Fatmir Limaj, i njohur me nofkën e luftës, si komandant Çeliku, njëri nga personalitetet kyçe të partisë në pushtet, tha të hënën para bashkëvendasve të tij në Malishevë, se vota e qytetarëve të kësaj komune nuk duhet t’i shkojë Partisë Demokratike të Kosovës, por Iniciativës Qytetare të Malishevës.
“Askush nuk ka të drejtë që njerëzve me kërcënime, t’ua ndryshojë mendimin. Mjerë ai, mjerë! I mjerë ai pushtet i cili kërkon t’i fitojë votat me kërcënime”, tha Limaj para një salle të stërmbushur me njerëz në Malishevë.
Kërkesa e Limajt që të votohet kundër PDK-së, në selinë qendrore të kësaj partie në Prishtinë po shihet me qetësi.
Basri Musmurati, që është sekretar organizativ i PDK-së tha për Radion Evropa e Lirë se kjo parti nuk ka krijuar ndonjëherë raporte që dikush të largohet nga subjekti politik, dhe se gjithmonë ka synuar prurje të reja në parti.
“Është e drejtë e çdo individi të orientohet andej kah ia merr mendja! Por, sigurisht se edhe vetëm një votë e vetme nëse i shkëputet, e ka një minus subjekti politik”, tha Musmurati.
Një shkëputje eventuale e Limajt, siç thotë ai, nuk është alarm se do të ketë ndryshime në udhëheqjen e komunave.
“Nuk e konsiderojmë si alarm, sepse ne atje [Malishevë] jemi si subjekt politik shumë i fuqishëm. Dhe nëse eventualisht një pjesë e njerëzve mund të interesohen për të votuar këtë far iniciativën, mund të na dëmtojnë pak, por nuk mund të ndikojnë fare që ne t’i humbim zgjedhjet atje”, tha Musmurati.
Por, Rrustem Mustafa, nga kjo parti ndihet i shqetësuar për largimin e Fatmir Limajt.
“Unë personalisht, e ndaj një shqetësim, dhe nuk më vijnë mirë këto lajme. Për partinë, s’kemi folur, dhe s’e di ende se çka do të thotë kjo! Por, për mua do të thotë se nga rradhet e PDK-së po largohet një person, i cili ka kontribuuar për krijimin e PDK-së dhe do e ndiejmë veten keq përse ai më nuk është në mesin tonë”, tha për REL, Rrustem Mustafa.
Sipas tij, për punët brenda partisë menaxhon kryetari Hashim Thaçi me shtatë nënkryetarët dhe zëvendëskryetarin, për çfarë beson se edhe do të japin vlerësimin e duhur në emër të PDK-së, në rast të largimit formal të Limajt nga partia.
“Unë nuk jam i sigurt sot të them, për kahjet që është duke dërguar PDK-ja, por ndihem keq kur njerëzit si Fatmir Limaj, por edhe të tjerët largohen nga ky koncept politik”, tha Mustafa.
Por për dallim prej tij, Basri Musmurati thotë se pavarësisht rrjedhës së zhvillimeve, zgjedhjet e 3 nëntorit janë për komunat e jo për nivel qendror, dhe se njerëzit që janë pozicionuar kundër partisë në Malishevë, do të përpiqen të mundin njëri-tjetrin.