BE-së.
Merkel shpreson të gjejë një marrëveshje të gjerë në BE
Seehofer është kryetar i Unionit të krishterë social bavarez, në atë që ka qenë një koalicion i përhershëm me Kristian Demokratët e Merkelit. CSU i ka dhënë asaj afat deri në fillim të muajit të ardhshëm të dalë me një kompromis; shumica e gjermanëve aktualisht besojnë se ajo nuk do ta bëjë këtë. Një dështim i tillë do të rrezikonte qeverinë e koalicionit të saj, por CSU-ja është e shtyrë nga Alternativa (kundër emigrantëve) për Gjermaninë (AfD) përpara zgjedhjeve shtetërore të tetorit në Bavari dhe nuk mund të përballojë të largohet nga kërcënimi i saj për kufijtë e njëanshëm të mbyllur gjerman. Merkel shpreson të gjejë një marrëveshje të gjerë në BE. Një takim joformal i disa liderëve – duke përfshirë edhe ata nga Austria, Franca, Gjermania dhe Italia, të kryesuar nga presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker – do të zhvillohet të dielën për të kërkuar një lloj marrëveshje përpara një takimi të 28-29 qershorit të BE – një shenjë se çështja tani dominon politikën e të gjithë atyre. Aleati më i afërt i Merkelit, presidenti francez Emmanuel Macron, e ka ngurtësuar qëndrimin e tij ndaj emigrantëve duke i thënë kryeministrit italian Giuseppe Conte se ata që kërkojnë azil duhet të trajtohen nga qendrat e ngritur jashtë Evropës. Macron e përkufizoi atë në gjuhën humanitare duke thënë se nuk është e drejtë për ata që nuk kanë mundësi të marrin azil në Evropë të vdesin në Mesdhe ose të jetojnë në kushte “të padenja”, por propozimi i tij do të thotë që Franca ndjek Italinë në ndalimin e hyrjes së anijes së emigrantëve . Në të njëjtën kohë, megjithatë, Franca kritikoi vendimin e Italisë për të refuzuar lejen që anija “Aquarius” të ankorohej – dhe pranoi disa nga emigrantët në bord. Përderisa ekziston një marrëveshje evropiane mbi imigracionin, ajo vjen nga krahu i anti-imigracionit të BE-së. Më parë këtë javë, një takim midis Seehofer të Gjermanisë dhe kancelarit austriak Sebastian Kurz krijoi një marrëveshje për të krijuar një “aks”, jo aq shumë, siç tha Kurz, “të vullnetit”, por i atyre shteteve – duke përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Austrinë – që nuk duan të pranojnë më shumë emigrantë. Merkel është sfiduar jo vetëm nga Italia, qeveria e re populiste e të cilës e sheh këmbënguljen e Merkelit për kufij të hapur së bashku me presionin për të ulur shpenzimet publike italiane si të patolerueshme, por edhe nga aleati i saj Macron, nga fqinji i saj Austria dhe nga ministri i saj i brendshëm. Ky qëndrim i ashpër fillon të lëvizë anëtarët e Bashkimit Evropian Perëndimor më afër evropianëve qendrorë – Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë – ku të gjitha këto vende kanë refuzuar të marrin kuotën e emigrantëve të vendosur për ta nga BE-ja. Në një ese të fuqishme, Branko Milanoviç, një ish-ekonomist i Bankës Botërore, argumenton se për këto shtete, të çliruara nga komunizmi dhe kontrolli nga Bashkimi Sovjetik, janë thellësisht kundër një migrimi gjë që do të pakësonte homogjenitetin e tyre etnik dhe lirinë kombëtare të re. Milanoviç shkruan se “heterogjeniteti etnik do të vijë nga brenda në formën e emigrantëve, njerëz me kulturë të ndryshme, fe, dhe më të frikshme në sytë e vendasve, njerëz norma e lindjeve të të cilëve tejkalon dukshëm normat anemike, madje edhe negative, të rritjes së popullsisë vendase. Migrimi kështu duket si një kërcënim për pavarësinë nacionale të fituar me mund”.
Presioni i të varfërve në botën e pasur
Për shumë njerëz,”kërcënimi” tani është një shoqërues i pandashëm me “emigrantin”. Për kundërshtarët, të sapoardhurit kërcënojnë me rritje të krimit; një hollim të etnisë kombëtare dhe një kërkesë për shërbimet e paguara nga taksat e popullsisë vendase. Evropianët në veçanti nuk e pëlqejnë emigracionit e myslimanëve, duke pasur frikë se të sapoardhurit mund të përfshijnë militantë që planifikojnë akte të terrorit. Avantazhet e një grupi të ri dhe zakonisht punues, të cilët vetë do të paguajnë taksa, të marrin vende pune jo tërheqëse për qytetarët ekzistues dhe të sigurojnë diversitetin kulturor ose janë më pak të dukshme ose gjithnjë e më shumë të injoruara. Në Francë, emigranti nga Mali, Mamoudou Gassama, i cili u ngjit në një ballkon të katërt katror për të shpëtuar një fëmijë katërvjeçar në rrezik që të bjerë poshtë, iu dha shtetësia franceze dhe mundësi që të takohej me presidentin Macron për një akt inkurajimi – një mundësi e paimagjinuar për të tjerët që kërkojnë shtetësi. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është ai që i sheh emigrantët tërësisht përmes prizmit të “kërcënimit”. Ai është pa dyshim i ashpër, duke përdorur terma “infestim” dhe “kafshë” në referencat e tij ndaj atyre që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumentacion. Zbatimi i një politike që çoi në ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre në kufirin amerikano-meksikan, u pa gjerësisht, madje edhe në partinë e tij republikane, si një gjë e neveritshme dhe – pasi akuzoi në mënyrë të rreme demokratët se ishin përgjegjës për politikën – ai nënshkroi një urdhër që iu jep fund ndarjeve. Presioni i të varfërve në botën e pasur është një nga pamjet më famëkëqija të viteve të fundit. Presioni nuk do të largohet; sikur që nuk do të largohet as rezistenca ndaj tij. Afrika dhe Lindja e Mesme, sidomos zonat e saj të luftës, do të vazhdojnë të derdhin masa të lodhura, të varfra dhe të mëdha, dhe ato do të vazhdojnë të refuzohen. Udhëheqësit, liberalë dhe konservatorë, do të kenë shumë pak zgjedhje, përveçse të bashkohen me partinë refuzuese (“push-back”) nëse dëshirojnë të qëndrojnë në detyrë. mKëta udhëheqës tani duhet të bëhen më të mençur – në vend se më shumë reaksionarë. Varfëria dhe konflikti që gjithnjë e më shumë e ndan botën duhet të trajtohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse sesa ka qenë deri më tani. Efektet e mjerimit të saj nuk mund të kufizohen më brenda kufijve të varfër: gjithnjë e më shumë ajo bëhet emergjenca e botës së pasur.
(John Lloyd bashkëthemeloi institutin “Reuters” për studim të gazetarisë, në Universitetin e Oksfordit)